Integrimi bazohet në vullnetin e emigrantëve dhe opinionin e shoqërisë vendase
3 April, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Mbresa nga Festivali i 26-të i Kulturave të emigrantëve
Robert Goro
Gjatë ditëve të Festivalit, një mendim që nuk më shqitej për asnjë çast ishte nëse do të mundej që edhe në Greqi të organizohej një veprimtari e till. Sigurisht që potencialet njerëzore këtu në Greqi janë shumë më të mëdha, po të marrim parasysh se vetëm shqiptarë këtu mund të ndodhen dy herë më shumë se e gjithë popullsia e Luksemburgut. Dhe komuniteti shqiptar ka organizuar jo pak veprimtari në Greqi, të cilat janë shquajtur për nivelin dhe ndonjëherë, edhe për pjesëmarrjen e tyre. Mirëpo, miq të dashur, pa ndjenjë inferioriteti apo ksenomanie, mund t’ju them me dorë në zemër se ajo që bëhet në Luksemburg, këtu mund të realizohet vetëm në ëndërr. Jo pse shqiptarëve këtu u mungojnë mundësitë dhe vlerat, por sepse integrimi është si puna e tangos, nuk kërcehet vetëm; ka nevojë për partner.
Dhe ne këtu vuajmë për partnerë. Dhe nuk dihet edhe për sa kohë akoma do të vuajmë…
Sigurisht që të tjera kushte ka në Greqi, e cila është një shoqëri përgjithësisht e mbyllur dhe etnikisht “e pastër” deri para njëzet vitesh kur erdhën emigrantët e parë. Ndërsa Lukemburgu, 42% të popullsisë e ka me origjinë të huaj. Por edhe pse ky fakt përcakton ndoshta gjithë politikën e autoriteteve vendase ndaj emigrantëve, nuk mund të jetë i vetmi shpjegim i nivelit të integrimit e të pranimit që kanë emigrantët në Dukatin e Madh. Ka një proces dialektik që lidhet me emancipimin e shoqërive, aq më tepër të shoqërive që kanë më shumë se tri dekada që janë pjesë e familjes së madhe europiane, siç është shoqëria greke. Por këtu, për fat të keq, siç e kemi parë edhe në çështje të tjera – që nuk lidhen me emigrantët -, “qerren” e politikës e tërheq nga t’i dojë qejfi “mushka” shoqëri. Ndërsa normalisht do të duhej që politika të ishte “karrocieri” i plotpushtetshëm…
Antoni Monserat, president i CLAE
Në Luksemburg është shumë e vështirë të jesh kundër pranisë së emigrantëve, sepse 42 % e popullsisë është me origjinë të huaj, dhe po me origjinë të huaj janë 60% e banorëve të qytetit të Luksemburgut.
Nuk kemi probleme sociale, në sensin e incidenteve apo fërkimeve midis komunitetit vendas dhe emigrantëve. Sigurisht që ka një numër gjërash për të bërë akoma, në kuadrin e arritjes së barazisë së plotë ligjore, barazisë në pjesëmarrjen politike, në pasqyrimin e gjithë kulturave nga mediat. Por në përgjithësi, qëndrimi i Luksemburgasve dhe marrëdhëniet e komunitetit vendas me emigrantët, janë shumë pozitive.
Emigrantët kanë nevojë për ne, por edhe ne kemi nevojë për ata. Ky zhvillim i madh ekonomik i Luksemburgut do të ishte krejtësisht i pamundur pa pjesëmarrjen e emigrantëve.
Sa u përket marrëdhënieve me komunitetin shqiptar, një nga zëvendëspresidentët e CLAE-s është shqiptar, quhet Dritan Beçko. Shqiptarët janë një komunitet shumë i rëndësishëm, që erdhi në Luksemburg në një situatë të vështirë, pas konflikteve të ndryshme në Ballkan. Por ata janë tashmë një komunitet që bën përpjekje të jashtëzakonshme për t’u integruar, për të rritur prosperitetin e familjeve të tyre, dhe po ashtu jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Luksemburgut. Ne jemi shumë krenarë për prezencën e fuqishme të shqiptarëve në CLAE, dhe jam i sigurt, se edhe për autoritetet e Luksemburgut përbën kënaqësi prania dinamike e komunitetit shqiptar këtu.
Franco Barilocci, drejtor administrativ i CLAE
Komuniteti shqiptar është nga komunitetet më të reja në Luksemburg, por me dëshirën e vet për të prezantuar kulturën e vendit të origjinës, arriti që jo vetëm ta prezantojë këtë kulturë, por të jetë një nga komunitetet më të domosdoshme. Njohja me këtë komunitet u arrit nëpërmjet këtyre festivaleve, por edhe me anë të miqësisë e kontakteve të tjera jashtë Festivalit. U arrit të krijoheshin struktura shoqërore të atilla që shqiptarët të jenë shumë mirë të prezantuar, madje do të thoshja se shqiptarët janë një nga forcat kryesore të Festivalit.
Arjani
Arjan Frashëri mbërriti në Luksemburg nga Maliqi i Korçës para dhjetë vjetësh, pasi më parë kishte provuar emigracionin në Greqi, ku punonte në mënyrë sezonale. Mekanik kishte punuar në Shqipëri, mekanik edhe në Luksemburg, në servisin teknik në një ndërmarrje. Thotë se është mjaft i kënaqur kushtet e punës, të pagesës e të siguracioneve, ndërsa tre fëmijtë e tij i ka në shkollë, njerën nga vazjat në universitet në Belgjikë.
Mbrëmjen e mbërritjes sime në Luksemburg kishte dalë të më priste bashkë me Bashkim Hazizajn, e pasi lanë mua në hotel, u nisën për në Frankfurt (në Gjermani), për të sjellë shkrimtaren Diana Çuli. Nuk “m’u nda” gjatë gjithë ditëve të qëndrimit tim, donte si e si të më sajdiste dhe atë kafe që nuk arritëm ta pinim asnjëherë, as në festival, as në qytet, erdhi bashkë me djalin mbrëmjen e fundit që ta pinim në hotel…
E Premte, 27 Mars 2009



Komente: