Pa konkurs, në universitete

17 July, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Nga Elona Kataro

20 – 30 korrik 2009, kërkesat për aplikim

Të huajt që kanë kryer studimet e mesme në Shqipëri, por edhe fëmijët e emigrantëve që mbaruan liceun në Greqi, mund të kërkojnë të drejtë studimi për shkollë të lartë pa qenë e nevojshme të konkurrojnë për të.

Për të përfituar këtë të drejtë, ata duhet të aplikojnë pranë Ministrisë së Arsimit. Kjo ministri ndodhet në Marusi, shumë afër stacionit të trenit elektrik, Neranxiotisa, në krah të qendrës tregtare The Mall.
Afati i dorëzimit të dokumenteve është 20 me 30 korrik dhe ora e takimit pranë kësaj ministrie fillon pas orës 12 paradite.
Kusht kryesor për shqiptarët që kanë mbaruar shkollën e mesme në Shqipëri është që dëftesa e pjekurisë të jetë legalizuar pranë drejtorisë arsimore të rrethit të tyre, si dhe të jetë legalizuar pranë ministrisë së arsimit në Tiranë. Për dokumentet e tjera fare mirë mund të ndihmojnë edhe zyrat konsullore të ambasadës shqiptare në Athinë apo të konsullatave në Selanik dhe Janinë.
Nëse mungon një dokument, përsëri mund t’i drejtoheni ministrisë që në datën 20 korrik, të hapni dosjen tuaj personale dhe dokumentin që mungon ta dorëzoni më vonë brenda 10 ditorit, ose ndoshta dhe pak më vonë se 30 korriku, me një marrëveshje të heshtur…
Për t’ju ardhur në ndihmë, po botojmë më poshtë udhëzuesin e lëshuar nga ministria e arsimit me dokumentet e kërkuara. Udhëzues për aplikimin në universitetet greke Përfitojnë:
- Të huajt që kanë mbaruar shkollat e mesme në shtete jashtë BE-së
- Të huajt që kanë mbaruar shkollat e mesme në
shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe që nuk kanë kombësi greke
Në bazë të ligjit 151/20049/B6/20.02.2007 botuar në Fletoren Zyrtare (fek 272B/ 01.03.2007) parashikohen kategori të ndryshme kandidatësh për të cilët vlejnë rezoluta të posaçme për regjistrimet e tyre në shkollat e arsimit të lartë grek. Dy nga këto kategori janë: – Të huajt që kanë mbaruar studimet e arsimit të mesëm në shkollat e mesme jashtë BE-së – Të huajt që kanë mbaruar shkollat e mesme në shtetet e BE-së, por nuk janë me kombësi greke. Kandidati mund të aplikojë nëse i përket një prej këtyre kategorive dhe nuk ka as ai, as prindërit e tij kombësi greke.
Të huajt që plotësojnë këto kushte duhet të aplikojnë pranë ministrisë së arsimit nga data 20 korrik deri më 30 korrik 2009, duke paraqitur dokumentacionin e duhur, si dhe të plotësojnë kërkesën për të përzgjedhur degët që dëshirojnë.
Dokumentacioni mund të dorëzohet nga vetë i interesuari, ose nga një person tjetër i autorizuar në vend të tij. Kandidati duhet të ketë me vete vizë ose leje qëndrimi kur dorëzon dokumentet, për të provuar ligjshmërinë e tij në Greqi. Në rast se dokumentet dorëzohen nga dikush tjetër me autorizim, kërkohet një deklaratë (ipefthini dhilosi) ku të shkruhet se i interesuari ndodhet jashtë shtetit.
Nëse i interesuari ndodhet në Greqi, por dokumentet e tij përsëri dorëzohen me autorizim, atëherë këto dokumente duhet të shoqërohen me një fotokopje të pasaportës dhe të lejes së qëndrimit në Greqi të kandidatit, të vulosur në KEP.

Më shumë tek gazeta Albaniapress 94.

Komente: