Ministrja greke Bakojanis në Tiranë, anulohet protesta

9 February, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, që mbërrin sot për një vizitë zyrtare në Shqipëri, do të bisedojë për një sërë çështjesh dypalëshe me zyrtarët shqiptarë. Nderkohe Komuniteti çam ka anuluar protestën e paralajmëruar për ditën e sotme

TIRANE-Komuniteti çam ka anuluar protestën e paralajmëruar për ditën e sotme në Tiranë, me rastin e mbërritjes për një vizitë zyrtare njëditore në vendin tonë, të ministres së Jashtme greke, Dora Bakojanis. Vendimi është marrë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga organizatorët e këtij tubimi. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Shoqatës “Çamëria”, Ardian Tana bëri të ditur se anulimi i protestës është bërë për interesat madhore të vendit.
Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, që mbërrin sot për një vizitë zyrtare në Shqipëri, do të bisedojë për një sërë çështjesh dypalëshe me zyrtarët shqiptarë. Sipas një njoftimi të djeshëm për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, thuhet se “subjekti kryesor i bisedimeve të ministres do të jetë progresi i Shqipërisë në zbatimin e programeve të OSBE-së, që bëhen në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, siç janë reforma legjislative, regjistrimi i pronave dhe mbrojtja e të drejtës së pronës”. Në marrëdhëniet dypalëshe Tiranë-Athinë, Bakojanis pritet të sjellë edhe premtimin e ratifikimit të shpejtë të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë qëndrimit të saj disaorësh në Tiranë, ajo do të bisedojë fillimisht me homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha dhe më pas me Presidentin Bamir Topi dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Komente: