Emigrantët, të harruar nga nëna, të shpërfillur nga njerka

June 22, 2009 nga N.Papa  
postuar ne kategorine Lajme nga Greqia

Këto ditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon një fushatë publicitare, me qëllim që të bindë qytetarët që të marrin pjesë masivisht në procesin e votimit për zgjedhjet e 28 Qershorit.

Nisur nga fakti se në Greqi ndodhet një pjesë e konsiderueshme e elektoratit potencial, iu drejtuam KQZ-së, me kërkesën që fushata e saj publicitare të shtrihej edhe në gazetat në gjuhën shqipe që botohen në Greqi, Itali e Angli. Përgjigjja që morëm ishte se KQZ e kishte të ndaluar të zhvillonte fushatë publicitare jashtë territorit të Shqipërisë.

Pa vënë në diskutim vërtetësinë e këtij argumenti, që ndoshta buron në statusin ligjor të funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lejohem të them se kjo “barrierë”, për mos ta shtrirë spektrin e informimit zyrtar për një ngjarje kaq të rëndësishme si zgjedhjet e përgjithshme, për mos ta shtrirë pra spektrin e informimit për qytetarët shqiptarë edhe jashtë Shqipërisë, dëshmon se sa të interesuar janë shteti dhe politika shqiptare për emigrantët e vet që ndodhen jashtë atdheut.

Sigurisht, rasti i KQZ që po i referohem dhe u bë shkas për këtë shkrim, lidhet më së shumti me periudhën aktuale parazgjedhore. Sepse, siç do të mundohem të argumentoj më poshtë, për emigrantët shqiptarë, sidomos të Greqisë, ka një harresë totale, jo vetëm prej shtetit e politikës, por edhe nga mediat, shoqëria civile e gjithë segmentet e tjera që përbëjnë jetën normale të një shteti bashkëkohor.

Në harresën e nënës

Sekush prej nesh duhet ta ketë ndjerë më shumë se një herë që ne, emigrantët shqiptarë në Greqi, përfaqësojmë për bashkëqytetarët tanë në atdhe, një “target grup”, një grup interesi të kategorisë së dytë. Që në rastin më të keq jemi “të shitur te greku”, e në rastin më të mirë, jemi një turmë skllevërish apo bujqrobërisht që vegjetojmë pa integritet e pa dinjitet në këtë vend ku na hodhi fati.

Shprehje e këtij mentaliteti është fakti i mospërfshirjes së të drejtës së votës të emigrantëve në Kodin e Ri Zgjedhor që dy partitë e mëdha e miratuan me konsensus vitin e kaluar.

Shprehje e këtij mentaliteti është detyrimi i pagesës së taksës komunale nga emigrantët (kur duhet të marrin një çertifikatë), edhe pse institucionet bankare pohojnë vazhdimisht se kontributet vetiake të emigrantëve janë vendimtare për mbijetesën e një të tretës së familjeve në Shqipëri. E nga ky kontribut shteti “vjel” në mënyrë indirekte përfitime më të mëdha se sa ai 4 mijëshi i taksës bashkiake…

Shprehje e këtij mentaliteti është mungesa e një institucioni, e një agjencie shtetërore që do të merrej eksluzivisht me çështjet e emigracionit shqiptar në botë, që për vet faktin e volumit të madh, është një faktor tejet i rëndësishëm për jetën e të gjithë vendit. Në të vërtetë, funksionon Instituti i Diasporës dhe drejtuesi i tij ka bërë gjatë këtyre viteve të fundit përpjekje të lavdërueshme. Por tagri i Institutit dhe i drejtorit të tij është tepër i kufizuar për të përligjur interesimin e shtetit.

Shprehje e këtij mentaliteti është përjashtimi i përfaqësive diplomatike nga prodhimi i pasaportave të reja dhe i kartave të identitetit. Pavarësisht garancive që pat dhënë ministri i brendshëm në një intervistë për Tribunën, se emigrantët kur të shkojnë në atdhe për pushimet e verës, do të kenë trajtim prioritar, përvoja e deritanishme ka treguar se kjo do të jetë e paaritshme. Ka gati 6 muaj dhe nuk janë pajisur me karta gjithë qytetarët shqiptarë në Shqipëri, si do të arrihet që një milion e ca emigrantë t’i marrin kartat brenda një muaji?…

Ndokush mund të më kundërshtojë e të më thotë se ja, dy partitë më të mëdha, ajo Demokratike dhe ajo Socialiste kanë krijuar degët e tyre në Greqi dhe ky mund të jetë shprehje e interesimit të drejtpërdrejtë të politikës shqiptare për emigrantët. Sigurisht që nuk është kështu. Drejtuesit dhe aktivistët e këtyre degëve mund të bëjnë vërtet një punë shumë të mirë, por kjo punë është e bazuar vetëm në kontributet njerëzore e financiare të vetë atyre, dhe të “dërguarit nga qendra” vijnë rrallë e për mall e kryesisht në kohë fushate, siç po ndodh tani.

Por nuk është vetëm politika dhe shteti që kanë këtë mentalitet për emigrantët. Media, që është një pushtet i fuqishëm, për faktin e thjeshtë se krijon opinione, i bën emigrantët protagonistë vetëm në kronikën e zezë, kush u vra e kush u kap me drogë. Përgjithësisht, shembujt pozitivë të integrimit, konsumohen vetëm me të ashtuquajturit “VIP”-a, kryesisht artistë, ndërsa harrohet, ose nuk dihet, se janë me mijëra emigrantët shqiptarë nëpër botë që duke sfiduar kushtet e vështira të të jetuarit në dhe të huaj, jo thjesht janë integruar, por në shumë raste janë shndrruar në pika referimi për komunitetin vendas.

Dhe tani vimë te njerka

“Njerka”, besoj kushdo e merr mend se cila është: është vendi pritës i emigrantëve, në rastin konkret Greqia.

Nuk duhet shumë mund për të argumentuar shpërfilljen e “njerkës” ndaj emigrantëve shqiptarë të cilët, përveçse përbëjnë komunitetin më të madh e më energjik në këtë vend, kanë dhënë një kontribut po aq të madh në zhvillimin e këtij vendi, kontribut që ngandonjëherë është pranuar edhe nga politika zyrtare, dhe është cilësuar nga ekspertët si vendimtar.

Por këta kontributorë kaq të rëndësishëm, për nga trajtimi që u bëjnë autoritetet shtetërore, janë të barabartë vetëm me qytetarët vendas të kategorisë së dytë, me minoritetet sociale dhe ekonomike. Dhe çështja nuk qëndron thjesht tek sorrollatjet tashmë folklorike për lejen e qëndrimit. Çështja është tek mentaliteti shpërfillës, që injoron në radhë të parë kontributin e madh që kanë dhënë e japin emigrantët. Pa të cilin kontribut, – nuk ekzagjerojmë aspak -, vendi ndoshta nuk do të kishte hyrë në zonën e euros dhe kriza ekonomike në Greqi do të kishte shpërthyer portën shumë kohë më përpara.

E keqja me gjithë qeveritë greke, që nga 1991 e deri më sot, është se vazhdimisht i kanë konsideruar emigrantët ekonomikë e së pari ata shqiptarë, si një “të keqe apo të mirë të përkohshme”. Dhe, ndonëse kanë kaluar gati 20 vjet nga prania e tyre në Greqi, ata vazhdojnë të konsiderohen si të përkohshëm, edhe pse shumë prej tyre, kanë vendosur të qëndrojnë përgjithmonë këtu, kanë blerë shtëpi e krijuar biznese, ndërsa fëmijtë e tyre, gjithashtu të lindur e të rritur këtu, nuk njohin – që të përmendim një shprehje të preferuar të opozitës së majtë greke, nuk njohin pra, “atdhe tjetër përveç Greqisë”.

E megjithatë, siç e kemi vënë në dukje edhe herë të tjera, ligji i ri për emigracionin, i miratuar disa vite më parë e që sipas hartuesve “është më i miri në Europë”, në pjesën më të madhe të tij meret me emigrantët që eventualisht do të vijnë në Greqi, e jo me ata që faktikisht janë “ngulitur” prej disa vitesh në Greqi e që siç thamë, kanë vendosur që të heshin rrënjë në tokën helene.

Disa muaj më parë, ministria e brendshme publikoi planin e veprimit për integrimin social të emigrantëve, me vlerë 16 milionë euro. Nuk po merremi me shumën, e cila është minimale dhe nuk përfaqëson aspak kontributin total, edhe financiar të emigrantëve. Por në të nuk gjen asnjë zë që të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me integrimin. Bie fjala, një prej veprimtarive që do të realizohen në kuadër të këtij plani, është seminari njëditor me gazetarët grekë, për t’i instruktuar këta se si të luftojnë racizmin dhe ksenofobinë në shkrimet e tyre. (Kujtojmë se çdo kod gazetarie, edhe në vendin më të prapambetur të botës, ka në përmbajtje të tij ndalimin e shkrimeve raciste dhe ksenofobe). Për “t’i mësuar” gazetarët se si të bëjnë punën e tyre, plani ka parashikuar një shumë prej 80 mijë eurosh për seminarin në fjalë

Ka një Institut të Politikës së Emigracionit në Greqi, i cili duhet thënë se ka bërë një punë shumë të mirë, në rast se e krahasojmë me inekzistencën e këtij instituti në kohën e qeverisjes së PASOK-ut. Buxheti i Institutit bazohet në përqindjen që i jep shteti nga pagesa (parovolot) e emigrantëve për lejen e qëndrimit. Mirëpo, kur Instituti don të reklamojë punën e tij, gazetave të emigrantëve u jep gjysmë faqe reklamë, ndërsa gazetave greke nga një faqe. Ose, kur organizohen (aq pak sa organizohen) veprimtari për emigrantët nga institucionet shtetërore greke, këto reklamohen vetëm në gazetat greke, a thua se ftohen vendasit që t’i ndjekin këto veprimtari drejtuar emigrantëve. Është e kuptueshme se, më shumë nga informimi i emigrantëve, këto institucione janë të intersuara që t’u japin ca para gazetave vendase, me qëllim që “t’i kenë punët mirë” me to.

Vazhdojmë më tej. Televizioni shtetëror grek ka tre kanale analogjike, për të cilat rreth 500 mijë familje shqiptare paguajnë çdo dy muaj taksën përkatëse. Mirëpo, sa herë keni parë në ekranet e këtyre televizioneve një emision kushtuar emigrantëve. Me përjashtim të rasteve kur emigrantët janë protagonistë të kronikës së zezë, apo “rebelohet” ndonjë lagje apo katund kundër emigrantëve, as edhe një herë tjetër. Për të mos kërkuar “qiqra në hell”, si puna e një emisioni të posaçëm në gjuhët e komuniteteve kryesore të emigrantëve… Kishte dikur, në fillim të viteve 2000 dy emisione në ET-3, në gjuhën shqipe dhe ruse, por jeta e këtyre emisioneve ishte shumë e shkurtër, ashtu si dhe vizioni i shtetit dhe politikës greke për emigracionin.

Ndokush mund të më kundërshtojë, me shembullin e bashkisë së Athinës dhe radios 104, 4, që transmeton emisione në 13 gjuhë, e që përgjithësisht përgatiten nga vetë emigrantët. Por ajo radio funksionon me fondet e një bashkie të vetme, dhe buxheti i shtetit, ku kontribuojnë jashtëzakonisht edhe emigrantët, nuk jep asnjë kacidhe…

Reagimi i emigrantëve

Që t’i kthehemi prapë fillimit, “harresës nga nëna” dhe zgjedhjeve të 28 qershorit, një pyetje që shtrohet është se çfarë do të bëjnë emigrantët, do të shkojnë apo jo që të votojnë për këto zgjedhje. Në kohën që mëmëdheu po “zihet e po grihet” për çështjen e kartave të identitetit, emigrantët kanë një favor: ata përfaqësojnë më shumë se sa numri i votuesve të regjistruar në Shqipëri, që më 28 qershor nuk do të mund të votojnë, për arsye se nuk do të jenë pajisur me letërnjoftim. Ndërsa emigrantët kanë që të gjithë pasaportë, e mund të marrin pjesë normalisht në votim.

Pa ndërhyrë në bindjet dhe preferencat politike të secilit, mendoj se kushdo që ka mundësi dhe ia lejojnë kushtet aktuale, duhet të shkojë e të votojë, aq më tepër tani që qeveria greke e dha lejen për kalim të dyfishtë, pra kushdo që nuk ka marrë lejen e qëndrimit, mund të shkojë dy herë në Shqipëri e të kthehet pa problem.

Të dy partitë e mëdha, (bashkë me to dhe LSI), në kërkim të fitores që do t’u japë pushtetin, theksojnë se këto zgjedhje janë historike e shumë të rëndësishme. Personalisht mendoj se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë historike e të rëndësishme, vetëm nëse në to marrin pjesë masivisht emigrantët. Pjesëmarrja e tyre do të jetë e rëndësishme, pse do të luajë rolin vendimtar në rezultatin e zgjedhjeve. Me pjesëmarrjen e tyre, emigrantët do t’i tregojnë “nënës dhe bijve plangprishës” të saj, se ata (emigrantët), janë faktori vendimtar, jo vetëm në ekonomi, por edhe në politikë. Nuk ka rëndësi se për kë do të jepet vota, e rëndësishme është që të shkojmë të gjithë, si një trup i vetëm, me krenari e, në daçi, me tangarllëk. Që edhe pse nëna insiston në harresën e vet, ne ta theksojmë me forcë praninë tonë.

Nëse ndodh kjo, pra nëse marrim pjesë masivisht në zgjedhje, të jeni të sigurt që do të ndryshojë edhe ai mentalitet i mbrapshtë që kanë krijuar për ne bashkatdhetarët tanë, si ata që kanë apo kanë pasur pushtetin, edhe ata që kanë vetëm “çelësat e kashtës”.

Robert Goro

E Hene, 22 Qershor 2009

Vendoseni kte artikull :
  • Facebook
  • Digg
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Print
  • StumbleUpon
  • TwitThis
  • Google Bookmarks
  • MSN Reporter
  • Reddit
  • RSS
  • Twitter
  • Yahoo! Bookmarks

Komente

One Response to “Emigrantët, të harruar nga nëna, të shpërfillur nga njerka”

  1. Emigrantët, të harruar nga nëna, të shpërfillur nga njerka - TOPALBANIA.INFO on June 23rd, 2009 12:30 am

    [...] Emigrantët, të harruar nga nëna, të shpërfillur nga njerka Etiketat : alban-skenderaj , anton-berishaj , emigrantet , emigrantt , humor , lajme nga greqia , shqip , shrbime-grafike , t-harruar-nga-nna Nuk ka komente aktualisht… [...]

Jep dhe ti mendimin tend duke shkruar nje koment...