Njerëz dhe ngjarje gjatë javës
12 June, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Shtrëngoni radhët vëllezër. Votat tona plumb për armikun. I kujtova dje këto dhe të tjera citate të tjera “të lavdishme” kur ra telefoni dhe nga ana tjetër e telit ishte një aktiviste shqiptare që ftonte bashkatdhetarët të ndodheshin në tubimin masiv mbarëpopullor të PASOK-ut. Partisë mëmë të emigrantëve, siç u mundua të më shpjegonte (me mungesë të madhe mirësjellje është e vërteta) militantja emigrante.
Dhe m’u kujtua sot për dreq se këto partitë politike të Greqisë, kujtohen për emigrantët vetëm kur vijnë zgjedhjet. Do më thuash se nuk votojnë emigrantët dhe jam ngatërruar. More të drejtë ke ti po, të drejtë kanë edhe partitë. Emigranti nuk voton po, sheshin e mbush ama. Flamurin e tund. Duartrokitjet i ka të zjarrta dhe zhurmëbërëse. Merre me mend një duartrokitje ndërtuesi emigrant, sa zhurmë bën dhe sa shumë dominon mbi një duartrokitje që vjen nga duart e buta të një zyrtari militant vendas.
Sheshi të mbushet, lideri të flasë e të ndihet se rrethohet nga dashamirës që presin me padurim çdo rrokje që ncjerr nga goja e tij e mjaltëtë dhe kush po pyet për prejardhjen e brohoritësve. Megjithëse të them të drejtën, po të mos qe nga PASOK-u “ftesa-urdhresë”, nuk të fsheh se do më zinte frika. Po po, frika do më zinte.
Ku ta dish i dashuri im se, nuk është ndonjë plan zullumqar i i grekëve të mbledhin emigrantët në një shesh të vetëm, ti lenë të brohorasin e të çirren me pankarte, parrula, flamuj e portrete të kryetarit dhe me të mbaruar grumbullimi të vijnë makinat embyllura të policisë e të mbledhin emigrantët e bashkuar?

Po e çoj pak më tej frikën djallëzore dhe komplotin që më polli mendja. Pas mitingut të të bujshëm të socialistëve grekë (me pjesmarrjen edhe të qindra bashkatdhetarëve tanë), thashë në momentin që më ftuan, ka gjasa të mbledhin emigrantë e t’i çojnë direkt në Shqipëri.
Zgjedhje kemi edhe atje. Mitingje bëhen edhe atje. A, se mu kujtua tani afër mbylljes. Kryeekzekutivi i 36% të shqiptarëve (kjo është përqindja që ka sëbashku me aleatët e tjerë ballistë – ilegalë – republikanë – minoritarë – antikomunsitë) në mitingun e fundit që bëri në Tiranë, u detyrua të lerë fjalën në mes. Jo në mes po, sapo e filloi dhe e la. Nisi një shi e një rrebesh, një stuhi dhe një kiamet që, nuk e kishte parë kurrë sheshi. Gojët e këqija thonë se shiu filloi sapo ekzekutivi i kreut nisi të nxirrte shkumë ndaj komunistëve. I çuditur qielli nga shkumët, vuri bast me veten nëse mundte të hidhte edhe ai po kaq shkumë. Për çudi në fakt se, qielli asnjëherë nuk ka qenë komunist. Në kundërshtim me shkumënxjerrësin.
Në Greqi ndërkohë, në mitingun e kryeministrit grek, rrebeshi nisi sapo ai filloi të fliste për luftën ndaj korrupsionit. Atje ku ngriti zërin lideri i djathtë dhe tha se “po i shpallim luftë korrupsionit dhe po qe se nuk e besoni edhe kësaj here, i lutem qiellit të hapë derën e rrebeshit” për çudi qielli e dëgjoi.
I habitshëm qielli. Nuk bindet as ai nga liderët.
E Hene, 08 Qershor 2009 GAzZETA TRIBUNA


Komente: