Greqi : 50 mije te papune gjate 2009
13 January, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
ATHINE- Eshte nje nga skenarët më “optimistë” me të cilin do të përballet qeveria greke brenda vitit 2009, pas informacioneve tepër negative që vijnë nga Brukseli për parashikimin e ecurisë së ekonomisë greke në këtë vit. Do të jenë mbi gjysmë milion qytetarë grekë dhe emigrantë, të cilët do të gjenden në rrugë dhe këtu nuk përfshihen një numër i konsiderueshëm të punësuarish në bizneset e vogla, të atyre që sapo kanë mbaruar studimet, si dhe të brezit që mbush moshën e përshtatshme për të hyrë në tregun e punësimit. Sipas Shërbimit Statistik Europian për papunësinë, Greqia në tremujorin e tretë të 2008-ës shfaqi një ritëm zhvillimi prej vetëm 0.4%, ndaj 1.1% që ishte në tremujorin e mëparshëm. Sipas parashikimeve më të mira për 2009-ën, Greqia do të ketë një ritëm zhvillimi prej 1.5% ndaj 2.7% që parashikohet në projektbuxhetin e shtetit. Kështu, papunësia do të shënojë një rritje kolosale nga 7.2% në 9.2%. Parashikimet më të këqija për sektorët të cilët do të dëmtohen nga kriza ekonomike dhe si rrjedhojë aty do të shënohen edhe shifrat më të mëdha të të papunëve, janë sektori i turizmit; i marinës tregtare; i bujqësisë dhe i ndërtimit, sektorë ku punësohen me mijëra emigrantë të huaj dhe sidomos emigrantët shqiptarë. Për sa i përket sektorit të turizmit, një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë greke, pritet të ketë një rënie prej 30%-50%, gjë që do të ndikojë në uljen e çmimeve dhe ofertave. Kjo do të sjellë edhe paralelisht humbjen e vendit të punës për 50.000, nga rreth 400.000 të punësuar në këtë sektor, që përbën edhe 6.9% të dinamikës së përgjithshme të Greqisë. Në sektorin e ndërtimit parashikohet të ketë mijëra të papunë, për arsye të rënies në masën prej 17% të lejeve për ndërtime të reja në gjithë Greqinë, për vetë faktin se ka një rënie të theksuar të shitjeve të shtëpive si pasojë e krizës ekonomike. Në udhëkryq ndodhen edhe bujqit grekë, të cilët punësonin mijëra emigrantë shqiptarë sidomos në zonën e Larisës, Verias dhe Edesës, por edhe në rajonet e gadishullit të Peloponezit, të shkatërruara nga zjarret vrastare të verës së vitit 2007. Në qytetet e Verias dhe Edesës papunësia kap shifrat 25%, ndërsa në gjithë Greqinë e veriut statistikat e shtypit grek bëjnë fjalë për një papunësi të shkallës prej 15%. Është ndoshta një nga vitet më të vështira për shtetin grek dhe qeverinë e saporeformuar të kryeministrit Karamanlis, ndërsa opinioni publik vazhdon të jetë i zhgënjyer dhe pesimist për të ardhmen, e cila parashikohet e zymtë nga shumica e mediave greke.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)


Komente: