Korani, Greqia dhe xhamia
24 May, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Kur dhjetorin e kaluar ndodhi ngjarja tragjike me vrasjen e të riut Aleks në Greqi, dhe pasuan të gjitha ato që pasuan, u dëgjuan zëra të ndryshëm për paaftësinë e policisë por edhe për
mungesën e trajnimit të tyre kur janë të detyruar të ndeshen me raste specifike.Specialistët asokohe na thanë se janë gati të marrin masa me qëllim që në të ardhmen të mos kemi sërish akte të njëjta dhe madje publikuan se do kalonin policët në teste psikologjike të ndryshme për t’u bërë pritë ngjarjeve të padëshiruara.
Dhe vijmë tek fakti më i fundit ku një polic, pa asnjë hezitim merr dhe gris librin e shenjtë të një emigranti ngaqë …kështu! E pa të shkruar në arabisht dhe nuk e kuptoi se çfarë ishte. Kurse po të qe në greqisht,ma do mendja, nuk ka asnjë dyshim, do ta kishte kuptuar me të parën…
Sikurse fare qartë shënoi mbrëmë gazetari dhe analisti Paskos Mandravelis në televizionin grek, “problemi nuk qëndron tek sjellja e një polici të thjeshtë që vesh uniformën dhe e quan se përfiton të njëtin pushtet me …zotin por qëndrimi i shtetit ndaj kësaj çështjeje kaq deçizive. Kur mbyll sytë përpara një problemi të vërtetë, të vetmen gjë që arrin është të lësh problemin të rrite.Athina,tha Mandravelis, edhe përpara ardhjes së emigrantëve me besim musliman, kishte muslimanë. Qytetarë grekë! Mirëpo kurrë nuk e pranoi këtë. Kurrë nuk mori qoftë dhe masat më formale për të ngritur një xhami. Haste natyrisht në kundërshtimin e kishës.Eedhe një vendim që mori PASOK-u në prag të Lojrave Olimpike të 2004-ës për të ngritur një xhami në periferi të Athinës,në Peania, nuk e la asnjëherë të zbatohej ish-kryepeshkoi Kristodhulos ngaqë thoste se të huajt që do vijnë me aeroplan, godinën e parë që do shohin do të jetë xhamia!
Nga ana tjetër, me plot të drejtë Greqia kërkon të hapet shkolla teologjike në Stamboll. Po por, kur (me të drejtë) kërkon të të respektojnë besimin, bëj edhe ti diçka të respektosh besimin e tjetrit”.
Mos e lër të menaxhojnë një çështje kaq të rëndësishme disa …hajvanë! Sepse përfundimet nuk kanë për të qenë kurrë pozitive dhe nuk e kanë fajin as emigrantët-besimtarë, as pronarët e vegjël që shohin pasurinë t’u shkatërrohet, as qytetarët që ushqehen me gaz lotsjellës dhe as e gjithë policia.


Komente: