Angazhimet personale të Kryeministrit për emigrantët
October 9, 2009 nga N.Papa
postuar ne kategorine Lajme nga Greqia
Në nëntor 2007, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e PASOK-ut, Jorgos Papandreu kishte folur në një takim të gjetë me emigrantë të të gjitha kombësive, ku shumica ishin shqiptarë. Në atë mbledhje, zoti Papandreu kishte shpalosur angazhimet e tij për emigrantët, me moton: “Emigranti duhet të ndihet me dinjitet dhe i barabartë në Greqi”.
“E di se ç’do të thotë mërgim, e di se ç’do të thotë racizëm, e di ç’do të thotë të kesh mall për atdheun tënd”, kishte thënë ai, duke vazhduar me pas me një vlerësim maksimal për kontributin në Greqi, të emigrantëve, që ai i cilësoi si “një pasuri të madhe”.
“Sa shumë keni kontribuar duke ndërtuar Greqinë, keni kontribuar duke rritur fëmijtë tanë, duke ndihmuar të moshuarit, u keni kontribuar kaq e kaq familjeve, duke punuar për turizmin tonë, për bujqësinë tonë, duke luftuar bashkë me për ndërtimin e veprave të lojërave Olimpike të vitit 2004 dhe suksesi i atyre lojërave i dedikohet edhe punës suaj”, kishte thënë më tej zoti Papandreu.
“Të gjitha këto duhet t’i afirmojmë, t’i themi, t’i dëgjojmë, sepse ne grekët duhet të njohim se sa i madh është kontributi juaj për Greqinë”, kishte vazhduar më tej.
Në vazhdim, ai ishte ndalur në rolin e pjesëmarrjes së emigrantëve në zhvillimet politike në vend, sepse, “është e drejta juaj të merrnin pjesë në këto zhvillime, ndërsa për ne grekët, është e nevojshme pjesëmarrja juaj. Për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të drejtë, më njerëzore, një shoqëri më solidare që nuk e ka frikë të ndryshmen, por që e përqafon dhe e shndërron në forcë lëvizëse. Sepse ju, me diversitetin tuaj, me kulturën tuaj, e bëni më të pasur Greqinë dhe për këtë ju falënderojmë”.
Jorgos Papandreu kishte vërejtur se shumë prej risive që ai futi në program kur mori në duar drejtimin e PASOK- ut, shkaktuan reagime madje edhe brenda në parti. Mirëpo, kishte theksuar, “e bëra këtë me guxim e kurajë, sepse e di, edhe ju e dini, se është i vetmi qëndrim që mund të krijojë një shoqëri të vërtetë tolerance, humane, ku emigranti ta ndjejë veten në Greqi me të vërtetë si në atdheun e tij.
“Duam një Greqi ku emigranti do të ndihet vërtetë krenar, do të ndihet me dinjitet, do të ndihet i respektuar, do të ndihet se është qytetar i barabartë në këtë vend”, kishte theksuar në nëntor 2007 kryetari i PASOK-ut dhe kryeministër i sotëm i Greqisë, Jorgos Papandreu.
Sigurisht që qeveria e re e mori drejtimin e vendit në një situatë të vështirë ekonomike, dhe përballimi i krizës përbën dhe prioritetin e parë të punës. Mirëpo, nisur edhe nga fakti që edhe gjatë fushatës së ashpër zgjedhore, zoti Papandreu nuk ngurroi të pozicionohej me guxim në favor të dhënies së nënshtetësisë emigrantëve, ne mundemi, më së paku, të kemi një shpresë në rritje se gjërat do të ndryshojnë për mirë edhe për emigrantët.
Së fundi, meqë “e shkruara mbetet”, po ribotojmë tezat e Jorgos Papandreut për emigracionin, ashtu siç ai ia kishte dërguar gazetës Tribuna dhe ishin botuar në numrin e datës 9 nëntor 2007.
Nënshtetësi për gjithë emigrantët që përmbushin kushtet
Nga Jorgos Papandreu
1. Për legalizimin e emigrantëve dhe kuadrin ligjor ekzistues
Legalizimi i gjithë emigrantëve të paligjshëm që jetojnë e punojnë në Greqi duhet të bëhet me procedura e kritere të caktuara. Procedurë që nuk do të ndryshojë nga njera ditë tek tjetra, që nuk do ta shndrrojë në një ferr dorëzimin e dokumentave, që nuk do t’i torturojë dhe përçmojë emigrantët. Kritere që duhet të jenë të zgjeruara dhe jo të rrepta, që do të lejojnë dëshmimin lehtësisht të hyrjes së emigrantit në Greqi. Duke përjashtuar njerëz nga procedura e legalizimit ne krijojmë njerëz të margjinalizuar, viktima të gatshme të rrjeteve të punës së paligjshme e të kriminalitetit.
Kuadri ligjor ekzistues gjykohet si i pamjaftueshëm. Dhe ky nuk është një konkluzion arbitrar, por konkluzion i raporteve të organizmave ndërkombëtare. Kur në Bashkimin Europian në krye të axhendës gjenden çështjet e integrimit social të emigrantëve dhe të brezit të dytë, në Greqi, për të dy këto çështje ekziston një vakuum i tmerrshëm. Qeveria merret me emigracionin sipas praktikave të viteve 1990-të, duke injoruar faktin se rrethanat evoluojnë, se problemet e reja kërkojnë zgjdhje të menjëhershme.
2. Mënyra se si do të arrihet integrimi i tyre social, në çështjen e nënshtetësisë, në ushtrimin e të drejtave personale dhe sociale dhe të ushtrimit të besimit fetar.
Integrimi social përbëhet nga dy elementë themelorë: njeri është element psikologjik dhe tjetri është element real. Një emigrant nuk mund të integrohet në një vend nëse ndihet i huaj ndaj atij vendi, nëse përballet me një atmosferë armiqësore, nëse provon çdo ditë dallimet. Po ashtu, nuk mund të integrohet nëse vetë shteti nuk krijon ato kushtet reale që do të lehtësojnë qëndrimin e emigrantit. Integrimi social i emigrantëve përbën rrugën e vetme për një shoqëri që aspiron përparimin, zhvillimin ekonomik, që lufton kundër marxhinimit social, mentalitetit ksenofobik dhe urrejtjes për tjetrin. Shoqëria e nesërme që po krijojmë do të jetë e ndryshme, në raport me shkallën e integrimit të qmigrantëve në shoqërinë tonë.
Nënshtetësia greke duhet t’u jepet gjithë emigrantëve që përmbushin kushtet që përcakton ligji. Aksesi duhet të jetë i hapur për të gjithë, pa kufizime dhe prapamendime. Të gjithë fëmijtë që lindin në Greqi apo kanë studiuar për tre vjet në shkollat greke, duhet të marrin nënshtetësinë greke. Këta fëmijë, që e ndjejnë Greqinë si atdheun e tyre, përbëjnë një potencial shumë të madh që mund të shfrytëzohet në dobi të Greqisë.
Ushtrimi i të drejtave sociale dhe personale të emigrantëve përbën një të drejtë të pacënueshme të tyre, që sanksionohet nga Kushtetuta greke dhe konventat ndërkombëtare. Një shtet me vlera dhe parime demokratike është i detyruar jo vetëm t’i garantojë, por edhe t’i promovojë këto të drejta. Po ashtu dhe ushtrimi i besimit fetar nuk duhet të kufizohet. Do të duhet t’i pranojmë bashkëqytetarët tanë me veçanësitë e tyre kulturore dhe t’i shohim si nisjen e një bashkëjetese krijuese, duke veçuar gjithë elementët e shëndoshë që mbart çdo kulturë.
3. Dhënia e të drejtave politike emigrantëve
Emigranti lidhet organikisht me lagjen ku jeton, me pushtetin lokal, dhe ky është ndoshta kuadri ideal me anë të të cilit do të ndihmojmë integrimin soaicl të emigrantëve, por edhe në mirëkuptimin reciprok ndërmjet emigrantëve dhe shoqërive vendase. Një politikë për emigrantët dhe integrimin social të tyre mbetet e paplotësuar nëse emigrantëve nuk u njihet veç të tjerave, edhe e drejta që ndërlidhet me identitetin e tyre si qytetarë: e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. PASOK-u paraqiti projektligj për sanksionimin e kësaj të drejte për emigrantët e ligjshëm, projekt që u diskutua në fillim të vitit në parlament dhe u refuzua nga maxhoranca qeveritare.
GAZETA TRIBUNA


Komente
Jep dhe ti mendimin tend duke shkruar nje koment...