Pluset dhe minuset e ligjit të ri

11 April, 2010 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

nga Rozafa Shkodrani

Më në fund, u hap rruga për të fituar nënshtetësinë greke nga emigrantët e ligjshëm që jetojnë në Greqi, por edhe regjimi i padrejtë që hynin deri më sot mijëra të huaj po ndryshon, duke marrë një drejtim më pozitiv dhe njerëzor

Siç pritej, pas votimit në parlament të ligjit të ri të ministrisë së brendshme, zërat që u lartësuan nuk ishin të gjithë pro zhvillimeve.

Duam të themi sa për zërat që bëjnë fjalë për “dritare” legalizimi të emigrantëve të paligjshëm, por edhe për të tjerë, si ai i Bashkimit Grek për të Drejtat e Njeriut, që këmbëngulin se me gjithë hapin pozitiv që u bë, “ekziston akoma hapësirë për më shumë përmirësime të projektligjit”. Avokati dhe sekretari i përgjithshëm i tij, zoti Janis Ioanidhis, flet për pikat pozitive dhe negative të projektligjit, i cili premton të zgjidhë një problem të madh dhe shumëvjeçar të shoqërisë greke.

Në vija të përgjithshme, cilat mund të marrim si pika pozitive të ligjit?

Gjëja bazë është se më në fund, emigracioni hyn në një rend. Në të shkuarën, karakteristike e të drejtës së nënshtetësisë ishte se nuk ekzistonin procedura logjike dhe demokratike, por as edhe garanci bazë për kërkuesit e nënshtetësisë greke. Gjithashtu, nuk ekzistonin garanci bazë, por as norma siguruese se çështja do të shkonte mirë edhe për shoqërinë greke. Një pikë e parë pozitive është afati kohor për përgjigjen ndaj kërkesës.

Së dyti, futet detyrimi i justifikimit në rast të mospranimit të kërkesës. Në thelb, gjëja më e rëndësishme është se tashmë nuk do të vlejë regjimi i vjetër i të drejtës së gjakut që përcaktonte të drejtën e nënshtetësisë. Bëhet fjalë për një “këmbëngulje” të vjetër, arkaike të shtetit grek, të cilën nuk e has kaq të theksuar, në asnjë nga vendet e tjera të BE-së, pasi ato e njohin emigracionin, të drejtat, por edhe trajtimin e të huajve si pjesë e shoqërisë së tyre, natyrisht në rast se një i huaj dëshiron të tregojë se mund të integrohet harmonikisht në shoqërinë e vendit ku ndodhet.

Ekziston zhvillim pozitiv me fëmijët e të ashtuquajturit “brezit të dytë të emigrantëve”?
Me ligjin e ri zgjidhet gjithashtu edhe çështja e kuptueshme që lidhet me ata fëmijë, ku atje vendoset një mundësi e re e marrjes së nënshtetësisë greke nëpërmjet deklaratës së prindërve të tyre. Bëhet fjalë për ndryshimin më të rëndësishëm në një “plagë të hapur”. Ata fëmijë u lindën dhe u rritën në Greqi dhe nuk njohin tjetër atdhe. Pra, ky problem i madh social duhej të zgjidhej.

BURIMI I LAJMIT Albaniapress

Komente: