Insulinat e … Integrimit të emigrantëve në Greqi

18 November, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Zëvendësministrja e brendshme e Greqisë, zonja Theodhora Tzekri u shpreh këto ditë ekskluzivisht për gazetën TRIBUNA se qeveria përgatit ligjin që edhe emigrantët të votojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2010.

Nuk e di- edhe sikur të ndodhë vërtet dhe të mos katandiset ky premtim politik në …kalandrat greke, çfarë duhet të ndjej unë si emigrant.Dhe të gjithë bashkëatdhetarët e mi që kemi që jetojmë e punojmë në Greqi më shumë se 18 vjet.

Të gëzohemi? Apo të dëshpërohemi?

Të gjithë ne, emigrantët, pa përjashtim, jemi klinikisht në …reaminacion politik dhe shoqëror.

Madje të 5 vjetët e qeverisjes Karamanli ishim në gjendje kome të thellë…. Çdo javë, e një mandat pllakë varri të ri na ngjitnin në ballë urdhëresat qeveritare.

Një javë na kërkonin 150 enzima. Javën tjetër 200. Javën tjetër 240. Më vonë, 244. Tjetrën 250. Tjetrën 250,5 enzima.

Nuk tallem. E ca më pak.Nuk luaj kungulleshën me urdhëresat qeveritare greke për Emigracionin.

Që të mos zgjoheshim kurrë nga koma (politikisht), qeveria greke (aferim ia kemi, nuk e mohojmë) përkujdesej të na rriste dozën e ilaçit që të thellonte komën shoqërore ndaj emigrantëve. Dhe kjo, natyrisht për të mirën e emigrantëve. Nuk e dyshoj, këtë! Që të mos ndjenin dhimbjen e sorrollatjeve e të poshtërsimit, të veçimit e të dallimit shoqëror.

Mirë, ja i kishe 150, ja edhe 200, ja edhe 250,5 enzima. Po prapë – sipas defterit javor qeveritar- emigranti duhet të mbahet në reaminacionin politik e shoqëror… Sepse, nuk është i …pasur ….ekonomikisht.

Ngaqë nuk ka të ardhura mbi 12.000 e 15 mijë evro. (kjo shumë e ndarë sipas krerëve të familjes).

Dhe qeveria e re e Papandreut- të cilin e ndihmuan (edhe) emigrantët Jorgo Papandreun të rizgjidhej kryetar i PASOK-ut, – nuk e mohoj- punën e mëngjezit të së hënës të 5 tetorit 2009 e nisi me ….insulinat për emigrantët. U dha insulinën e …ushqimit të shpresave.

Vetë kryetari i qeverisë, Jorgos Papandreu – si për të shpërblyer mundin e emigrantëve që e ndihmuan të rizgjidhej kryetar i PASOK-ut- dha dozën e parë të insulinës, emigrantëve.

Jorgos Papandreudeklaroi që gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, një ditë (nuk e përcaktoi afatin kohor – pas 1 viti, pas 3 vjetëve, pas 10 vjetëve, pas 33 vjetëve – dhe ne nuk mund të mbetemi te të tilla vogëlsira politike-që të mos trembte grekët sabah-sabah) do tu japë (nuk e tha si …. lëmoshë politike, dhe unë as që e marr lëmoshë, më besoni) …shtetësinë greke.

Që të mos e kepkuptojnë grekët politikisht, Jorgua e theksoi 2-3 herë që vetëm fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në …Greqi, do të lëmoshohen me …shtetësinë greke. Vëllezërit e tyre, motrat e tyre, që kanë fatin e keq që kanë lindë në Atdheun e tyre dhe jo në Greqi, nuk do të marrin shtetësinë greke….

Dhe, qeveria socialiste e Papandreizmit, nuk është kaq fashiste sa ajo e Karamanlis (të tillë –fashiste- e ka cilësuar para 2 vjetësh Theodhor Pangalos Politikën e Emigracionit të Karamanlis në një intervistë në radio Flash 96 fm) dha edhe dozën e dytë të insulinës emigrantëve.

Që të mos pësonin sërish komën politike.

Hrisohoidhis, si ministri i mbrojtjes të qytetarëve (në qeverinë socialiste të Simitit, Hristohoidhis ishte ministri i policisë dhe (pa dëshirën e tij kjo- më besoni) arkitekti i operacioneve policore të Fshesave ndaj emigrantëve në vitet 1999-2000 por të harruara këto…) deklaroi politikisht (që ta dëgjonte edhe Karaxhaferi se sa ka ndryshuar Hrisohoidhi i 2000-s me Hristohoidhin e 2009-s) se do të punësojë në administratën greke edhe …emigrantë. Po, po, mirë e shkruajta. Do të punësojë edhe emigrantë në policinë greke.

Dhe, insulina e dytë politike, i bëri emigrantët që të hapnin sytë. Që të besojnë që janë …gjallë dhe do të munden (këtej e tutje – durim të kenë) të punësohen policë në Greqi.

Natyrisht, jo që të mbrojnë qytetarët, se emigrantët nuk janë qytetarë në Greqi. Janë në kategorinë e katërt shoqërore. Por, emigrantët do të punësohen në policinë greke që të gjuajnë bashkatdhetarët e tyre penalë.

E theksoi me të madhe këtë dallim e veçim ministri (edhe pse me etiketë të re ministrore) i mbrojtjes të qytetarëve. Ju, kurrsesi mos e quani më si në vitet 1999-2000 ministri i policisë….. Dhe, tani është i qetë ministri i mbrojtjes të (vendeve të punës) qytetarëve grekë. Se nuk mund ta akuzojnë politikisht që u jep punë shtetërore edhe …kategorisë së katërt të shoqërisë greke. Emigrantëve.

Dhe zëvendësministra e qeverisë elektronike (cilësimi shtesë i ministrisë të brendshme) zonja Tzekri pohoi që qeveria socialiste e Papandreizmit do të mundësojë emigrantët që të votojnë edhe për kryetar bashkie në vitin 2010.

Derisa votuan për kryetar të Pasokut në nëntorin e 2007-s, tashmë kryeministri i Greqisë ka kaq besim te emigrantët që të votojnë edhe kryetarin e ….bashkisë. Prapë, që të mos keqkuptohen politikisht, qeveria thekson dallimin e veçimin politik. Emigrantët, do të votojnë në zgjedhjet lokale greke të 2010-s prapë kështu siç janë. Të sëmurë klinikisht, të sëmurë politikisht, të veçuar shoqërisht. Si emigrantë.

Theodoros Pangalos, që guxoi dhe cilësoi Politikën e Emigracionit të qeverisë të Karamanlis “ FASHISTE”, në një intervistë në gazetën greke KATHIMERINI datë 14 qershor 2009 deklaron për Emigracionin në Greqi:

“… Personalisht, cilësoj si të suksesshëm emigracionin në Greqi. Veçanërisht, për gjithë ata që erdhën nga Shqipëria dhe shumica e tyre janë integruar dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkollë. Duhet të ndërgjegjësohemi që gjithë këta të cilët dëshirojnë duhet të marrin shtetësinë greke. Por edhe gjithë shqiptarët që plotësojnë kushtet duhet shpejt të ligjësohen si të huaj…”.

Pangalos në qershor ishte deputeti i opozitës të Politikës të Emigracionit të qeverisë të Karamanlis. Pangalos sot është zvkryeministri, koordiantori dhe kontrollori i ministrave të qeverisë socialiste të Papandreizmit. Politika nga Demagogjia i ndan pikërisht VEPRIMI.

Pangalos – heshtësi nga Pangalos deklaruesi. Të heshtë Pangalos për Emigracionin sot që është zvkryeministri i qeverisë, do të thotë që është demagogu i Pangalos të opozitës.

Që të ndihem se ekzistoj, që të ndihem se edhe unë emigranti jam përbërës i bashkësisë shoqërore të cilës unë i jap djersën, mundin e shpirtin tim përditë, (e të mos mbetem ideatoriku i përjetshëm i votimit VETËM të kryetarit të PASOK-ut) DUHET që sot PANGALOS të mos heshtë. Të mos heshtë sot PANGALOS, zëvendëskryeministri i qeverisë socialiste të Papandreizmit. Që të ndihem, që të ekzistoj unë, EMIGRANTI në Greqi, unë që përbëj suksesin e Emigracionit në Greqi- e tha Pangalos në qershor- nuk duhet që të vazhdojnë të më ushqejnë me …insulinat e integrimit.

Emigracioni në Greqi, nuk ka MË NEVOJË për një votim të kryetarit të bashkisë. Emigracioni në Greqi nuk ka MË NEVOJË që të punësohet emigranti në policinë greke që të gjuajë VETËM emigrantin. Emigracioni në Greqi nuk ka MË NEVOJË që të marrin shtetësinë greke vetëm fëmijët e emigrantëve që lindën në Greqi, dhe vetëm pse lindën në Greqi (gjysma e familjes) dhe gjysma tjetër e familjes emigrante të damkoset me fajësinë e lindjes në Atdhe. Kjo a nuk të kujton luftën e klasave të Enverizmit? Babai ballist e kulak, djali komunist e nipi me damkë klasore.

Pyes shokun PANGALOS:

- Për emigrantin klinikisht, politikisht në gjendje kome, ku ndryshon narkoza e fashizmit të Politikës të Emigracionit të Kraramanlis me ….insulinat e integrimit të qeverisë socialiste të Papandreizmit?

- Si zvkryeministër i qeverisë, derisa besoje, derisa ishe ideatori, a do të mundësosh që edhe emigrantët të ndihen QYTETARË të denjë të shoqërisë greke? Pavarësisht, ku kanë lindë, pavarësisht nga kanë ardhë?

jakupgjoca@hotmail.com

Komente: