Kthimi i emigranteve

3 January, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

GJIROKASTER/ KORÇE- Pas kalimit të natës festive të ndërrimit të viteve, 31 dhjetori, duket se festa ka mbaruar për emigrantët shqiptarë, të cilët kanë nisur kthimin në vendet ku ata jetojnë e punojnë. Mësohet se nga pika kufitare e Kakavijës, kanë dalë sot nga territori shqiptar mbi 4 000 emigrantë si dhe rreth 750 automjete.
Sipas burimeve kufitare të kësaj pike bëhet e ditur se ka pasur një fluks, por nuk janë krijuar rradhë të gjata dhe situata paraqitet e qetë
I vetmi problem i paraqitur kanë qenë kushtet atmosferike, si mjegulla e dendur dhe temperaturat tepër të ulëta, të cilat kanë vështirësuar procesin e kontrollit doganor, por pa krijuar probleme.
Në Prefekturën e Qarkut të Gjirokastrës, në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës dhe “Tre Urat”. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, funksionon vetëm për këmbësorët.

Ndërkohë edhe gjatë 24 orëve të fundit, në doganën e Kapshticës kanë kaluar për në Greqi rreth 1200 emigrantë dhe afro 380 automjete,
Në këtë doganë pala shqiptare po punon me 4 sportele, gjithashtu mësohet se po me kaq sportele po punon edhe pala greke.
Mbi 60 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe e të cilëve emigrantë, hynë për në Shqipëri nëpërmjet doganës së Kapshticës gjatë dhjetorit të kaluar. Sipas autoriteteve të policisë kufitare, lëvizja më e madhe e emigrantëve në drejtim të Greqisë pritet nga java e ardhëshme, kur rifillon puna dhe hapen shkollat në vendin fqinj. (a.r/ata/balkanweb)

Komente: