Greqi, parlamenti nis hetimin

23 October, 2008 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

ATHINË - Deputetët e parlamentit grek u shprehën dje të gatshëm për të votuar ngritjen e një komisioni hetimor lidhur me shkëmbimin e një pasurie të patundshme mes manastirit të Malit Athos dhe shtetit, çështje që ka shqetësuar qeverinë e djathtë greke. Zëdhënësi i qeverisë dhe një nga anëtarët kryesorë të partisë së djathtë në pushtet (”Demokracia e Re” ND), Theodore Rusopulos dhe dy ish-anëtarë të qeverisë të akuzuar nga partia e opozitës (Pasok) për përfshirje në këtë transaksion, do të flasin në hapje të seancës parlamentare. Ngritja e komisionit hetimor është kërkuar nga deputetët e partisë ND dhe nga Pasoku për të hedhur dritë mbi këtë transaksion që çoi në dorëheqjen e ministrit të Marinës Tregtare, Jorgos Vulgaraqis dhe të dy prokurorëve të ngarkuar për hetimin e çështjes, të cilët kanë konfirmuar se kanë qenë viktima të presionit. Sipas transaksionit, aktet noteriale të cilit janë kryer nga bashkëshortja e ish-ministrit, Jorgos Vulgaraqis, murgjërit e Vatopediou, një nga 20 manastiret e komunitetit ortodoks të Malit Athos që gëzon autonomi administrative, kanë marrë një ndërtesë të fshatit, ku u zhvilluan ”Lojërat Olimpike 2004” e disa terrene turistike prej 800 hektarësh dhe i kanë shitur në sektorin privat. Në këmbim, manastiri i Vatopediou i ka dhënë shtetit 8.000 hektarë pyje. Përveç ngritjes së një grupi hetimi, kryetari i Pasokut, Jorgos Papandreu, ka kërkuar krijimin e një komisioni parlamentar që do të mundësonte hapjen e çështjeve penale kundër anëtarëve të qeverisë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb

Komente: