Sa i njihni zhvillimet më të fundit në mjekësi

21 October, 2008 nga  
Postuar ne kategorine Shëndeti

Sa jeni të informuar rreth lajmeve dhe zbulimeve më të fundit në fushën e mjekësisë? Shumë persona janë të interesuar rreth zhvillimeve më të fundit për mjekësinë në botë, e një pjesë tjetër për një arsye apo një tjetër nuk janë në dijeni të tyre. Por është e rëndësishme që gjithsecili të jetë në dijeni të gjithçkaje që ka të bëjë me shëndetin dhe mirëqenien e tij. Për këtë arsye gazetat e revistat e ndryshme publikojnë çdo ditë rezultatet e studimeve dhe zbulimeve më të fundit në fushën e shkencës së mjekësisë. Gjithkush do të donte të dinte gjithmonë e më tepër rreth mënyrave të trajtimit të sëmundjeve të ndryshme, por sa ia arrini ju kësaj. Provoni të testoni njohuritë tuaja në një test të thjeshtë, të bazuar në studimet më të fundit në fushën e mjekësisë, të publikuara nga e përditshmja amerikane “New York Times”. Në këtë quiz-in e javës në “Tirana Observer” do të gjeni përgjigje për pyetjet që ju lindin për shumë sëmundje, si të shmangni problemet psikologjike, ndryshimet emocionale në pleqëri, sëmundjet që prekin fëmijët, etj. Pasi t’u përgjigjeni pyetjeve, shikoni se sa përgjigje të sakta keni arritur të gjeni. Çdo përgjigje e saktë është edhe një njohuri plus mbi arritje më të fundit të mjekësisë, për të provuar nëse keni një strategji të qartë për mirëqenien tuaj.

1. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit të cilët kanë një përshtypje pozitive për pleqërinë, përgjithësisht, jetojnë 7-8 vjet më tepër, se ata persona që e mendojnë me pesimizëm kalimin e moshës. Personat e moshës së thyer nën ndikimin e imazheve të këqija për plakjen, përfshi fjalët si “harraq”, “i pafuqishëm” dhe “mezi qëndron në këmbë”, nga ana tjetër:

a. Rezultojnë më të dobët në aftësinë për të mbajtur mend, dhe shfaqin më herët humbje kujtese.
b. Shfaqin çrregullime në mënyrën e të sjellurit dhe të reaguarit.
c. Shfaqin nivele të larta stresi dhe shkak depresioni.
d. Të gjitha alternativat e mësipërme janë të mundshme.

2. Në psikanalizë, koncepti “shërimi i të folurit” që i pati fillesat me idetë e Frojdit, është lënë në harresë. Por studimet e mëvonshme treguan se kjo formë terapie që rregullon problemet fiziologjike dhe psikike që lidhen më të folurin, mund të zgjasë për vite të tëra dhe janë të nevojshme vizita disa herë në javë. Por kjo:

a. Teknikë nuk justifikon kostot e larta të terapive.
b. Është shumë rrallë e efektshme, po ashtu si një pjesë e mjekimeve të tjera psikiatrike.
c. Mund të jetë e efektshme në përmirësimin e çrregullimeve mendore, siç është ankthi apo çrregullime te personalitetit.
d. Nuk është efektive për problemet kronike, siç janë ankthi dhe depresioni.

3. Dy shkencëtarë francezë, Francoise Barre-Sinoussi dhe Luc Montagnier, fituan çmimin Nobel në Mjekësi, javën e kaluar për faktin se kishin zbuluar virusin H.I.V, shkaktar të AIDS. Këtë çmim ata e ndanë më një shkencëtar gjerman, Harald zur Hausen, i cili kishte zbuluar virusin Papilloma te njerëzit, ose të njohur ndryshe virusin H.P.V, i cili shkakton:

a. AIDS pneumonia.
b. Kancerin cervikal dhe të qafës së mitrës te femrat.
c. Lebrosën.
d. Sindromën Lesch-Nyhan.

4. Për të reduktuar rastet e vdekjeve te foshnjat, të njohur si “sindroma e vdekjeve te foshnjat” (SIDS), ekspertët rekomandojnë që foshnjat të flenë në pozicionin më shpinë, për të shmangur problemet e shtyllës kurrizore. Por një tjetër studim i realizuar më së fundi tregon se për të reduktuar SIDS, këshillohet që:

a. Fëmijët duhet të flenë në një vend me dritë.
b. Të mbulohen shtrati i fëmijëve me perde të bardha.
c. Të përdoret një freskuese e cila do të ndihmojë në qarkullimin e ajrit në dhomë.
d. Të shmanget të ushqyerit e fëmijëve dy orë para se të flenë.

5. Rreth tre milionë amerikanë kanë shfaqur simptoma të sindromës Sjogren, të cilat janë një sërë shqetësimesh gjatë çastit të gëlltitjes, (kapërcimit të ushqimit apo lëngjeve), si dhe depresioni që shkakton kolla e thatë. Po ashtu si çrregullimet e tjera të sistemit autoimun, sindroma Sojgren prek së pari:

a. Meshkujt.
b. Femrat.
c. Fëmijët.
d. Të moshuarit.

6. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga vendet e tjera të industrializuara, ka nevojë për një plan të ri për shëndetin, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës, pasi edhe kostot për kujdesin për shëndetin po rriten. Por kjo ndodh edhe në vendet e tjera. Për çfarë duhet një plan i ri në fushën e shëndetit:

a. Për të rritur numrin e personave të siguruar.
b. Për të përdorur teknikat dhe zbulimet më të fundit.
c. Për të përballuar vështirësitë në sigurimin e medikamenteve që mungojnë.
d. Të gjitha këto alternativa bashkë.

7. Para pak ditësh u ndalua hedhja në tregun farmaceutik e disa lloj qetësuesish, medikamentesh për manifakturat, kollën dhe të ftohurin, më arsyen se prodhuesit e këtyre produkteve do t’i ndryshonin vullnetarisht etiketat e produkteve. Në këto etiketa do të shkruhej se ato nuk duhet të përdoren për fëmijët nën moshën:

a. 4-muajshe.
b. 4-vjeçare.
c. 8-vjeçare.
d. 12-vjeçare.

8. Administratorët e Ushqimeve dhe Medikamenteve ka si përgjegjësi të kontrollojë sasinë e këtyre produkteve që konsumohen brenda një periudhe të caktuar, nga qytetarët. Megjithatë vihet re se shpesh herë ilaçet dhe ushqimet gjenden në të njëjtat markete. Pra, përpara se këto produkte të vendosen në supermarkete duhet të behët një ndarje e drejtë e tyre.

a. Ilaçet dhe produktet e ndryshme mjekësore duhet të qëndrojnë në ambiente të sterilizuara.
b. Të dy këto produkte mund të qëndrojnë bashkë, sepse të dy llojet mund të blihen në të njëjtin vend.
c. Në markete mund të mbahen edhe pajisje mjekësore.
d. Ushqimet, ilaçet dhe produktet kozmetike s’është problem nëse gjenden në të njëjtin vend.

Pergjigjet e sakta

1 d
2 c
3 b
4 c
5 b
6 d
7 b
8 a

0-2 përgjigje të sakta
Ju nuk jeni të mirinformuar rreth zhvillimeve më të fundit të shkencës mjekësore. Provoni përsëri për të zgjeruar njohuritë tuaja.
3-5 përgjigje të sakta
Njohuritë tuaja janë të një niveli mesatar, por mund të përmirësoheni. Shëndeti është primar.
6-8 përgjigje të sakta
Jeni të mirinformuar rreth zbulimeve më të fundit shkencore në fushën e shëndetit dhe mirëqenies tuaj.

Komente: