Greqi, fermerët i japin fund protestës. Qeveria i dëmshpërblen
7 February, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
GREQI- I japin fund protestës së tyre fermerët grek, të cilët e kishin nisë këtë protestë për shkak të çmimeve të ulëta të produkteve të tyre. Ata i kanë dhënë fund kësaj proteste duke zhbllokuar kështu pikën kufitare me Bullgarinë. Ky zhbllokim ka ardhur pasi kërkesat e tyre për dëmshpërblim janë përmbushur nga ana e qeverisë, e cila i ka premtuae një shumë prej 500 milionë euro subvencione për produkte të tilla si vaji i ullirit dhe gruri.
Ndërkohë disa fermerë të tjerë vazhduan të mbanin të bllokuar pikën kufitare Promachonas në veri të Greqisë, pasi druheshin se qeveria nuk do të mbante premtimin.
“Afro 600 traktorë po largohen tani nga Promachonas, kufiri me Bullgarinë është i hapur”, deklaroi Pavlos Arabatzis, një përfaqësues i sindikatës së fermerëve.
“Ministri na tha se do të zgjidhë çështjet e mbetura në mënyrë që të marrim ndihma si fermerët e tjerë”, shtoi ai.
Pjesa më e madhe e sektorit bujqësor në Greqi, që përbën 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, përbëhet nga fermerë të vegjël që varen nga subvencionet e qeverisë për të mbijetuar.
Protesta fermerëve grek ka shkaktuar kaos në transport në këtë shtet, pasi ata kanë bllokuan rrugët e vendit.
(a.r/ata/balkanweb)


Komente: