Gerdeci pas 1 viti, marshimi i madh me flamurin kuq e zi. Drejt sheshit Nene Tereza

16 March, 2009 nga InXhiNieR  
Postuar ne kategorine Informacion

TIRANË- Ndalesa e fundit e manifestimit të gjatë të nisur që në mesditë në Gërdec, është selia e kryeministrisë, ku kanë qëndruar protestuesit së bashku me flamurin gjigant kuq e zi, me mbishkrimin “Ndryshimi”. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në fjalën e tij para manifestuesve ka kujtuar arsyen e mbledhjes së bashku në këtë tubim paqësor, duke garantuar ndryshimin që do të vijë nga qeverisja e re.
“Ne jemi këtu se disa nga ne nuk janë më, sepse një vit më parë disa si ne humbën jetën, të tjerë u gjymtuan, të tjerë u shkatërruan në prona. Shqipëria u lëkund prej shpërthimit vullkanik të korrupsionit dhe mbarë bota u trondit nga shpërthimi”- e nisi fjalën e tij lideri i opozitës.
Ai ka theksuar se shqiptarët janë bashkë sot, për të mos harruar historinë. “Jemi këtu për të mos harruar historinë që mos të përsëritet, për të mos harruar të djeshmen që të sigurojmë të ardhmen, për të mos harruar ata që ikën që të mbrojmë ata që do të vijnë”- tha më tej ai.
Një popull nën të njëjtin flamur dhe që ecin mbi të njëjtën tokë, Shqipërinë, i ka quajtur Rama qindra të pranishmit në protestë, të bërë bashkë për të dëshmuar vullnetin e madh për bashkim e ndryshim. “Bashkë në një ditë si kjo kur edhe njëherë tjetër politika e vjetër me shëmbëlltyrën në qeveri apo opozitën e opozitës treguan shurdhërinë, cinizmin përpara aspiratës së përbashkët për një Shqipëri si gjithë Evropa”- shtoi ai.
Gjuhët e vjetra, sipas Ramës nuk sjellin asgjë të re. Megjithatë, kryesocialisti ka pranuar sërish të mos i përgjigjet baltës me baltë e mllefit me mllef, ndërsa ka bërë thirrje për të hapur krahët e dashurisë për të gjithë ata që duan një Shqipëri si Evropa.
Rama ka garantuar se socialistët do të garantojnë ndryshimin e një epoke me një tjetër përmes një politike të re që nuk jeton për të përbaltur kundërshtarin, por për të nxjerrë Shqipërinë nga balta e shkatërrimit ku e ka zhytur politika e vjetër.

18.10
Gërdeci, protestë në sheshin ‘Skënderbej’: Mos harro!

TIRANË- Nis protesta paqësore në kujtim të një vjetorit të tragjedisë së Gërdecit në sheshin “Skënderbej”. Pas një rruge të gjatë të bërë në këmbë me stafetën e flamurit gjigant në shesh përfaqësuesit e shoqatave që kanë marrë pjesë në tubim po mbajën fjalën e rastit.

I pari që ka folur në tribunën e improvizuar ka qenë kryetari i Shoqatës Gërdeci, Gëzim Gjoni, i cili ka falenderuar pjesëmarrësit në këtë tubim.
“Ka 26 arsye që ne nuk do të harrojmë këtë ngjarje”- ka thënë ai, duke numëruar me radhë emrat e të vdekurve në tragjedinë e Gërdecit.
Fëmijët e vdekur në këtë tragjedi, ka thënë ai, nuk janë më pak të rëndësishëm se privilegjet e ndonjë politikani që nuk shqetësohet aspak për sa ka ndodhur.
“Vetëm kur drejtësia të vihet në vend, shoqëria jonë do të jetojë pa barrën e kësaj gjakderdhjeje. Jemi bashkë me shumë se kurrë për t’i thënë ‘PO’ ndryshimit tonë”- tha ai.

Përfaqësuesi i ish Ushtarakëve, e ka quajtur mbledhjen së bashku në këtë tubim për të larguar politikën e vjetër. “Politikë që për të mbushur xhepat e fëmijëve të tyre lanë pa prindër fëmijët e Gërdecit, Poliçanit, Dhëmblanit. Por ne me votën tonë do të bëjmë ndarjen nga e kaluara e hidhur duke realizuar një të ardhme për të gjithë. Gërdeci do të përkujtohet si dita e kujtesës së madhe që ngjarje të tilla mos të përsëriten më, si dita e holokaustit shqiptar ku shteti vrau shtetasit e vet”- tha ai.

Të papranueshme dhe të patolerueshme e ka quajtur përfaqësuesja e konferedatës së sindikatave të Shqipërisë, faktin që një vit pas tragjedisë nuk ka asnjë fajtor të vetëm.
“Drejtësia po punon dhe politikanët që shkaktuan vrasje masive bëjnë demagogji”- tha ajo, duke kërkuar ndryshim.

Përfaqësuesi i minatorëve, Fiqiri Xibri ka deklaruar se janë mbledhur të gjithë bashkë në këtë shesh për të kujtuar, për të nderur, për të ndëshkuar dhe mbi të gjitha për të ndryshuar. “Të nderuar bashkëvuajtës, Berisha na futi në një thes, na bëri bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, kurse sot ne këtu, të gjithë shqiptarët janë vetëm bashkëvuajtës”- tha ai. “Ne i kujtojmë Berishës se Kodi i vdekjes është kodi që e respektojmë ne, por jo ai dhe qeveria e tij. Ai kod na ka sjellë ne sot këtu që nga Gërdeci”- tha Xibri.

Kreu i PDS-së, Paskal Milo ka bërë thirrje për bashkim në emër të ndryshimit. Ai ka theksuar se në pushtet ka banda politike mafioze, ndërkohë që e ka quajtur Gërdecin një plagë të hapur të shoqërisë shqiptare që pret të mbyllet me vendosjen e drejtësisë në vend. “Motoja është mos harrojmë”- tha ai.

Pas tij, fjalën e ka marrë kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, që e ka nisur fjalën me denoncimin e shkaktarit të vërtetë të tragjedisë, Sali Berishën. “Jemi për t’u bashkuar dhe fituar në zgjedhje që mos ndodhin Gërdec të tjerë. Vetëm vota juaj e ndalë këtë qeverisje të mbrapshtë. Atje nuk plasën depot e armëve, por ato të korrupsionit qeveritar. Ata treguan se jeta e njeriut kushton më pak se pushteti i Saliut. Duam drejtësi dhe duam të vendoset drejtësia”- tha ai, duke ironizuar për antimitingun e LSI-së, që sipas Gjinushit është organizuar nga Berisha.

Gërdeci, protestuesit me flamurin gjigant mbërrijnë në Tiranë

TIRANË- Pas një rrugë të gjatë, nisur në mesditë në fshatin Gërdec, karvani me manifestuesit mbërrin në Tiranë. Në sheshin e “Zogut të Zi”, u duk flamuri gjigant i mbajtur në krahë nga qindra mbështetësit e protestës përkujtimore të një vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, që mori 26 jetë të pafajshme, lëndoi 300 të tjerë dhe shkatërroi dhjetëra banesa. Në flamurin kuq e zi, shkruhet me germa të bardha “Ndryshimi”, aty ku besojnë aq fort ata që i janë bashkuar sot këtij tubimi paqësor.
Në protestën e nisur prej vendit të shpërthimit, kanë marrë pjesë Sindikatat e Minatorëve, Shoqatat e Grave, emigrantët, qytetarë të thjeshtë, të cilët kanë udhëtuar bashkë me flamurin për kilometra me radhë, nisur që pas orës 12,30, p?7r të mbërritut tanimë në sheshin “Skënderbej”.

14.30
Gërdeci, marshim me flamurin gjigand drejt Tiranës

GËRDEC- Pasi kanë lënë zonën ku ndodhi shpërthimi, manifestuesit vazhdojnë rrugën në heshtje për t’iu drejtuar Tiranës. Tubimi do të përfundojë në sheshin “Skenderbej”, në orën 18.00, ndërkohë që gjatë rrugës në formë stafete, flamuri gjigand kuz e zi do të kalojë dore me dore nga banorët, minatorët, veteranët, ish-ushtarakët, grupimi i vullnetarëve për ndryshim dhe shumë grupime të tjera që janë bërë bashkë në këtë ditë.

Ceremonia për përkujtimin e një vjetorit të tragjedisë që mori jetën e 26 personave, plagosi 300 të tjerë dhe shkatërroi qindra shtëpi, nisi në orën 12.00. Ashtu si ishte lajmëruar në axhendën e manifestimit paqësor, tubimi ka nisur që nga fshati që një vit më parë u trondit nga shpërthimi vrastar.

Familjarë të mbijetuar të viktimave janë pjesë e ceremonisë. Ata i janë drejtuar me dhimbje kraterit të shpërthimit për të zhvilluar homazhe, në largësinë që është përcaktuar që më parë. Në një marshim, që shoqërohet me një muzike funebre, qindra vetë në një radhë të heshtur i drejtohen vatrës së shpërthimit, aty ku një vit më parë, në një njëjtën orë humbën jetën të dashurit e tyre.

Në ceremoni është i pranishëm edhe lideri i opozitës, Edi Rama, shoqëruar nga djali i tij, Gregori që në heshtje i janë drejtuar së bashku me të tjerët vendit të përcaktuar për ndalesën e ceremonisë. Asnjë deklaratë politike, vetëm një thirrje për një minutë heshtje dhe më pas tinguj violine, në përkujtim të atyre që mbetën viktima të shpërthimit.

Për të ndarë dhembjen me familjarët dhe të afërmit dhe për të përkujtuar viktimat janë të pranishëm edhe liderë të partive politike, si Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Erjon Veliaj. Por, asnjë deklaratë politike, vetëm heshtje, lule dhe qirinj në nder të atyre që humbën jetën.

Më pas, aktorja Luiza Xhuvani, e veshur në zi ka recituar një poezi dhimbjeje në kujtim të tragjedisë. Pas kësaj, krerët e partive dhe politikanët e pranishëm kanë vendosur kurora dhe lule në vendin e përcaktuar, të pasuar nga familjarët, të afërmit dhe gjithë të tjerët që janë bërë sot, pjesë e këtij përkujtimi.

10.27
Tubimi për Gërdecin, itinerari që do ndiqet

TIRANË- Një vit plot nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë, si dhe u shkatërruan me qindra pasuri private dhe publike, drejtësia nuk është vendosur në vend, ndërsa opinioni publik nuk është i sigurt se të tilla ngjarje nuk do të ndodhin përsëri. Për këto arsye, opozita shqiptare, e kryesuar nga Partia Socialiste, ka ftuar sot në një tubim paqësor, pa flamujt e partive politike, qytetarët e Tiranës, për të protestuar për indiferencën që qeveria shqiptare ka treguar ndaj kësaj ngjarje. Por, nga ana tjetër, pothuajse për të njëjtat arsye ka vendosur të protestojë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, në një miting të vetin që do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” dhe për të vijuar më pas edhe para Kryeministrisë.
Gërdeci
Protesta e organizuar prej socialistëve dhe forcave të saj aleate, Partia Socalidemokrate, Demokracia Sociale dhe G99-a, si dhe grupet e ndryshme të interesit, siç janë shoqata “Gërdeci”, shoqata e Ushtarakëve në Rezervë, shoqata e Minatorëve, Shoqata e Veteranëve të Luftës Nacional-Çlirimtare, Konfederata e Sindikatave të Pavarura dhe Rrjeti i Vullnetarëve të Partisë Socialiste, do të nisë rreth orës 12 të drekës për të qenë së bashku në orën 12 e 20 minuta (ora e shpërthimit), rreth kraterit të shpërthimit, ku më parë gjendej reparti ushtarak, që përdorej nga kompania “AlbaDemil” për demontim armatimesh. Këtu janë programuar që pjesëmarrësit të bëjnë homazhe dhe të hedhin lule rreth zonës së ndaluar, që sot ruhet nga forcat ushtarake. Ndërkohë, është parashikuar që me anë të altoparlantëve të përçohet muzikë simfonike, e përshtatshme për një ceremoni funebre. Më pas është programuar që njerëzit të marshojnë në këmbë drejt Tiranës, ku 7 grupet e interesit do të zëvendësojnë njëri- tjetrin në formën e stafetës, ndërkohë që në duar, përveç flamujve kombëtarë dhe atij të BE-së, do të mbajnë dhe një flamur gjigant kuq e zi. Në vendin e quajtur Kthesa e Kamzës, është parashikuar që stafetën ta marrin anëtarët e Rrjetit të Vullnetarëve për Ndryshim, të cilët do të çojnë flamurin e madh në sheshin “Skënderbej”.
Mitingu
Në Sheshin “Skëndërbej”, në orën 18 është përcaktuar që të bëhet dhe mbledhja e gjithë qytetarëve, që pritet të vijnë jo vetëm nga Tirana, por edhe nga rrethet ku dhe do të zhvillohet mitingu. Këtu është parashikuar që krerët e forcave politike, shoqatave dhe sindikatave të mbajnë dhe nga një fjalim të shkurtër, ku do të përkujtojnë viktimat e 15 marsit dhe do të kërkojnë drejtësi për këtë ngjarje. Më pas është parashikuar që të zhvillohet dhe një parakalim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të ndaluar protestën e tyre para Kryeministrisë. Megjithatë, orari i lëvizjes së turmës drejt Kryeministrisë është lënë i papërcaktuar. Kjo për shkak se organizatorët kanë vendosur që të evitojnë çdo mundësi përplasjeje me protestuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët nga ana e tyre do ta fillojnë protestën në orën 17 pasdite. Në këtë kuadër, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, kanë marrë masat për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të këtyre dy protestave dhe, për këtë arsye, që nga ora 07.00′, deri në orën 20.00′, do të ndalojë parkimin e automjeteve në sheshin “Skënderbej”, sheshin “Nënë Tereza”, sheshin “Italia” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë që, nga ora 16.00′ deri në orën 20.00′ do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Nënë Tereza” deri në Urën e Dajtit dhe, nga ora 17.00′ deri më 20.00′, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Nënë Tereza”.

Vendoseni kte artikull :
  • Facebook
  • Digg
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Print
  • StumbleUpon
  • Google Bookmarks
  • MSN Reporter
  • Reddit
  • RSS
  • Twitter
  • Yahoo! Bookmarks

Komente: