Provim për lejet e qendrimit 5vjecare.
30 July, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Emigrantët që kanë mbushur pesë vjet të ligjshëm në Greqi, kanë të drejtën të aplikojnë për leje qëndrimi 5-vjeçare. Kusht kryesor për këtë kategori emigrantësh, që janë rreth një e katërta e numrit të emigrantëve që ndodhen gjithsej në territorin helen, është që pranë bashkive të paraqesin dhe dëshminë e njohjes s gjuhës, historisë dhe kulturës greke, si dhe taksën prej 900 eurosh.Pushimet verore do të shërbejnë që emigrantët të çlodhen, për t’u përgatitur për provimet në stinën e vjeshtës. Po, ashtu siç ndodh rëndom kohët e fundit, emigrantët regjistrohen në kurset për mësimin e gjuhës, historisë dhe kulturës greke dhe pasi pajisen me dëshminë përkatëse, aplikojnë për leje 5-vjeçare.
Rreptësia e provimeve… Njohja e gjuhës, kulturës dhe historisë së një vendi, është një faktor bazë për t’u pajisur me leje qëndrimi afatgjata në shumë vende të botës. Por fakti që kjo metodë kërkohet të aplikohet dhe në Greqi, është disi paradoksal, pasi mënyra sesi është projektuar, lë shumë për të dëshiruar. Statusi i rezidentit afatgjatë, është kthyer në një dëshmi dështuese nga viti në vit, sepse vetë pjesëmarrja e emigrantëve (që nuk kap as 1000 vetë) është një shifër mjaft demoralizuese. Sigurisht që provimet që japin emigrantët nuk janë shumë të vështira. Numri kalues i emigrantëve është relativisht i madh, por besoj se për këtë ndikon fakti që shumë emigrantë ndodhen vite në territorin grek. Vite këto, të mjaftueshme për të mësuar shumë rreth vendit që kanë zgjedhu për të jetuar dhe punuar. … dhe vështirësitë e legalizimit Por nuk mjafton vetëm dëshmia e gjuhës, për t’u pajisur me leje qëndrimi 5-vjeçare. Një tjetër kusht mjaft i rëndësishëm, është që emigranti në fjalë të jetë në marrëdhënie pune, madje të ardhurat e tij vjetore të jenë mbi 8.500 euro.
Në këto kohë krize, është mjaft e vështirë që të sigurosh një vërtetim pune, e jo më kësisoj të ardhurash. Veç dokumentit nga zyra e tatimeve, si dhe shumës prej 400 ensimash për leje qëndrimi të varur dhe 300 ensimash për leje qëndrimi të pavarur, emigranti duhet të paguajë taksë 900 euro, për të përfituar statusin e rezidentit afatgjatë.
Të lodhur nga pengesat, të lodhur nga dosjet me mangësi, të lodhur nga kërkesat e vazhdueshme të bashkisë e periferisë, nga vonesat e lejeve të qëndrimit, nga pamundësia për të udhëtuar sa herë që e lyp nevoja, nga pamundësia për të hapur një aktivitet privat dhe një 1000 faktorë të tjerë, që i shtohen listës së gjatë të mundimeve të emigrantëve në Greqi, të gjithë do të dëshironin një leje 5-vjeçare, qoftë edhe kaq të kushtueshme. Po të ishin disi më mirë të informuar, nuk do t’i thoshin jo, këtij statusi europian. Bojkotojnë (pa dashje) lejet 5-vjeçare
Mund të imagjinoni një emigrant që punon gjithë këto vite në ndërtim apo bujqësi, pas pune të diskutojë me fqinjin e tij grek për Aristotelin, për Platonin, për 100 personalitetet më të famshme të Greqisë… në greqisht? Është mëse normale për emigrantët që kanë 19 vjet në Greqi dhe mjaft e vështirë për emigrantët që nuk kanë shumë vite këtu.
Megjithatë, kjo gjë nuk përjashtohet, nëse emigrantët ndjekin kurset e mësimdhënies së gjuhës dhe kulturës greke.
Megjithatë, nuk është Aristoteli, qëllimi i shumë emigrantëve, as mësimi perfekt i gjuhës greke, por nevoja për t’u pajisur me leje qëndrimi 5-vjeçare. Shumë emigrantë i bojkotojnë këto kurse, sepse nuk kanë njohuri të sakta rreth tyre. Dinë shumë pak ose aspak rreth tyre. Vetëm 890 kandidatë morën pjesë vitin e kaluar në këtë program. Nga 1214 kandidatë emigrantë që ishin regjistruar për t’u testuar, munguan 324 vetë. Pra, numri i emigrantëve të testuar për t’u pajisur me dëshminë e mbrojtjes së gjuhës, kulturës dhe historisë greke përkonte me shifrën 890 vetë! Në krahasim me fluksin e dendur të emigrantëve të ligjshëm në Greqi, 890 vetë është një numër i pakonsiderueshëm. Kjo do të thotë që po të vazhdohet të flitet me këto shifra, programe të tilla rezultojnë të dështuara!



Komente: