Bashkimi Europian Greqisë: karton i verdhë për emigrantët
9 February, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Brukseli i konsideron të jashtëligjshme kushtet e ligjit të ri për fëmijtë e emigrantëve që duan të përfitojnë lejen afatgjatë
Robert Goro
Ende pa u tharë boja e nënshkrimit të ministrit të brendshëm, Prokopis Pavlopulos, mbi ligjin e ri që miratoi para pak ditësh parlamenti, Komisioni Europian ka reguar menjëherë duke i konsideruar si të paligjshme dispozitat kufizuese mbi fëmijtë e emigrantëve që ata të përfitojnë lejen e qëndrimit afatgjatë.
Sipas ligjit, një nga kushtet kryesore, është që fëmijtë e emigrantëve duhet të kenë lindur në Greqi, ku duhet të vazhdojnë të jetojnë edhe prindërit e tyre, si të ligjshëm.
Eurodeputeti i Koalicionit të së majtës, (Synaspismos), Dimitris Papadhimulis, ka kërkuar për këtë çështje interpelancë me komisionierin përkatës, Zhak Barro.
Komisioneri për drejtësinë dhe sigurinë, që është njëkohësisht edhe nënpresident i Bashkimit Europian, zoti Zhan Barro, ka dalë para eurodeputetëve në selinë e Parlamentit Europian, në Strasburg.
“Në bazë të udhëzimit 2003/109 të Komisionit Europian, fëmijtë, prindërit e të cilëve nuk banojnë në mënyrë të ligjshme në vend, nuk mund të përjashtohen nga përfitimi i statusit të banorit me banim të gjatë, në rast se përmbushin gjithë kushtet që përcakton Udhëzimi”, tha thënë komisioneri europian.
“Nisur nga fakti se nuk ekziston detyrimi që dikush të ketë lindur në territorin e një vendi anëtar, vendosja e një kushti të tillë nga ana e Greqisë, tregon se është në kundërshtim me Udhëzimin e Komisionit Europian. Komisioni do të komunikojë menjëherë me autoritetet greke, për t’u informuar më gjerësisht rreth këtyre dy pikave”, tha zoti Barro.
Ligji 3731/08, që u miratua para disa ditësh, përcakton se statusin e banorit me qëndrim të gjatë (dhe automatikisht leje qëndrimi afatgjatë), “mund ta përfitojnë gjithë fëmijtë e shtetasve të vendeve të treta, që kanë lindur në Greqi, kanë mbushur vitin e 18-të të moshës dhe prindërit e tyre banojnë ligjërisht në Greqi”.
Sipas eurodeputetit grek, ligji në fjalë nuk merr parasysh rastet e fëmijve që nuk kanë lindur në Greqi, por u rritën dhe ndjekin mësimet në shkollat greke, apo raste fëmijsh, prindërit e të cilëve nuk kanë arritur të legalizohen.
Por komisioneri i Bashkimit Europian, për drejtësinë dhe sogurinë, Zhak Barro, është i prerë:
“Shtetet anëtare janë të detyruara të respektojnë të drejtat themelore, ashtu si ato burojnë nga traditat kushtetuese të shteteve anëtare, por edhe nga detyrimet e tyre ndërkombëtare. Konventa e OKB-së e vitit 1989 për të drejtat e fëmijve, të cilën e kanë ratifikuar gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian, i detyron palët nënshkruese që të respektojnë dhe të garantojnë gjithë të drejtat e shpallura të çdo fëmije që ndodhet në territorin e tyre, pa dallime, dhe sidomos pavarësisht nga statusi i qëndrimit të prindërve”, theksoi zoti Barro nga tribuna e Parlamentit Europian.
Duke përshëndetur prononcimin e komisionerit europian, eurodeputeti grek, Dimitris Papadimulis, në një deklaratë për shtyp thekson ndër të tjera: “Zoti Pavlopulos është i detyruar t’i tërheqë menjëherë dispozitat dhe të ndryshojë kushtet e papranueshme. Shteti grek duhet të pushojë t’i trajtojë këta fëmijë thua se janë të padukshëm, duke i lënë pa dokumenta dhe pa të drejta.
Çfarë do të bëhet tani?
Tribuna u interesua, por pa sukses, pranë ministrisë së brendshme, për ndonjë reagim lidhur me pronocimin e komisionerit. Gjithsesi, nisur nga fakti se Udhëzimet e Komisionit Europian janë të detyrueshme për gjithë vendet anëtare, pritet që dispozitat në fjalë të rishikohen e të përmirësohen konformë direktivave zyrtare të Brukselit.
Mirëpo, me që nga përvoja jemi mësuar që autoritet i hedhin shumë ngadalë hapat e tyre, sidomos kur është puna për emigrantët, më e mundshmja është që edhe për këtë çështje të pritet ca gjatë…
Robert Goro
Ç’përcakton ligji?
Me një vendim të ditëve të fundit, ministri i brendshëm përcakton dokumentat që duhet të paraqesë një emigrant i brezit të dytë sapo mbush moshën 18 vjeç, me qëllim që të përfitojë statusin e banorit me qëndrim të gjatë në Greqi:
1. Formulari i aplikimit, dhe tre fotografi.
2. Fotokopje e pasaportës apo dokumenti tjetër udhëtimi.
3. Çertifikatë lindjeje
4. Fotokopje të legalizuar të lejes së qëndrimit të prindërve.
5. Fotokopje të legalizuara të dëftesës shkollore të arsimit të detyrueshëm (dëftesë lirimi nga shkollë fillore shtetëtore apo private, ose gjimnaz shtetëror apo privat).
6. Paravolo (Mandat pagese) me vlerë 900 euro.
Burimi : Gazeta Tribuna
Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër


Komente: