Ministri grek: Komplimente për emigrantët shqiptarë në Greqi
29 March, 2010 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Ministri grek i mbrojtjes së qytetarit, Mihalis Krisohoidis gjatë vizitës që bëri në Tiranë dhe pas takimit me homologun e tij shqiptar Lulzim Basha, është shprehur me fjalët më të mira për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, si dhe fëmijtë e tyre, për të cilët hapet rruga e fitimit të nënshtetësisë greke.
Krisohoidis është deklaruar si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe për këtë arsye, siç tha, ka bërë shumë vizita në vendin fqinj, ndërsa e njeh shumë mirë historinë dhe kulturën shqiptare.
Ai ka vlerësuar bashkëpunimin me palën shqiptare për luftimin e krimit të organizuar, por edhe përpjekjet e Tiranës në procesin e liberalizimit të vizave.
Gjatë konferencës për shtyp, ministri grek i mbrojtjes së qytetarit është ndalur gjatë edhe në çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe ka theksuar se ata që kryejnë vepra penale, nuk janë njerëz që kanë ardhur në Greqi për të punuar, si shumica dërrmuese e bashkatdhetarëve të tyre, por vetëm për të kryer vepra kriminale.
Njëkohësisht, zoti Krisohoidis ka vlerësuar me superlative rolin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke theksuar se ata përbëjnë një element pozitiv për zhvillimin e vendit.
Më hollësisht deklarat e ministrit grek për kriminalitetin dhe emigrantët janë si më poshtë:
“Për fat të keq më duhet të pranoj se vitet e fundit është shtuar kriminaliteti në radhët e të huajve në Greqi, pa përjashtuar që në këto rrjete kriminale nuk marin pjesë edhe grekë, në shumë raste në krye të rrjeteve janë grekë që ndiqen nga të huaj. Fenomeni i kriminalitetit ka njohur rritje, është ngritur në stadin e krimit të organizuar. Ka elementë shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë përfshirë në nivele të rëndësishme në fenomenin e përgjithshëm të kriminalitetit në Greqi. Meqënëse shqiptarët përbëjnë përqindjen më të madhe të emigrantëve në total në Greqi, edhe ata që bëjnë pjesë në veprimtari kriminale përbëjnë numrin më të madh.
Dëshiroj të sqaroj dy gjëra.
E para, ka rrjete të organizuara kriminale që veprojnë edhe në Greqi edhe këtu, sepse edhe këtu tentojnë të pastrojnë para, dhe e dyta më të shumtit nga këta që marrin pjesë në këto rrjete kriminale nuk janë punonjës emigrantë në kuptimin klasik të fjalës, janë elementë kriminalë që kanë ardhur në Greqi vetëm për të kryer veprimtari kriminale, këtë fenomen duam të eleminojmë. Prandaj bashkëpunojmë dy vendet tona dhe vendet e tjera, sepse këto rrjete janë rrjete ndërkombëtare tashmë.
Jam i lumtur të them se bashkësia e shqiptarëve në Greqi, emigrantët shqiptarë në Greqi janë njerëz punëtorë, që kanë arritur sukses, janë krijues, janë rezultativë qoftë për ekonominë e Greqisë, qoftë për Shqipërinë dhe përbëjnë element zhvillimi për vendin. Kemi një sërë profesionesh në Greqi që ushtrohen ekskluzivisht nga qytetarë shqiptarë, si profesionet teknike psh, tani po futen edhe në tregti, ashtu sikundër fëmijët e emigrantëve kanë vazhduar shkollën, kanë mbaruar universitetin dhe punojnë tani në sektorë të ndryshëm të vendit tonë. Meqenëse jam nga ata që njoh mirë kulturën dhe traditën shqiptare, për shumë vite kam studiuar si historinë edhe kulturën shqiptare, dëshiroj të ju them se gëzohem shumë që shumë fëmijë emigrantësh shqiptarë qoftë të brezit të parë, por sidomos të brezit të dytë japin kontributet e tyre në art, në kulturë, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në veprimtaritë kulturore në vend.
Burimi : Gazeta Tribuna.
Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër


Komente: