Procedurat e Sherbimeve Konsullore prane Ambasades Shqiptare ne Athine
22 August, 2010 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Legalizim dokumentash
Për të bërë legalizimin e çertifikatave të ndryshme pranë Ambasadës Shqiptare,
shtetasit shqiptarë duhet, që fillimisht t’i legalizojnë, ato, pranë Ministrisë së Jashtëme në Tiranë, ose t’i noterizojnë pranë një Noteri Publik të licensuar nga Ministria e Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë.
Për dokumentat që nuk kanë kaluar procedurën e mësipërme do të kërkohet verifikim i tyre pranë autoriteteve kompetente në Shqipëri.
Për procedurën e vendosjes së fotografive në çertifikatat personale dhe ato familjare, sipas kërkesës së autoriteteve greke në kuadrin e legalizimit (për kartën jeshile), duhet që shtetasit shqiptarë të paraqesin për çdo person të familjes një dokument indentifikimi me fotografi (për personat mbi 16 vjeç pasaportën për udhëtime jashtë shtetit, ndërsa për personat nën 16 vjeç, leje kalimi ose çertifikatë me fotografi.
Legalizimi i dokumentave shkollore (dëftesë ose vërtetime shkollore). Dokumenti duhet të jetë legalizuar fillimisht nga Ministria e Arsimit (Drejtoria Përkatëse) dhe pastaj nga Mininistria e Jashtëme e Republikës së Shqipërisë.
Dokumenta të tjera të lëshuara nga autoritet shqiptare (vendime gjyqësore, vërtetime mjekësore etj.) duhet të jenë legalizuar paraprakisht nga Mininistria e Jashtëme e Republikës së Shqipërisë.
Për dokumentat që dorëzohen pranë zyrës së OADE-it për marrjen e kartës jeshile legalizohen vetëm çertifikatat familjare.
Taksa 30 USD
Shënim: Për procedurat e mësiperme shtetasit duhet të kenë me vetenga një fotokopje të dokumentit që do legalizojnë, që do të arshivohet pranë zyrës konsullore të kësaj Ambasade.
Taksa 30 USD
Prokura, Deklarata
Të gjithë shtetasit shqiptarë, që kanë nevojë të bëjnë prokura ose deklarata të ndryshme duhet paraqesin dokumentat e indentitetit, letërnjoftimin ose pasaportën ndërkombëtare tip i ri, (çerifikatë personale për ata që bëjnë dokumentat për pasaportë), qënia e tyre prezent në Zyrën Konsullore dhe të dhënat e personit që do të autorizojë.
Taksa 20 USD
Lidhje martese, leje martese
Shtetasit shqiptarë, që duan të kryejnë lidhjen e martesës (celebrimin) pranë Ambasadës duhet të paraqesin këto dokumenta:
Çertifikatë për lidhje martese e lëshuar nga Bashkia e qytetit (Komuna) për lidhje martese jashtë shtetit
Çertifikatë lindjeje (për lidhje martese) lëshuar nga gjëndja civile e njësisë së tyre të banimit, e cila duhet të jetë lëshuar tre muajt e fundit nga paraqitja e personit në ambasadë për kryerjen e veprimeve.
Të njëjtat dokumenta nevojiten dhe për të marrë Lejen e Martesës për ata shtetas që kërkojnë të lidhin martesën pranë autoriteteve greke.
Shënim: Fotokopjet e dokumentave të mësipërme arkivohen pranë Zyrës Konsullore të Ambasadës.
Taksa 30 USD
Vërtetim i dublikatave dhe i kopjeve
Shtetasit që kanë nevojë për të kryer procedurën e “vërtetimit të dublikatave dhe të kopjeve” me origjinalin, duhet të kenë me vete origjinalin e dokumentit që do të vërtetojnë si dhe nga një kopje për secilin dokument, të cilat arkivohen pranë Zyrës Konsullore të Ambasadës.
Taksa 30 USD
Rregjistrimi i fëmijëve në pasaporta
Për rregjistrimin e fëmijëve nën 16 vjeç në pasaportat e prindërve, duhet të paraqiten pasaportat e dy prindërve si dhe çertifikata e lindjes së fëmijës (në rast se fëmija ka lindur në Greqi, të paraqitet çertifikata e marrë nga gjëndja civile greke). Për kryerjen e këtij veprimi duhet të jetë prezent njëri nga prindërit.
Ky veprim kryhet pa pagesë
Për leje kalimi
Shtetasit shqiptarë që duan të pajisin fëmijët e tyreme moshë ndën 16 vjeç me leje kalimi duhet të paraqesin çertifikatën e lindjes së fëmijës , pasaportat personale të të dy prindërve si dhe fotografi të fëmijës.
Taksa 30 USD
Shtetasit shqiptarë në moshë mbi 16 vjeç, që për raste të veçanta kanë nevojë të pajisen me leje kalimi, duhet të kenë me vete dokument indentifikimi (çertifikatë) dhe të paraqiten personalisht pranë Zyrës Konsullore të Ambasadës.
Taksa 30 USD
Vërtetime të ndryshme
Shtetasit shqiptarë që kanë nevojë të marrin vërtetime të ndryshme pranë Zyrës Konsullore të Ambasadës, duhet të paraqesin dokumente mbi bazën e të cilave do të lëshohet vërtetimi. Për këtë duhet të kenë me vete një fotokopje të dokumentit që do të paraqesin, i cili do të arkivohet pranë Zyrës Konsullore.
Taksa 30 USD
Shënim
Orari i veprimeve pranë Zyrës Konsullore është cdo ditë nga hëna deri të premten prej orës 9:00 deri 13:00


Komente: