Dokumenti sekret i 9 Janarit, Marina: Gomonia e humbur? E pame me 8 të mbytur
18 March, 2009 nga InXhiNieR
Postuar ne kategorine Emigracion
Në operacionin për shpëtimin nga vdekja të klandestinëve nga qarku i Shkodrës, më 9 janar 2004, strukturat përkatëse të shtetit nuk vepruan megjithëse ligji i detyron të planifikojnë dhe zbatojnë operacione shpëtimi në të tilla raste. Ndërkohë, pas tragjedisë, e cila u mori jetën 27 personave, janë kryer veprime për të fshehur të vërtetën dhe jo për ta zbardhur atë.
Në vijim, pas dëshmisë së publikuar para pak ditësh në GSH, të Sokol Bizhgës, zbardhen edhe dëshmitë e 3 oficerëve të Marinës Detare Shqiptare; Ilir Manco, Artur Meçollari dhe Subi Zeneli.
Sipas dëshmive që do të vijnë të plota në këtë rrëfim në tre personave të flotës detare shqiptare, ka një lloj mbulimi të së vërtetës nga ana e strukturave përgjegjëse shtetërore të kohës, madje edhe ish-presidenti ka heshtur përballë një situate të tillë.
Duke iu rikthyer misterit të 9 dhe 10 janarit 2004, Mhillaj vazhdon të insistojë në dyshimin se shteti fshehu trupat e 8 personave që u deklaruan të humbur. Gjallë apo vdekur, nëse ishin në momentin kur ata nuk u panë më në natën fatale të 9 janarit 2004.
DESHMIA NE PROKURORI E 3 OFICEREVE TE FLOTES DETARE
-Në orën 19.40, anija “OGI” e D2D (Distrikti i 2-të Detar) u njoftua nga Policia e rendit në Vlorë se në Travese ndodhje një objekt i vogël që rrezikon të mbytet dhe kërkon ndihmë. Pas një minute u njoftua për këtë gjë edhe SHSH (Shefi i Shërbimit) D2D. Menjëherë ky i fundit komunikoi me Zyrën Operacionale të Rendit në Vlorë duke i kërkuar numrin e telefonit të atij që njoftoi.
-Në orën 19.45, kjo anije i kërkoi informacion palës italiane në Sazan mbi këtë të dhënë.
-Në orën 19.47, Zyra Operacionale në Vlorë iu përgjigj duke dhënë numrin 0692250449 si dhe duke i thënë se ishte në rrezik një gomone në perëndim të vendit të quajtur Rrugët e Bardha.
-Menjëherë SH.SH i D2D, nga telefoni fiks me numër 03324833 foli me numrin 0692250449. Personi në telefon e informoi se ndodheshin në veri-perëndim të Rrugëve të Bardha, u ishin fikur motorët dhe po prisnin ndihmë. Shefi i Shërbimit i D2D, iu përgjigj se një anije ishte nisur në drejtim të tyre dhe të ruanin gjakftohtësinë. Në telefon dëgjoheshin të thirrura njerëzish dhe zhurma e dallgëve të detit.
-Në orën 19.49, SHSH i D2D komunikoi situatën Komandantit të FD (Flotës Detare) i cili nga ana e tij dha urdhër për nisje anijes së gatshme R-224. Kjo anije ndodhej në Sazan dhe iu saktësua vendndodhja e gomones së rrezikuar. Po ashtu u njoftua edhe pala italiane në Sazan.
-Në orën 20.00 anija R-224 doli nga baza e Sazanit. 10 minuta më vonë doli edhe një anije e Guardia di Financa Italiane GF 1687…
Në orën 20.35 anija R-224 njoftoi se ka shumë det dhe nuk mund ta vazhdojë detyrën.
Po në këtë orë iu dha urdhër që të nisej një automjet për të shkuar afër bregut ku ndodhej gomonia e mbytur për t’i mundësuar ndihmë.
Në 20.40, anija R-215 del nga baza e Pashalimanit në zbatim të urdhrit për të vijuar detyrën e shpëtimit.
Në orën 22.20 njoftohet se deti është 5 ballë.
Në orën 22.40 njoftohet nga Ksamili se një anije greke luftarake e pajisur me një prozhektor të fuqishëm doli nga Korfuzi dhe po lundron drejt Veriut.
Në orën 22.50 u raportua se një helikopter po fluturonte nga Jugu në Veri.
Në orën 23.25 Kapiteneria e Vlorës njofton se anija greke u tërhoq nga operacioni i kërkimit për shkak të kohës së keqe. Ndërkohë, as anija R-215 nuk përgjigjej.
Në orën 24.00 i jepet urdhër anijes R-224 për t’u kthyer në bazën e Sazanit.
Në orën 01.30, R-215 njofton se ndodhet në Jug të Gjirit të Gramës dhe se kishte gjithsej 1 mijë e 700 litra karburant. Kjo anije vazhdon kërkimin dhe vijoi duke raportuar se anija italiane ka një orë që është larguar për në Veri. Kërkesa e R-215 për t’u kthyer në bazë refuzohet nga OGI e D2D, e cila e urdhëron që të vazhdojë kërkimin.
Në orën 03.00 i jepet urdhër anijes R-215 që të kthehet në bazë.
Në orën 04.45 vazhdon furnizimi i motovedetave 216 dhe 217 me karburant. Pas një ore të dyja këto motovedeta dalin nga baza e Pashalimanit në zbatim të detyrës.
Në orën 06.35 këto dy motovedeta njoftojnë se ndodhen në Kepin e Gjuzës dhe për shkak të detit 5 ballë dhe furtunës nuk lundrojnë dot. Përveç kësaj, në Gjirin e Dafinës ku u dhanë edhe koordinatat e gomones, ka shumë shkarkime atmosferike.
Në orën 07.15 minuta anijet R-216 dhe R-217 raportojnë se kanë arritur në Gjirin e Dafinës ku ka shumë shkarkime atmosferike. Po kështu, në këtë zonë po fluturon edhe një helikopter.
Në orën 08.10, dy anijet, R-216 dhe R-217 ndodhen në Gjirin e Gramës.
Në orën 08.35 anija OGI jep koordinatat e gomones së mbytur, e cila ndodhej në kuadratin 40 14 V – 19 17 V, dhe informacionin se në gomone janë 8 njerëz. Nuk specifikohet nëse janë gjallë, apo jo. (Pikërisht për fatin e kësaj gomoneje nuk jepen shpjegime të mëtejshme as edhe në këto dëshmi, ndërkohë që përshkruhet vetëm itinerari i anijes italiane, e cila gjeti gomonen tjetër).
Në orën 09.15 motovedeta R-217 njofton se në Gjirin e Gramës ndodhen 15 persona në tokë. Ky njoftim iu dha Flotës Detare.
Në orën 09.17, OGI i jep urdhër motovedetës R-217 që të vazhdojë detyrën drejt rajonit të Shën Ndreut.
Në orën 09.40, motovedeta R-215 njofton se anija italiane GK-407 ka gjetur një gomone me njerëz. Por nuk dihet numri i personave të gjallë dhe atyre të vdekur.
Në orën 10.35 i jepet urdhër motovedetës R-215 që të shoqërojë anijen italiane që gjeti gomonen, sepse aty i kishin marrë edhe njerëzit e gjetur në gomone.
Në orën 10.45 Shefi i Shtabit të Përgjithshëm urdhëron dy motovedetat R-216 dhe R-217 që të vazhdojnë kontrollin në rajonin e dhënë dhe bashkë me to të shkojnë edhe Dragamina 111.
Në orën 10.55 njoftohet se në anijen italiane CP-407 janë transportuar personat e mbijetuar dhe se anija GK-225 tërheq gomonen me kufoma.
Në orën 11.10, anija OGI e Flotës Detare i jep urdhër ambulancës që të shkojë në molin e Vlorës për të transportuar njerëzit që janë gjallë drejt spitalit. Të vdekurit do të transportohen për në Sazan dhe ata do t’i marrë motovedeta R-215 për në Vlorë. Do të vijë me helikopter Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i Flotës Detare.
Në orën 16.15, motovedetat R-216 dhe R-215 dalin nga baza e Sazanit me gjithsej 20 trupat e mbytur dhe pas një ore mbërrijnë në molin e Vlorës.”
Kapiten i Rangut të Dytë Ilir Manco, Komandant i Distriktit të Dytë Detar.
Kapiten i Rangut të Dytë Artur Mecollari, Shef i Shtabit të Distriktit të Dytë Detar.
Kapiten i Rangut të Dytë Subi Zeneli, Shef Operacional i Stervitjes


Komente: