Greqia indiferente për vizitën
30 April, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Nga Athina, Niko AGO nikoago@gmail.com
- Shtypi i pardjeshëm grek, pas vizitës së Kryeministrit Karmanlis në Tiranë, mbajti qëndrim krejt indiferent për të. Mund të thuhet, pa frikë, indiferentizëm total. Ndërkohë që në Shqipëri iu dha një publicitet të gjerë, ku mediet e shkruara dhe ato vizive apo elektronike harxhuan mijëra fjalë, për ta pasqyruar këtë vizitë me të gjitha detajet. Nga ana tjetër e kufirit u harxhuan po aq fjalë sa edhe për një ngjarje të rëndomtë, në njërën nga provincat veriore të vendit, ku një kryetar komune vizitoi një fermer kultivues domatesh. E vetmja gazetë, që kishte në faqe të parë me germa të dallueshme vizitën e kreut të qeverisë greke në Tiranë, ishte e përditshmja “Apojevmatini”, e njohur për përkrahjen që i jep krahut të djathtë të politikës vendase. Titulli i shkrimit të të dërguarit, për të mbuluar vizitën e Karamanlis në Tiranë, ishte: Mësim paqeje dhe miqësie nga Shqipëria dhe Greqia. Në nëntitull i bëhej jehonë marrëveshjes që u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, për përcaktimin përfundimtar të kufijve ujorë.
Nga ana e saj, prestigjiozja “Kathimerini”, duke iu referuar Agjencisë Greke të Lajmeve, sjell të plotë fjalën e kryeministrit grek në Parlamentin shqiptar, ku dhe i mëshohet përkrahjes që pala greke premton për atë shqiptare, në rrugën e nisur për anëtarësim në strukturat e Bashkimit Evropian.
Gazetat e tjera vendase, pa asnjë përjashtim, pak ose aspak i bëjnë jehonë kësaj vizite. Edhe pse formalisht e sjellin lajmin, e paraqesin atë si një mbështetje parazgjedhore, që i bëhet simotrës ideologjike të Demokracisë së Re në Tiranë nga kreu i ekzekutivit grek. Pak ose aspak, madje, i referohen lajmit mbi nënshkrimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufijve ujorë të fqinjëve. Dhe kjo bëhet kryesisht për të sjellë një shembull se si, me mirëkuptim dhe me rrugë diplomatike, diçka e tillë mund të ndodhë edhe me Turqinë.
Në morinë e skandaleve të panumërta, me të cilat ndeshet qeveria e dalë nga partia më e madhe e djathtë greke gjatë këtij pesëvjeçari në pushtet, e ndodhur në prag të zgjedhjeve europarlamentare, për të cilat sondazhet e fundit e tregojnë me 3 deri 4 për qind, pas partisë opozitare të PASOK-ut, kërkon me të gjitha mënyrat të gjejë mbështetje. Ngado që të vejë, kjo mbështetje është e pranueshme.
Kështu, sikurse theksojnë analistët vendas, parada miqësore me palën shqiptare, që u kurorëzua me fjalimin e mbajtur përpara trupës parlamentare, takimet me krerët e minoritetit grek të jugut, vizita te Kryepeshkopi Anastasios, si dhe premtimet për konsolidim dhe shtrirje të prezencës së bizneseve helene në Shqipëri, janë pjesë e taktikës parazgjedhore në Greqi, por edhe mbështetje konkrete për qeverinë “Berisha”.
Mediet vizive dhe elektronike, si dhe ato që mbështesin hapur qeverinë “Karamanlis”, lajmin në fjalë e renditën midis atyre më të zakonshme dhe pa i bërë asnjë nënvizim të veçantë. Duke përkuar, madje, me vizitën në të njëjtën ditë në Athinë të kreut të BE-së, Emanuel Barozo, që për disa nga kanalet televizive kjo vizitë zuri vetëm disa sekonda, nëpër kronika lajmesh.
Burimi gazeta libertas


Komente: