Kërkohen terroristët mes emigrantëve

9 February, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Robert Goro

“Në kërkim të një dogme të re për sigurinë publike gjendet qeveria, pas sulmit të përgjakshëm në Eksarhia, që sipas gjithë vlerësimeve të policisë konsiston në rishfaqjen e terrorizmit. Në listën e të dyshuarve, përveç personave që ishin ravijëzuar nga shërbimi antiterror, vend sipëror duket se kanë për herë të parë emigrantët, dosjet e të cilëve po hulumtohen në mënyrë skrupuloze”.

Nga gazeta Elefterotipia

Me thënë të drejtën, i kishim harruar stereotipet se për gjithçka të keqe që ndodh në Greqi e kanë fajin emigrantët, e sidomos shqiptarët. Sa herë binte fjala, na dukej se ato kohë të vështira qenë sikterisur në pakthim.

Mirëpo, siç thotë dhe Xhejms Bond, ‘Never say Never’, (kurrë mos thuaj ‘kurrë’). Se vjen një ditë që konstatimet e tua optimiste përgënjeshtrohen në mënyrën më të paskrupullt.

Kështu u ndieva kur lexova shkrimin e gazetës së respektuar “Elefterotipia”, (prej nga shkëputa dhe fragmentin në hyrje të këtij shkrimi), që po e riprodhoj të tërin, me qëllim që vetë lexuesi të nxjerrë konkluzionet:

“Pyetja që preokupon ministrin e brendshëm P. Pavlopulos dhe ministrin alternat, H. Markojanaki, është nëse ka pjesëmarrje të emigrantëve në brezin e ri të terroristëve dhe nëse ka gjithashtu ky fakt lidhje me botën e jashtme. Arrestimi i dy emigrantëve të rinj në moshë gjatë operacioneve të këtyre ditëve, dhanë shkas për skenarë, të cilët ndërkaq, nuk komentohen as nga udhëheqja fizike, as ajo politike e policisë.

Por nga ana tjetër vihet në dukje se edhe në incidentet që kishin shpërthyer pas vrasjes së Aleksis Grigoropulos, pati një prezencë jo të madhe, nga grupe emigrantësh të rinj, në pushtimet e institucioneve universitare. Një trakt që u shpërnda në fakultetin ekonomik (ASOOE), më 15 dhjetor 2008, në gjuhën shqipe dhe greke dhe më pas në tri gjuhë të tjera (anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht), është shndrruar në subjekt jo vetëm investigimi policor, por edhe preokupimi politik.

Në mbledhjet e njëpasnjëshme që janë bërë kohët e fundit në Ministrinë e Brendshme, me pjesëmarrjen e oficerëve madhorë të policisë, u shpreh konstatimi se në hapësirat e emigrantëve kanë ndodhur gjëra që shpien në nevojën e rishqyrtimit të politikës së emigracionit, në kuadrin e përgjithshëm të sigurisë dhe rendit publik:

- Tek të rinjtë konstatohet, sipas informacioneve që ka qeveria, “një kthim drejt organizatave jashtëparlamentare dhe grupeve autonome”.

- Organet institucionale, siç janë shoqatat e emigrantëve, gradualisht janë dobësuar dhe nuk e tërheqin brezin e dytë të emigrantëve.

- Getot që janë krijuar në shumë zona të Athinës, ka gjasë të shpien, duke ruajtur analogjinë, në revolta të ngjashme me ato që u zhvilluan në paris në vitin 2005.

Përtej vlerësimeve të policisë, udhëheqjen e ministrisë së brendshme e preokupojnëe dhe pyetjet politike që bëhen nga ministri të tjera, bashkitë dhe shërbimet sociale, lidhur me përkeqësimin galopant të gjendjes së grupeve të caktuara të emigrantëve, për shkak të krizës ekonomike.

Burime qeveritare nuk e fshehin shqetësimin e tyre, por nitojnë të theksojnë se “problemet sociale nuk zgjidhen me masa policore”. Por në të njëjtën kohë është urdhëruar riaktualizimi i planeve më të hershme operative”.

Ky është shkrimi i gazetës Elefterotipia, që është shquajtur gjithë këto vite, për ndjenja më miqësore ndaj emigrantëve, krahasuar me pjesën tjetër të shtypit grek.

Streha e Emigrantëve Shqiptarë, një organizatë e ligjshme, rreth së cilës janë bashkuar njerëz të rinj në moshë që studiojnë nëpër universitete apo shkolla, apo dhe kanë kryer studimet e larta dhe tani po bëjnë punët e rënda të mbijetesës, ka publikuar një reagim, që po e botojmë në faqen 3. Sepse Streha ishte ajo që hartoi dhe shpërndau “traktin” e datës 15 dhjetor, të cilit i referohet Elefterotipia dhe që paska prishur gjumin e autoriteteve.

Padyshim se askush prej nesh nuk duhet të pajtohet me trajtat ekstreme të reagimit, siç është dhuna e sidomos terrorizmi. Kam pështypjen (por nuk e vë dhe dorën në zjarr, pse s’kam fakte), se shqetësimi i autoriteteve lidhet më së shumti me emigrantët nga vendet arabo-aziatike, që janë më të ekspozuar ndaj reagimeve të dhunshme dhe që ndodhen në gjendjen më të vështirë sa i përket legalizimit, integrimit dhe gjendjes ekonomike.

Madje, sipas ambasadorit tonë në Athinë, Vili Minarolli, ministri i brendshëm grek këto ditë, i kishte kërkuar t’u përcillte falënderimet gjithë emigrantëve shqiptarë për qëndrimin që mbajtën gjatë trazirave të dhjetorit.

Emigrantët shqiptarë, jo se hanë me lugë floriri, por gjithsesi, janë më të integruar, punojnë si rrallëkush, ndodhen këtu me familjet e tyre dhe fëmijtë i shpien në shkollë jo për t’u bërë terroristë, po për të siguruar një të ardhme dinjitoze, si njerëz të ditur e të shkolluar.

Megjithatë, në këto kohë të vështira, kur e keqja të vjen aty dhe andej nga s’e pret, nevojitet të jemi më të kujdesshëm ndaj fëmijve tanë.T’i këshillojmë vazhdimisht për të mirën e tyre, por dhe të mirën tonë të përgjithshme. Kjo sigurisht nuk do të thotë që ata të mos kenë zë, të mos kenë gjunjë për t’i drejtuar e për ta mbajtur kokënlart e trupin drejt.

Ka një fjalë të urtë që thotë se: “Nëse ke frikë dhe mallkon errësirën, përpiqu të ndezësh një qiri”. Ku qiriri nuk simbolizon zjarrin e shkatërrimin, por dritën dhe shpresën…

Robert Goro

E Shtune, 07 Shkurt 2009

Burimi : GAZETA TRIBUNA

Komente: