Largohet diplomati Minarolli,ambasador në Greqi Dashnor Dervishi
22 April, 2010 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Kandidaturat u prezantuan nga Sekretari i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu, i cili vlerësoi të dy emrat si dinjitoze për përfaqësimin diplomatik të vendit tonë.
Dashnor Dervishi, kandidat për postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Greqi prezantoi përpara anëtarëve të Komisionit të Jashtëm objektivat dhe prioritetet e tij në ushtrimin e kësaj detyre.
Zoti Dervishi e cilësoi emërimin e tij si një detyrë të rëndësishme përsa i përket rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të urave lidhëve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Ai theksoi se detyra e tij si përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Athinë ka një rëndësi të veçantë pasi Greqia është një partner strategjik politiko-ekonomik, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, europian por edhe më gjerë.
“Greqia është për Shqipërinë një partner strategjik përsa i përket marrëdhënieve politiko-ekonomike, bashkëpunimit europian por edhe më gjerë. Një nga detyrat kryesore do të jetë vendosja e kontakteve në nivel presidencial, qeveritar dhe parlamentar, në thellimin e bashkëpunimit, rritjen e shkëmbimit të vizitave si dhe forcimin e këtyre urave të kontaktit” u shpreh zoti Dervishi.
Një vëmendje të veçantë, zoti Dervishi i kushtoi edhe emigrantëve shqiptarë në Greqi duke shprehur garancinë se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të punojë për një trajtim sa më njerëzor në kuadër të respektimit të të drejtave të tyre.
Po ashtu, Dervishi vuri theksin edhe tek rëndësia e thellimit të bashkëpunimit me Greqinë lidhur me shkëmbimet tregtare.
Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër



Komente: