Legalizimi në Ambasadën Greke, tani vetëm në postë

14 January, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Sipas bisedës me zëdhënësin e Postës Shqiptare, z. Bruno Gjymshana

Posta Shqiptare ka nisur që nga dita e martë shërbimin e legalizimit të dokumentave në Ambasadën Greke në Tiranë, për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Burime nga Posta Shqiptare, bënë të ditur se tashmë çdo qytetar mund t’i dërgojë dokumentat nga rrethi apo qyteti ku banon për në Ambasadën Greke me postë dhe ky shërbim kryhet brënda 48 orëve nga momenti i postimit.

Shërbimi i ri i legalizimit të dokumenteve për shtetasit shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ka për qëllim jo vetëm lehtësimin e nevojave të qytetarëve dhe shmangien e radhëve të stërzgjatura në dyert e ambasadës, por dhe lehtësimin e punës së këtij institucioni për t’iu përgjigjur në kohë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.

Tarifat e shërbimit postar për legalizimin e dokumenteve për qytetarët në rrethe është 380 lekë, ndërsa për ata të Tiranës 240 lekë. Informacioni për mënyrën e aplikimit gjendet në çdo sportel të Postës Shqiptare të çdo qyteti.

Sipas Postës Shqiptare, qytetarët mund të paraqiten pranë zyrave postare të rrethit ku banojnë për të postuar dokumentet e tyre për legalizim pa qenë nevoja të shkojnë në Tiranë për t’i dorëzuar ato.

Tashmë Posta Shqiptare ka një përvojë të suksesshme në realizimin e shërbimeve të këtij lloji si ai i legalizimit të dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shpërndarjen e dokumentave hipotekore, etj.

Tribuna kontaktoi me zëdhënësin e Postës Shqiptare Sh.A., zotin Bruno Gjymshana, i cili shpjegoi hollësisht procedurën, se si një emigrant që ndodhet në Greqi, mund të autorizojë (me anë të një deklarate përgjegjësie –ipefthini dilosi), një të afërmin e vet në Shqipëri, për t’i kryer procedurën. Deri më tani, ishte e nevojshme që të interesuarit të telefononin në zyrën konsullore të Ambasadës greke në Tiranë, të mbyllnin takim, që shpesh lihej për tre katër muaj më vonë e të shkonin vetë të paraqiteshin, ose duhej të shkonte gjithsesi dikush që kishte lidhje të afërt familjare me të interesuarin.

Tashmë, ky problem tejkalohet dhe zgjidhja e ofruar mendojmë se është më e mira e mundshme.

“Në të gjitha sportelet e Postës Shqiptare ka filluar shërbimi i legalizimit të dokumentave për shtetasit Shqiptarë. Kushdo që ka patur një eksperiencë të tillë më parë ka ndeshur me shumë vështirësi burokratike dhe financiare. Shërbimi i legalizmit të dokumentave për shtetasit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ka filluar që më datën 5 Janar 2009 dhe ka për qëllim jo vetëm lehtësimin e nevojave të qytetarëve dhe shmangien e radhëve të stërzgjatura në dyert e ambasadës, por dhe lehtësimin e punës së këtij institucioni për t’iu përgjigjur në kohë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Ato mund të paraqiten pranë zyrave postare të rrethit ku banojnë për të postuar dokumentat e tyre për legalizim pa qënë nevoja të shkojnë në Tiranë për t’i dorëzuar ato.

Tashmë Posta Shqiptare ka një përvojë të suksesshme në realizimin e shërbimeve të këtij lloji si ai i legalizimit të dokumentave në MPJ, shpërndarjen e dokumentave hipotekore etj. Ky shërbim i ri i lehtëson qytetarët të cilët kanë nevojë të kryejnë legalizimin e dokumentave në Amasaden greke. Për ta përfituar këtë shërbim, qytetarët mund të paraqiten prane zyrave postare në qytetin ku banojnë, pa qënë e nevojshme të vijnë në Tiranë.

Është shërbim që do te krijojë lehtesira jo vetem per kursimin e shpenzimeve, por dhe për shmangien e radhëve të gjata si dhe kursimin e kohës së qytetarit. Është shërbim që kryhet brenda 48 orëve nga momenti i postimit.

Për menyren e aplikimit informacion i plotë gjendet në çdo sportel të Postës shqiptare të çdo qyteti. Po aty është i gjithë informacioni i duhur për mënyrën sesi do të aplikohet.

Tarifat e shërbimit postar janë:

- për qytetarët në rrethe 380 lek

- për qytetarët e Tiranës 240 lek.

Mënyra e aplikimit:

1. Për çdo shtetas që është prezent në legalizimin e dokumentit kërkohet përveç dokumentit që do të legalizohet një fotokopje e pashaportës së tij.

Dokumenti të jetë i legalizuar më parë në MPJ në Tiranë si dhe të jetë kryer pagesa e detyrimit për Ambasadën Greke pranë Alfa Bank në shumën 2500 lek për çdo dokument që do të legalizohet në Ambasadën Greke.

2. Për shtetasit shiptarë të cilët nuk janë prezentë

përveç dokumentit që do të legalizohet, kërkohet një deklaratë përgjegjësie e cila merret në autoritetet policore Greke ose pranë bashkive të këtij shteti si dhe fotokopja e pasaportës të personit të autorizuar për kryerjen e këtij shërbimi. Theksojmë që deklaratat e përgjegjësisë duhet të jenë vetëm nga autoritet Greke.

“Posta Shqiptare ju garanton për siguri, shpejtësi dhe komoditet për mbarëvajtjen e këtij shërbimi si dhe i bën thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten pranë zyrave postare të qyteteve të tyre për ta përfituar këtë shërbim, pasi nuk është nevoja të vijnë deri në Tiranë duke humbur në këtë mënyrë kohë dhe para”, përfundon zëdhënësi i Postës Shqiptare, z. Gjymshana.

Marre nga Gazeta Tribuna.

Komente: