Këpucët, pse nuk na mjaftojnë kurrë?
Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më poshtë
A e keni vënë re që meshkujt janë përgjithësisht shumë më të çliruar se femrat nga vargonjtë e modës apo të kombinimit? Atyre duket se përgjithësisht u mjaftojnë një palë këpucë të zeza, një palë kafe, një palë sporti e ndonjë palë më shumë për raste të veçanta, dhe janë gati për të dalë. Kurse për femrat ndryshon puna. Jo vetëm kombinimet e veshjeve, por edhe rrugët ku shkelim me gropa e gunga apo trotuare me pllaka me hapësira ndërmjet, na detyrojnë të kemi disa herë më shumë. Pastaj le ta pranojmë: kur mbathim këpucët që pëlqejmë, ndihemi më të bukura, më në formë e me më shumë besim te paraqitja jonë: këmbët duken më të gjata, busti qëndron më drejt e vithet shtyhen më mbrapa, duke e rritur kështu efektin e tërheqjes. Për më tepër, ne kemi më shumë mundësi zgjedhjeje, aq sa, edhe pará e dëshirë po të kishim, nuk do t’ia dilnim që të plotësonim si duhet nxitjet tona. Me dimrin në të dalë të tij dhe fillimin e ndërrimit të vendeve të këpucëve në dollapë e rafte duket se lind natyrshëm pyetja: kur mund t’i themi vetes boll me blerjen e këpucëve, se e tepruam? Për të qenë e sinqertë, edhe unë, sikurse shumë prej jush, e kam konsideruar veten të paprekshme nga klisheja e zellit për këpucët, por kohët e fundit e kam vënë në dyshim atë bindje. Pëlqej takat e, veç atleteve, nuk kam gjë tjetër që mund të quhet me takë të sheshtë, por nuk është kjo arsyeja. Nga një studim i fundit, për fat të mirë jo psikologjik, mësova se deri në 19 palë (përfshirë këtu edhe ato që na vjen keq t’i hedhim) është brenda normës, por 20 deri në 30 e lart është e rrallë edhe për femrat e vendeve më të pasura në botë. Për ju që nuk i kapni këto kufij, urime! Po ju drejtohem ju të tjerave: të na jetë kthyer vallë pasioni për këpucët qëllim në vetvete? Për fatin tonë, masa e këpucëve nuk ndryshon me luhatjet në peshë e këmba nga gjuri e poshtë duket mirë, pavarësisht nga pjesët e tjera të trupit. Ndaj edhe mund t’i koleksionojmë këpucët, duke shpresuar që moda të kthehet për t’i veshur sërish. E ndërkohë, i japim mundësinë vetes të blejmë të tjera. Disa prej nesh justifikohen me faktin se këpucët i kanë marrë të lira, ndaj mund t’ia lejojnë vetes të blejnë më shumë. Ndërkohë që disa të tjera, edhe kur e kufizojnë veten nga sasia, priren ta ngrenë stekën në cilësi. Mirë pra, kemi zell, po a mund të quhemi se kemi mani për këpucët? Përgjigja këtu është e thjeshtë. Megjithëse e përdorim këtë fjalë rëndom në gjuhën e përditshme e në disa raste edhe me krenari, mania është një gjendje humori e ngritur, që shoqërohet me tipare të shumta klinike e ku blerja e çdo lloj sendi me tepri e pasoja është vetëm një prej kritereve. Pra jo, nuk është mani. Të jetë fetish?! Mundet, por është e rrallë e duhet të zgjasë të paktën gjashtë muaj. Fetishi i këpucëve nënkupton të qenit të fiksuar në mënyrë të paarsyeshme a anormale deri në pikën ku të parit, të prekurit apo të nuhaturit e tyre sjell ngacmim e plotësim të ciklit seksual, me apo pa praninë e një personi tjetër.
Nëse dyshoni se jeni pranë këtij përcaktimi, stili juaj i blerjes mund t’ju qartësojë, pasi ai është i lidhur drejtpërdrejt me trajtat e personalitetit. Blerës neurotikë janë ata që shpenzojnë mjaft kohë duke bërë pazar, duke provuar gjithçka e shpesh duke blerë vetëm diçka ose hiçgjë. Në fakt, ata duket se janë në kërkim të mallit (në rastin tonë, të këpucëve) perfekt. Blerës neurotik është çdokush që pëlqen veprimin e të blerit më shumë sesa gjërat e blera në vetvete. E kundërta është e vërtetë për blerësit në mënyrë rituale. Këta nxitojnë kur blejnë në një mënyrë të ngjashme me të ngrënët e personave të uritur e shpenzojnë para më shumë sesa ua lejon xhepi. Të tjerë janë ata që e çojnë të blerit në ekstrem. Të ashtuquajtur blerës psikotikë, këta kanë zakonisht çrregullim bipolar e blerjet i kryejnë gjatë fazës maniakale, ku mbledhin ç’t’u zërë syri e dora. Sidoqoftë, duhet thënë se blerja në mënyrë rituale nuk është ende një emërtim diagnostikues formal, rezultat i një çrregullimi apo sëmundjeje, ndonëse ajo shkakton probleme të shumta personale e familjare. Ndaj, megjithëse mund t’i dashuroni këpucët, ka mënyra për t’i shpëtuar këtij pasioni pa u lagur. Kur të blerët e këpucëve është i tipit ritual, ai është zakonisht një formë shpenzimi i kohës së lirë. Shmangni blerjet shoqëruar nga persona që i nxisin pikat tuaja të dobëta e përpiquni të gjeni një mënyrë tjetër për ta kaluar kohën e lirë apo edhe mërzinë. E nëse mendoni që një palë këpucë që patë diku në vitrinë a gjetiu duhet t’i keni patjetër, shtyjeni për një javë më vonë vendimin për t’i blerë, në qoftë se nuk i keni të domosdoshme. Kjo do t’ju ndihmojë të kthjelloheni mbi nevojat tuaja. E nëse as kështu nuk ia dilni t’i bëni ballë pasionit, besojani buxhetin tuaj një të afërmi. Dhe së fundmi, mos harroni që gjatë sezonit të uljes së çmimeve ju nuk i kurseni paratë: në fakt, i shpenzoni! |

Të jetë fiksim atëherë?! Në përgjithësi, blerjet në mënyrë rituale konsiderohen si çrregullim i sjelljes vetëm kur përmbushin disa kritere: kur paratë e shpenzuara në blerje janë më të shumta se fuqia blerëse, kur blerjet bëhen si rrjedhojë e një nevoje të papërballueshme që shtyn drejt dyqaneve, kur mosblerja krijon ankth e shqetësim e kur përkushtimi ndaj aktit të blerjes në vetvete është diçka e re krahasuar me zakonet e mëparshme. Këto blerje zakonisht shoqërohen me ndjenja faji e turpi e në pjesën më të madhe të rasteve fshihen nga familjarët, lihen mënjanë, dhurohen ose hidhen. 

Komente: