Greqi, policia perleshet me azilkerkuesit, disa te plagosur
27 October, 2008 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
ATHINE- Në Greqi policia ka përdorur dhunën ndaj qindra azilkërkuesve që ishin grumbulluar para policisë së të huajve, për të paraqitur aplikimet e tyre. Të paktën tre vetë u plagosën pas ndërhyrjes.
Sipas komunikatës së policisë, azilkërkuesit filluan të përlesheshin me njeri-tjetrin në kërkim të një radhe më të mirë dhe forcat policore u detyruan të përdorin dhunën për të vendosur rregullin. Por kjo i ndezi edhe më keq azilkërkuesit të cilët tentuan të futeshin në ambientet e brendshme të policisë. Mirëpo një version krejt tjetër japin organizatat antiraciste greke, të cilat bëjnë të ditur se numri i të plagosurve është 15 dhe fati i tyre nuk dihet. Sipas organizatave, një azilkërkues pakistanez ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjeve në kokë me shkop gome. Por policia e përgënjeshtron, duke thënë se i ndjeri nuk kishte lidhje fare me incidentet dhe vdekja e tij kishte ndodhur në mënyrë aksidentale, një ditë para incidentit në policinë e të huajve.
Policia thotë gjithashtu se viktima kishte marrë kohë më parë statusin e azilantit politik, kështu që nuk kishte arsye të gjendej në vendin e përleshjes me azilkërkuesit e tjerë.
Gjithsesi është urdhëruar një hetim urgjent që pritet të zbardhë të gjithë ngjarjen.
Greqia përbën një destinacion të përditshëm të klandestinëve afroaziatikë, të cilët sapo mbërrijnë këtu kërkojnë azil politik. Por përgjigjet pozitive janë kaq të pakta, saqë autoritetet greke kanë qenë vazhdimisht në qendër të kritikave ndërkombëtare.
(s.g/BBC/BalkanWeb)
Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër


Komente: