Femrat që rrezikojnë të preken nga kanceri i gjirit
Autoritet shëndetësore botërore raportojnë për shtim numrit të pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit. Specialistët japin këshilla për parandalimin e sëmundjes dhe mënyrën se si mund të dallohet sëmundja në fazat e para të ekspozimit të saj. Në ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit të Gjirit, Ministria e Shëndetësisë kërkon të sensibilizojë opinionin për mënyrat e parandalimit të kancerit të gjirit nëpërmjet kryerjes së vizitave në kohë. Ndërsa nga të dhënat e OBSH-së bëhet e ditur se çdo vit, rreth 185.000 gra në Evropë preken nga kanceri i gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njëra do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Sipas saj, kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve tek gratë, sidomos tek ato mbi 35 vjeç.
Ndërsa në vendin tonë kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh tek femrat. Ai përbën 25.6% të tumoreve malinje që prekin femrat sot dhe zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve të femrave. Prej kancerit të gjirit preken çdo vit rreth 350-400 gra.
Specialistët sqarojnë se kanceri i gjirit mund të kurohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Kanceri i gjirit mund të mjekohet me sukses nëse pacientet e zbulojnë në kohë atë. Por, të gjitha gratë mund ta dallojnë vetë atë, duke parë ndryshimin e gjirit, nëpërmjet prekjes, apo nga dhimbja që mund të ndjejnë.
Kontrolli
Të gjitha femrat mund të dallojnë sëmundjen nëpërmjet prekjes së herëpashershme të gjinjve duke vënë re dallimet që mund të pësojnë. Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet duke filluar nga mosha 20 vjeç pavarësisht se gjinjtë mund të jenë normal. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, 7 deri në 10 ditë pas kalimit të periodave, mbasi gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund të të ngatërrojnë. Në periudhën e menopauzës (mbarimit të periodave), vetëkontrolli
i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji, me qëllim që të jetë më të lehtë për tu kujtuar.
Box
Janë disa mënyra për të zbuluar kancerin e gjirit:
Vetëkontrolli mujor i gjirit
Kontrolli i gjirit tek mjeku
Mamografia
Ekografia e gjirit
Si bëhet vetë-kontrolli i gjirit
Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart në ije. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën,formën apo madhësinë e gjinjve?
Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?
Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosini duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas. Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakonshëm në ngjyrën, formën ose në madhësinë e gjinjve?
Kontrolloni me majat e gishtërinjve të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtërinjve gishtat e dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?
Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë. Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?
Vetë kontrollin e gjinjve mund ta bëni edhe kur jeni duke bërë dush apo kur jeni duke ndenjur shtrirë.
Përpiquni ta bëni zakon bërjen e vetë ekzaminimit të gjirit 1 herë në muaj!


Komente
Jep dhe ti mendimin tend duke shkruar nje koment...