Greqi, 500 emigrantë jetojnë në një gjykatë të vjetër, pritet të dëbohen me forcë
9 May, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
• Rreth 500 emigrantë pa dokumenta në Greqi janë strehuar në një ndërtesë të vjetër të gjykatës së apelit në Athinë dhe jetojnë në kushte shumë të këqija sanitare. Pronarët e ndërtesës kërkojnë që emigrantët të dëbohen me forcë pasi do ta riparojnë dhe do ta japin me qera. Grupet humanitare japin alarmin për kushtet ku jetojnë emigrantët dhe i kërkojnë qeverisë ti sistemojë në një vend dinjitoz. 
ATHINE- Qindra emigrantë të paligjshëm kanë pushtuar një godinë të vjetër të një gjykate, duke krijuar një ‘geto’ në zemër të Athinës. Rreth 500 emigrantë të paligjshëm, kryesisht nga Azia e Lindja e Mesme ndodhen në këtë ndërtesë tetëkatëshe të mbyllur që në vitin 2000. Problem është fakti se pronarët e ndërtesës kanë vendosur ta riparojne dhe ta japin me qera dhe i kërkojnë autoriteteve të dëbojnë emigrantët prej andej.
Por emigrantët që nuk kanë dokumenta, refuzojnë të ikin nga nga kjo ndërtesë, pasi nuk kanë ku të shkojnë. Tashmë pritet të përdoret forca për t’i nxjerrë prej andej por grupet humanitare u bëjnë thirrje autoriteteve të mos i hedhin jashtë emigrantet si ‘plehra’.
Një punonjës ndihme, Thanasis Korukoulas thotë se duhet të zgjidhet më parë akomodomi i tyre, pra emigrantët të strehohen në një vend tjetër. Ata gjithashtu u kërkojnë autoriteteve t’u japin dokumente, që të punojne si gjithë emigrantët e tjerë dhe të jetojnë jetën e tyre, pa u bezdisur nga policia.
Por pronarët e ndërtesës kanë prerë ujin dhe energjinë elektrike, që emigrantët të largohen, kështu ata jetojnë në plehra dhe madje në jashëqitjet e tyre. Qeveria po studion planet për t’i transferuar në një bazë ushtarake të braktisur jashtë Athinës, por hasin në qëndresën e grupeve humanitare. Vitin e shkuar, të paktën 146 mijë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në Greqi dhe autoritetet nuk dinë ctë bëjnë me këtë fluks. Ekzistojnë disa streha por ato mund të nxënë vetëm dhjetë mijë emigrantë.
Teksa nuk gjejnë asnjë lloj ndihme nga shteti, pasi lejet e qëndrimit dhe dokumenetet e tjera zgjasin prej vitesh, emigrantet u kthehen krimeve, drogës e prostuticionit. Shpesh janë dhe viktimë e akteve raciste.
Greqia vazhdimisht është kritikuar për trajtimin ndaj emigrantëve, por ndërsa kriza ekonomike e ka goditur rëndë këtë vend, cështja e emigranteve është rënduar edhe më shumë.
(e.n/News24/BalkanWeb)


Komente: