Patentat, fillojnë së shpejti negociatat me Greqinë

3 November, 2008 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më poshtë

Nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen dhe kovertimin e patentave shqiptare që u realizua këtë javë gjatë vizitës së ministrit të jashtëm italian Fratini, në Tiranë, hap rrugën që e njëjta marrëveshje të nënshkruhet edhe me Greqinë.

Këtë për Tribunën e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë së Politikave Rrugore në ministrinë e Transporteve, zoti Kujtim Hashorva, i cili ka qenë këto ditë në Athinë, në përbërje të një delegacioni shqiptar që zhvilloi bisedime në kuadër të komisionit dypalësh të transporteve.

Sipas zotit Hashorva, takimi është karakterizuar nga një frymë miqësore e konstruktive dhe pala greke ke pranuar të marrë në konsideratë gjithë sugjerimet e paraqitura nga pala shqiptare, për një sërë çështjesh, që lidhem me transportin e udhëtarëve dhe të mallrave.

Nga pala jonë është shtruar edhe problemi i njohjes dhe konvertimit të patentave shqiptare në Greqi, që përbën aktualisht ndoshta shqetësimin më të madh që kanë bashkatdhetarët tanë, më të madh edhe se vonesat në dhënien e lejeve të qëndrimit.

Delegacioni shqiptar i ka njohur homologët grekë me ecurinë e negociatave me palën italiane (takimi në Athinë u zhvillua para nënshkrimit të marrëveshjes). Ata gjithashtu kanë argumentuar se patentat e reja shqiptare përmbajnë elementët e sigurisë, më mirë edhe se patentat e disa vendeve të BE-s, duke përmbushur gjithë parametrat e nevojshëm.

Pala greke fillimisht ka shfaqur rezerva ndaj kërkesës së delegacionit shqiptar, duke u justifikuar se pengesë për konvertimin e patentave shqiptare janë udhëzimet e Komisionit Europian. Por këmbëngulja argumentuse e delegacionit shqiptar, përfundimisht i ka “thyer” të zotët e shtëpisë.

Ata janë përgjigjur që, po qe se Shqipëria nënshkruan marrëveshjen me Italinë, pala greke është e gatshme të fillojë negociatat që e njëjta marrëveshje të nënshkruhet edhe me Greqinë.

I pyetur nga Tribuna, zoti Hashorva nuk e përcaktoi se kur do të fillojnë negociatat, por beson se kjo do të ndodhë shpejt.

Sipas drejtorit të Drejtorisë të Politikave Rrrugore, Ministria shqiptare e transporteve ka bërë ndërkaq veprimet e para, duke informuar Komisionin Europian për këtë iniciativë. Përgjigjja pozitive nga Brukseli ka mbërritur menjëherë dhe nga Komisioni Europian është thënë se ata nuk nxjerrin asnjë pengesë për marrëveshjet bilaterale që mund të arrihen për zgjidhjen e këtij problemi.

Në përpjekje për t’u shpejtuar procesi i nënshkrimit të marrëveshjes edhe me Greqinë, nuk përjashtohet që brenda kësaj jave të ketë edhe një bisedë telefonike ndërmjet dy kryeministrave, Berisha e Karamanlis, që vazhdimisht i janë referuar miqësisë personale që ekziston ndërmjet tyre. Tani është koha që kjo miqësi të provohet.

Ç’parashikon marrëveshja me Italinë

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, ka nënshkruar me ambasadorin italian në vendin tonë, Saba D’Elia, “Marrëveshjen për njohjen reciproke dhe konvertimin e lejeve të drejtimit të automjeteve”. Kjo marrëveshje do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar në Itali, si dhe për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët shkojnë për qëndrim provizor në vendin fqinj.

“Për shqiptarët rezidentë ose për ata që shkojnë për studime ose qëndrime të gjata në Itali,i në bazë të marrëveshjes, u njihet e drejta të përdorin për 1 vit patentën shqiptare dhe pas një viti, ajo mund të konvertohet pa pagesë automatikisht më patentën Italiane (kjo është reciproke).”, – ka deklaruar Kujtim Hashorva, drejtor i Politikave të Transportit Rrugor.

Shqiptarët, të cilët prej kohësh nuk kanë mundur të marrin patentën italiane dhe e kanë patentën shqiptare dhe që kanë qëndrim më tepër se 3 vjet në Itali, e drejta e konvertimit ju njihet pa kryer kurset e autoshkollave, por duke dhënë një provë mbi aftësitë dhe shprehitë e drejtimit të automjetit.

“Njohja dhe konvertimi i lejes së drejtimit shqiptare me lejen e drejtimit italiane, duke ditur që Italia është vend anëtar i BE, do të na krijojë mundësinë që të bëhet njohja dhe konvertimi i lejes së drejtimit me të gjitha vendet e tjera europiane.”, – ka shtuar Harshova, duke shtuar se procesi për njohjen dhe konvertimin e patentave pritet të nisë së shpejti edhe me Greqinë.

Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër

Komente: