Korriku sjell “Fshesën” për klandestinët
29 June, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Do të rikthehen në qendër të Athinës operacionet famëkeqe që përjetuan shqiptarët deri në fund të viteve 1990
Megjithë kundërshtimet e opozitës dhe të organizatave për të drejtat e njeriut, qeveria greke e ka ngritur çështjen e luftimit të emigracionit klandestin, në lartësinë e prioriteti kryesor të punës së saj. Zëvendësministri i brendshëm, i ngarkuar me problemet e rendit, Kristos Markojanakis, tha se, prioriteti i deritanishëm i forcave të rendit, që ishte përballimi i veprimtarisë së grupeve guerrile vendase, tashmë kalon në plan të dytë, për shkak të përqëndrimit të baterive në çështjen e emigracionit klandestin. Sipas zyrtarit të lartë të rendit, kjo bëhet për siç tha, “situatës shpërthyese me emigrantët kalndestinë”.
“Vlerësimi im është se, ndërhyrja, le ta quajmë masive, në qendër të Athinës do të bëhet pas një muaji ose një muaji e gjysmë. Por deri atëherë nuk do të rrimë me duart kryq”, tha Markojaniakis.
Në këtë mënyrë, në kryeqytetin grek, por dhe në zona të tjera, kthehen operacionet me emrin famëkeq “Fshesa” që ishin zbatuar deri në fund të viteve 1990-të, kryesisht kundër emigrantëve shqiptarë.
Nga ana e vet, zëdhënësi i qeverisë, duke mbrojtur masat e vendosura, tha se Greqia nuk mund të përballojë fluksin e madh të emigrantëve klandestinë.
“Nuk ka asnjë dyshim se vendi po përballon dy vitet e fundit një volum përherë në rritje emigrantësh kryesisht ekonomikë, që dëshirojnë të kalojnë në Europë, duke përdorur si portë hyrëse Greqinë. Kjo është absolutisht e mirëkuptueshme, mirëpo volumi kaq i madh krijon probleme kolosale për vendin tonë, duke arritur aty ku s’mban më rezistenca, sa e ekonomisë, aq edhe e shoqërisë sonë”, tha zëdhënësi i qeverisë, Evangleos Antonaros.
Problemi i emigrantëve klandestinë është më i madh në qendër të kryeqytetit. Godina të pabanueshme në rrugicat rreth sheshit Omonia, apo në rrethinat, janë zaptuar nga klandestinë që bujtin aty në mungesë edhe të kushteve më elementare të jetesës. Muajin e fundit aty janë shënuar edhe përleshje midis militantëve të organizatës neonaziste Agimi i artë, dhe përkrahësve të emigrantëve nga ana e të majtës greke.
Përballë kësaj situate që vazhdon të jetë e elektrizuar, kryenashkiaku i Athinës, Nikitas Kakalamanis, kërkoi edhe njëherë mbështetjen e Bashkimit Europian, duke theksuar se në të kundërt, Greqia duhet t’i bëjë shantazh unionit.
“Greqia duhet, për mendimin tim, e them troç, ta shantazhojë Bashkimin Europian, se, ose na mbështesni në këtë çështje, me vepra e jo me fjalë, ose, përndryshe të japim çdo ditë 1000 leje azili politik, të cilat Europa nuk do të mund të thotë që s’i pranoj”.
Me një kufi detar prej mijëra kilometrash, Greqia prej disa vitesh është shndërruar në një nga portat kryesore të kalimit të klandestinëve nga Azia për në Europë. Ata, me të mbërritur në brigjet greke, kërkojnë azil politik, por vetëm një për qind e këtyre kërkesave ka marrë përgjigje pozitive. Në pamundësi për t’i riatdhesuar ata, për shkak të kostos së lartë dhe refuzimit të Turqisë për të marrë mbrapa gjithë sa hyjnë në Greqi nëpërmjet territorit turk, autoritetet greke preferojnë t’i mbajnë klandestinët në disa pika grumbullimi, që janë kritikuiar vazhdimisht nga OKB, për shkak të kushteve shumë të këqija. Por një pjesë e mirë e klandestinëve lihen të lirë, ta gjejnë vetë rrugën e të ardhmes së tyre, gjithmonë nën presionin e kapjes nga forcat e rendit.
Në fillim të javës, qeveria vendosi krijimin e dy kampeve pritjeje, njeri pranë Halkidas, 100 kilometra larg Athinës dhe tjetri në pjesën perëndimore të kryeqytetit, ku emigrantët klandestinë do të mbahen, maksimumi deri në 12 muaj, e njëkohësisht do të stimulohen nëpërmjet politikave të ripranimit që të kthehen andej nga kanë ardhur.
E Hene, 22 Qershor 2009



Komente: