Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shpjegon ekskluzivisht për Tribunën gjithë procesin e pajisjes me karta të reja identiteti dhe pasaporta

31 January, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Që prej ditës së hënë në gjithë Shqipërinë kanë filluar aplikimet për pajisjen me kartat e reja të identitetit (letërnjoftimet) dhe pasaportat biometrike. Sigurisht se kjo është një arritje e madhe, në rrugën e modernizimit të vendit dhe integrimit në familjen europiane
 
Në udhëzimet e publikuara nga ministria e brendshme parashikohen gjithë hapat që duhet të ndiqen. Infrastruktura e krijuar ofron garanci për kryerjen pa sorollatje (siç ka ndodhur rëndomë deri më tani) të të gjitha veprimeve dhe pajisjen me letrënjoftim brenda një periudhe shumë të shkurtër

Procesi i aplikimit zgjat pak minuta. Nis me paraqitjen e kuponit, verifikimin e identitetit nëpërmjet regjistrit elektronik të gjendjes civile, marrjen e shenjës së 10 gishtave, fotografisë dhe firmës elektronike. Pas kësaj, qytetari kthehet pas një muaji në vendin që ka aplikuar, pasi dokumenti aktivizohet dhe funksionon vetëm me shenjen e gishtave të personit që i përket. Ky proces ka nisur fillimisht në kryeqytet dhe pritet të shtrihet së shpejti në gjithë vendin.

Për personat që nuk u përgjigjen afateve të caktuara sipas kategorive, parashikohen edhe sanksione, dhe mendojmë se është e natyrshme, përderisa bëhet fjalë për një proces sipëror në jetën e dhe veprimtarinë e njeriut. Letërnjoftimi i ri, “heq nga qarkullimi” çertifikatat, gjë që është jashtëzakonmisht e rëndësishme sidomos për emigrantët shqiptarë në Greqi, që për vite të tëra kanë hequr “të zitë e ullirit” dhe shpeshherë e “kanë paguar si frëngu pulën”…

Tribuna iu drejtua njeriut që, më shumë se kushdo tjetër e mbajti mbi supet e veta dhe e realizoi këtë mision të vështirë, ministrit të brendshëm Bujar Nishani, për të mësuar më shumë hollësi rreth procesit.

Në intervistë, zoti Nishani sqaron sidomos çështjet që u interesojnë më së shumti emigrantëve. Pra, nëse ata do të kenë sanksione nga mosparaqitja brenda afateve, lehtësirat që do t’u krijohen në zyrat e aplikimit, mundësisë për të marrë pjesë në votimet e 28 qershorit, etj.

Është e rëndësishme të theksohet se, përkundër asaj që përcollën disa media, për emigrantët nuk ka afate të rrepta se deri kur duhet të aplikojnë. Ministri është mjaft i qartë në përgjigjen e tij:

“Ajo që ne kemi parashikuar për emigrantët është se ata nuk preken nga sanksionet që ne kemi parashikuar për qytetarët që jetojnë në Shqipëri. Pra emigrantët nuk janë të detyruar të aplikojnë brenda afateve që ne kemi përcaktuar për qytetarët e tjerë. Emigrantët do të aplikojnë kur ata të vijnë në Shqipëri, atëherë kur ata do ta kenë të mundur të vijnë”.

Më poshtë, vijon e gjithë intervista me ministrin e Brendshëm, zotin Bujar Nishani:

- Zoti ministër, prej të hënës ka filluar aplikimi për pajisjen me kartën e re të identietit. Si e vlerësoni interesimin e qytetarëve në këto ditë të para?

“Fillimi i procesit të aplikimit është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i shumëpritur. Interesimi dhe reagimi i qytetarëve na ka surprizuar, në kuptimin më pozitiv të fjalës. Një reagim shumë i përgjegjshëm i cili iu përgjigj po ashtu seriozitetit dhe angazhimit të qeverisë për ta bërë realitet një proces të tillë, i cili dukej si i pa realizueshëm më parë”.

- Nga shtypi jemi njohur me disa prej afateve për kategori të ndryshme dhe sanksionet që do të kenë nëse nuk respektohen afatet. A mendoni se fluksi do të mund të përballohet brenda afateve të caktuara, apo, në rast nevoje, do të shtohen qendrat e aplikimit, përtej 400 që keni njoftuar?

“Të gjitha kapacitetet që ne kemi në dispozicion, qoftë të sistemit të aplikimit ashtu dhe të sistemit të prodhimit dhe shpërndarjes e përballojnë tërësisht çdo fluks. Kapaciteti i prodhimit varion nga 15 mijë deri 18 mijë letërnjoftime në ditë. Megjithatë ne do ta monitorojmë procesin nga afër çdo ditë dhe do të ndërhyjmë për të tejkaluar apo përmirësuar çdo shqetësim apo vështirësi që mund të shfaqet. Më duhet të sqaroj se çdo qendër aplikimi ka disa poste në dispozicion për aplikim si dhe orari i funksionimit të tyre do të jetë 12 orë në ditë”.

- Disponimi i kartave të reja të identietit dhe i pasaportave biometrike, sa e përafron qytetarin shqiptar me vendet e BE-së; sa e lehtëson procedurën e pajisjes me vizë, qoftë kombëtare, qoftë Shengen?

“Është një nga hapat dhe kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe lëvizjes së lirë. Në të gjitha takimet zyrtare me institucionet europiane, po ashtu në të gjitha raportet dhe dokumentat e lëshuara nga këto institucione theksohet si parësor ky kriter. Kështu që me realizimin e tij do të jemi shumë afër një realiteti të tillë. Përsa i takon lehtësive, brenda vendit, paisja me letërnjoftimin apo kartën e identitetit siç emërtohet rëndom, ajo do të ketë një impakt në të gjitha shërbimet publike që kërkojnë qytetarët në jetën e përditshme. Së pari, nuk do të ketë më nevojë për çertifikata. Pra qytetarëve nuk do t’u kërkohen çertifikata në asnjë institucion ku ata kërkojnë shërbime. Identiteti i tyre është i pa falsifikueshëm nga askush. Në letërnjoftim çdo qytetar do të ketë numrin e tij personal i cili është unik për secilin dhe i pamanipulueshëm”.

- Rreth 30% e popullsisë shqiptare ndodhet në emigracion, jashtë shtetit, shumica dërrmuese në Greqi. Si është menduar të realizohet përfshirja e tyre në këtë proces. A do të munden, bie fjala, që të marrin në të njëjtën kohë, edhe kartën e identitetit, edhe pasaportën e re?

“Ju falënderoj për këtë pyetje, pasi është shumë i rëndësishëm sqarimi i këtij procesi për emigrantët.

Së pari, më duhet të sqaroj se emigrantët duhet të paraqiten për të aplikuar pranë zyrave të gjendjes civile në bashkitë dhe komunat ku ata kanë regjistrin e gjendjes civile në Shqipëri, pasi së pari duhet të depozitojnë shenjat e gishtave dhe t’u merret fotografia biometrike. Gjithashtu kjo është e detyrueshme pasi sistemi elektronik i aplikimit është i lidhur on-line me regjistrin e gjendjes civile nëpërmjet një rrjeti transmetimi të dhënash on-line i cili funksionon vetëm brenda territorit shqiptar.

Por ajo që ne kemi parashikuar për emigrantët është se ata nuk preken nga sanksionet që ne kemi parashikuar për qytetarët që jetojnë në Shqipëri. Pra emigrantët nuk janë të detyruar të aplikojnë brenda afateve që ne kemi përcaktuar për qytetarët e tjerë. Emigrantët do të aplikojnë kur ata të vijnë në Shqipëri, atëherë kur ata do ta kenë të mundur të vijnë.

Aplikimi, mund të bëhet njëkohësisht si për kartën edhe për pasaportën, pasi është i njëjti formular aplikimi dhe të njëjtat të dhëna që përdoren për të dy dokumentat si dhe është e njëjta qendër që prodhon dhe shpërndan të dyja dokumentat. Pra emigrantit si çdo qytetari tjetër, do t’i duhet të paraqitet vetëm një herë dhe vetëm në një zyrë”.

- Si do të realizohet konkretisht kjo. Do të kenë prioritetet emigrantët në qendrat e aplikimit, në çdo moment që do të paraqiten, apo bie fjala, vetëm kur të vijnë masivisht për pashkët, apo për pushimet verore?

“Natyrisht do të marrim masa të posaçme për të shtuar infrastrukturën gjatë periudhave të festave apo pushimeve, kur vijnë masivisht emigrantët. Gjatë periudhës tjetër nuk do të jetë e nevojshme dhënia e prioriteteve të veçanta. pasi nuk do të jetë e nevojshme. Procesi nuk do të ketë radhë të gjata. pasi siç thashë, në çdo zyrë aplikimi do të ketë disa poste për t’u paraqitur, si dhe vetë procesi i aplikimit zgjat nga 5 deri 10 minuta, maksimumi”.

- Cila do të jetë procedura që do të ndjekin, pse nga shtypi jemi informuar vetëm për procedurën mbi kartat e identitetit…

“Procedura do të jetë unike. Në çdo sportel të zyrave të Postes Shqiptare mund të paraqitesh dhe të paguash për kartën e identiteti (1. 200 lekë) dhe pasaportën (6. 000 lekë). Pas pagesës merr kuponat përkatës dhe me to paraqitesh në zyrën e aplikimit pranë zyrave të gjendjes civile në bashkinë apo komunën ku ke regjistrimin e gjendjes civile. Aty punonjësit e këtyre zyrave plotësojnë elektronikisht formularin me të dhënat e statusit civil, me adresën përkatëse, i marrin shenjat i gishtave, e nxjerrin aplikuesin në fotografi dhe pas 10 ditësh letërnjoftimi dhe pasaporta janë gati për t’u tërhequr po në të njëjtën zyrë”.

- A do të ketë një periudhë të ndërmjetme deri në daljen përfundimtare nga qarkullimi të pasaportave ekzistuese?

“Po, do të ketë. Pasaportat aktuale do të jenë të vlefshme deri në Janarin e vitit 2011. Pas kësaj periudhe ato do të dalin nga qarkullimi. Por pasaportat e reja mund të fillojnë të përdoren nga kushdo që në këto momente. Përdorimi i tyre do të jetë më i favorshëm për të përfituar viza apo dhe lëvizje të lirë”.

- Në rast se një emigrant nuk është pajisur me kartën e re brenda periudhës kur parashikohet të mbahen zgjedhjet, a do të mundet ai të votojë në rast se vjen në Shqipëri. Dhe dua t’ju vë në dukje se një numër shumë i madh emigrantësh dëshiron të marrë pjesë në votimet e sivjetme.

“Patjetër që do të mundet të votojë, dhe dokumenti që ai do të duhet të paraqesë për identifikim do të jetë pasaporta aktuale që ata kanë për të udhëtuar jashtë vendit.

Pra në kodin zgjedhor si dokumenta identifikimi për zgjedhësin janë parashikuar letërnjoftimi i ri dhe pasaporta aktuale e udhëtimit për jashtë”.

- Dhe së fundi, emigrantët që do të pajisen me pasaporta të reja do të duhet të vendosin në to pullen e lejes së qëndrimit. A është menduar të bisedohet me palën greke, kështu që ky proces të kryhet pa shumë zvarritje?

“Unë besoj se vetë disponimi i një dokumenti të tillë do të lehtësojë shumë kërkesa apo procedura, për vetë faktin se rrisin shumë besueshmërinë e dokumentit. Pasaporta është prej polikarbonati, me çipin elektronik brenda faqes së saj të parë dhe çipi përmban të gjtha të dhënat e mbajtësit, përfshirë edhe shenjat e gishtave të tij, me shumë elementë sigurie, shumica e të cilëve të pa dallueshëm me sy. Fotografia dhe të gjitha shkrimet do të jenë të stampuara në pasaportë me metodën e gdhendjes lazer-engrave. Gjithsesi ne jemi dhe do të mbetemi në ndjekje të çdo problemi apo shqetësimi të emigrantëve që do të kërkojë zgjidhje”.

 
Gazeta Tribuna

Komente: