CFAR NDODH NE PER BOTE?! :P

14 November, 2008 nga  
Postuar ne kategorine Kuriozitete

Japoni
Qyteti Obama në Japoni feston për hir të emrit
Një qytet në Japoni me emrin Obama po feston nëpër rrugë dhe sheshe me kërcimtarë, zjarrngrënës dhe akrobatë për hir të emrit me presidentin e ri amerikan, Obama. Një oqean larg Shteteve të Bashkuara, ky qytet i lashtë peshkatarësh me 32 mijë banorë, u gëzua tej mase me lajmin e ri pas zgjedhjeve. Në të vërtetë “Obama” do të thotë “breg i vogël” në gjuhën japoneze. Japonezët, të cilët një vit më parë as që kishin ndër mend t’i ndiqnin kaq afër zgjedhjet amerikane, janë në ekstazë tani që një person me emrin e qytetit do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. “Fitorja e tij është e mirë edhe për ne në Obama, por është e mirë edhe për njerëz të tjerë”, shton një vendas nga Obama.

Malajzi
Dënohen deputetët që shajnë njëri-tjetrin
Parlamenti në Malajzi thotë se është “ngopur” me të shara dhe fjalë të pista. Të lodhur nga nofkat dhe vërejtjet negative gjatë debateve parlamentare, qeveria e Malajzisë ka nisur një fushatë mirësjelljeje, në mënyrë që ligjvënësit të kenë kujdes me gjuhën e tyre. “Është e rëndësishme që anëtarët e parlamentit të jenë më të kujdesshëm me fjalët, përndryshe ata do të gjobiten”, thotë ministrja e Kulturës, Shafie Apdal. “Shoqëria do t’i shohë ata ndryshe nëse sillen keq”, shton ajo. Për momentin nëpër parlament po qarkullojnë fletushka që i kujtojnë deputetëve fjalët e mira.

Australi
Gjykatësin gërhet në sallën e gjyqit
Gjykata e Lartë në Australi e ktheu vendimin e dy trafikantëve të drogës, pasi gjykatësin e kishte zënë gjumi rregullisht, ndërsa ata gjykoheshin. Gjykata dëgjoi se Ian Dodd kishte fjetur për një periudhë deri në 20 minuta, disa herë kishte gërhitur dhe disa herë të tjera kishte parë ëndrra. Anëtarë të jurisë nuk e kishin mendjen dhe ndonjëherë bënin muhabet, ndonjëri prej tyre madje zgjidhte fjalëkryqe, ndërsa autoritetet e gjykatës bënin zhurmë duke hedhur dokumente në tokë, me qëllimin që të zgjonin gjykatësin e përgjumur. Dodd thotë se vuan nga një sëmundje gjumi dhe që pas incidentit të fundit vendosi të dalë në pension.

Gjermani
Udhëtari humbet në aeroport për një javë
Një udhëtar i hutuar grek humbi në një aeroport të vogël në Gjermani për një javë të tërë. Christianos Kaklamanis, 38-vjeçar, i cili u raportua i humbur në vendin e tij të lindjes, shëtiti nëpër aeroportin Hanover në Gjermani për shtatë ditë para se një agjent udhëtimesh ta vinte dhe të njoftonte policinë. Autoritetet e aeroportit, të cilët nisën hetimet për faktin se si pasagjeri mundi të “humbasë” për një javë, kontaktuan familjen e tij dhe e dërguan pushuesin përsëri në Athinë, Greqi. Agjenti i udhëtimeve thotë: “E pashë disa herë dhe në fillim mendova se ikte e vinte, por pastaj kuptova se kishte qëndruar atje gjatë gjithë kohës”.

Komente: