Greqi, Emigrantet , depozita te sigurta

October 28, 2008 nga N.Papa  
postuar ne kategorine Lajme nga Greqia

ATHINE- Emigrantët shqiptarë që banojnë e punojnë në Greqi, madje edhe qytetarë të tjerë shqiptarë që vendosin depozitat e tyre në bankat, që operojnë në shtetin fqinj, nuk do të kenë një prekje të ndjeshme nga kriza e përgjithshme ekonomikë botërore, e cila ka filluar me sistemin bankar. Për sa u përket emigrantëve, ndërsa në gjithë Evropën paralajmërohet të ketë shkurtime masive të vendeve të punës (Francë, Britani, Itali), Greqia, si një vend, kryesisht, me industri të lehtë, që jeton me të ardhurat nga turizmi dhe bujqësia, do të ketë gjithnjë nevojë për krahë të lirë pune, qoftë kjo edhe punë sezonale. Megjithatë, pesimizmi i krijuar nga kriza, siç vlerësojnë analistët grekë, do të ketë, pa dyshim, pasoja negative dhe vendi do ta ëndërrojë të kishte edhe një herë ritmin e zhvillimit që pati Greqia në periudhën 2003-2004, para Lojërave Olimpike, vit i mbarë edhe për punësimin e mijëra emigrantëve, që ndërtuan veprat olimpike.
Për sa u përket depozitave të emigrantëve në bankat greke, qofshin ato të vogla apo të mëdha, pas përforcimit të fondit të tyre me ndihmën prej 28 miliardë eurosh, që shteti grek u ka akorduar këtyre bankave, vlerësohet se nuk ekziston rrezik real për humbjen e depozitave bankare të tyre. Kjo, edhe për faktin se tashmë është miratuar edhe një ligj, me nismën e qeverisë, sipas të cilit garantohen depozitat deri në shumën prej 100.000 eurosh për çdo depozitues, në rastin më të keq, të falimentimit të një banke.
Kriza
“Shok”, “e premtja e zezë”, “Vaterlo”: ishin disa nga shprehjet, me të cilat karakterizuan ditën e premte analistët grekë të ekonomisë. Pas panikut të madh, që mbizotëroi në gjithë tregjet financiare të botës, Bursa e Athinës pësoi humbjen më të madhe gjatë 19 viteve të fundit, duke u bërë të qartë edhe grekëve se Greqia nuk do të ngelej jashtë pasojave të krizës financiare mbarëbotërore. Siç bëhet e ditur nga mediat greke, treguesi i bursës ka humbur qysh prej fillimit të vitit 70% të vlerës së tij, pothuajse njësoj sa bursat në Rusi dhe në Rumani, ndërsa humbjet në bursat e tjera evropiane dhe ato botërore shkojnë deri tek 50%. Karakteristika kryesore ishte humbja e vlerës së shumë aksioneve të bankave greke, edhe për arsye se më shumë se gjysma e investuesve, që kanë blerë këto aksione, janë të huaj, të cilët, në kushtet e krijuara nga kriza ekonomike financiare botërore, kërkojnë të shesin, qoftë edhe me humbje, aksionet e tyre për arsye të mungesës së likuiditetit e të sigurisë së investimit. Ajo që shqetëson më shumë Greqinë janë parashikimet për uljen e ritmit të zhvillimit deri në shkallën vjetore 1,5%, që, si pasojë, do të sillte rritjen e papunësisë. Kështu, vlerësohet se brenda vitit 2009 numri i të papunëve në Greqi do të rritet me një shifër nga 50.000 në 100.000!

(s.g/BalkanWeb)

Vendoseni kte artikull :
  • Facebook
  • Digg
  • email
  • Live
  • MySpace
  • Print
  • StumbleUpon
  • TwitThis
  • Google Bookmarks
  • MSN Reporter
  • Reddit
  • RSS
  • Twitter
  • Yahoo! Bookmarks

Komente

Jep dhe ti mendimin tend duke shkruar nje koment...