Athine : 2 Shqipetare te akuzuar per sulmin ndaj policise greke

8 January, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

ATHINE- Në momentin kur shërbimi terrorist grek ndodhet në kulmin e hetimeve përsa i përket ngjarjes së disa ditëve më parë, kur një polic është plagosur rëndë nga dy persona të panjohur, në një sulm që ka ngjallur edhe njëherë dyshimet se në Greqi ekzistojnë elementë ose bërthama terroriste, dhjetë persona janë arrestuar dhe disa prej tyre janë gjykuar sot nga Prokuroria greke.
Përveç pesë emrave që vijnë nga rrethi i forcave të majta politke, përshtypje të madhe kanë krijuar 5 personat e tjerë që i përkasin grupeve antiqeveritare apo anarkiste dhe që janë mbajtur dhe hetuar si të dyshuar për lidhjet e tyre me grupe ose elementë terroristë për më se tre ditë në Prokurorinë e Athinës.
Midis tyre sipas policisë greke ndodhet shtetasi shqiptar Ari Bollano nga Himara si dhe babai i tij, i cili sipas mediave greke ka lidhje familjare me një drejtues pushteti në një zonë në jug të Shqipërisë.
Policia greke deklaron se shtetasi shqiptar është ngatërruar në vjedhje të ndryshme dhe se ka qenë një person që ka marrë pjesë në aktet e fundit të dhunshme në Athinë.
Madje disa qarqe policore nënvizojnë faktin se është ngatërruar në çështje tepër serioze pa dhënë më tepër shpjegime.
Këta pesë persona, midis tyre edhe dy shtetasit shqiptarë janë çuar sot në gjykatë, por pavarësisht faktit se ata ishin hetuar për lidhje të mundshme me elementë apo grupe terroriste, përfundimisht janë akuzuar në gjykatë vetëm për vepra penale dhe jo për vepra që i përkasin shkeljes së ligjeve antiterroriste.
Kështu ata janë liruar me kusht dhe ju është ndaluar të largohen nga vendi duke qenë të detyruar të paraqiten dy herë në muaj në polici.
Në gjykatë ata janë akuzuar për armëmbajtje dhe përdorim të materialeve ushtarake pa leje, shkatërrim të pronës private, kundërshtim me forcë ndaj organit të rendit etj. .
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura, por siç ka publikuar shtypi grek të pesë personat që janë arrestuar në lagjen “Eksarqia” aty ku edhe ka ndodhur incidenti, pra dhe dy shtetasit shqiptare janë liruar me kusht.
Shtetasi shqiptar Ari Bollano është ndaluar edhe njëherë më parë për të njëjtën vepër penale bëjnë të ditur po këto media.
Megjithatë është konkluduar nga gjykatësit grekë se kjo masë është e mjaftueshme për pesë personat.
Pas këtij zhvillimi shtypi opozitar grek ka theksuar se përsëri policia dhe shërbimi antiterrorist kanë dështuar edhe njëherë për zbulimin e autorëve të kësaj ngjarjeje që ka tronditur vendin.
Nga ana e saj titullarë të policisë greke deklarojnë se hetimet vazhdojnë me të njëjtin intensitet dhe se së shpejti do të jenë në gjurmë të terroristëve që thuhet se i përkasin grupeve politike ekstremiste të majta. (a.r/balkanweb)

Komente: