Shqipëria furnizon 8 orë në ditë me drita Greqinë
5 February, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Ministri Ruli pranon marrëveshjen: Çmimi i shitjes, sipas bursës së Athinës
Shqipëria furnizon 8 orë në ditë me drita Greqinë
Financat e KESH-it, ndryshon Modeli i Tregut
Situata hidrike në vend tregon rezultate të kënaqshme nisur nga reshjet e shumta. Për të shmangur derdhjet nga rritja e rezervës ujore në hidrocentrale, KESH, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, i ka propozuar qeverisë shqiptare ndryshimin e Modelit të Tregut të energjisë elektrike, i cili lejon jo vetëm eksportin, pra depozitimin, por edhe shitjen. Në këtë pikë, KESH ka nisur që më 22 janar 2009 eksportin e energjisë elektrike drejt Greqisë, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur me operatorin publik të këtij vendi, i cili doli fitues nga testimi për çmimin dhe sasinë e ofruar. Marrëveshja konsiston në furnizim me energji elektrike për 8 orë në ditë, deri në fundin e muajit shkurt. Palët kanë rënë dakord se do të eksportohet drejt Greqisë rreth 53 mijë MW/h energji elektrike, ndërsa për çmimin e shitjes do t‘i referohen bursës së Athinës, e cila funksionon ndryshe nga të tjerat. Për të dhënë detaje të tjera, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, doli dje në konferencë shtypi, ku u mësuan disa fakte rreth marrëveshjes. Të ndikuar nga modeli i ri i tregut të energjisë, si dhe nga marrëveshjet e MSA-së, por mbi të gjitha nga rezervat hidrike, të cilat mund të rrezikojnë përmbytjet, qeveria shqiptare ka zgjedhur alternativën e shitjes së energjisë, pa cenuar furnizimin e brendshëm.
Shitja
Ministri Ruli ka pranuar marrëveshjen me palën greke për shitjen e energjisë elektrike, edhe kur prurjet në hidrocentrale janë në nivele normale. Vendimi për eksportin e energjisë është marrë me miratimin edhe të ERE-s, ku sipas të cilës, një nga mënyrat e shitjes së energjisë elektrike do të jetë ajo e lidhjes së marrëveshjeve ndërmjet KESH-it dhe shoqërive publike homologe, marrëveshje të cilat lidhen pas negociatave direkte me këto shoqëri. Në situatën e mirë hidrike të muajit janar 2009, aplikimi i këtij rregullimi rezultoi akoma më i domosdoshëm. “Për këtë qëllim, për të njohur tendencat e tregut dhe me qëllim shitjen sa më ekonomike të energjisë elektrike nga KESH, u zhvillua një procedurë e testimit të tregut, nga e cila rezultoi që oferta e shoqërisë “PPC”, Greqi, ishte më e leverdishmja”, tha ministri Ruli. Pas përfundimit të procedurës së mësipërme dhe bazuar në nevojën për energji elektrike nga ana e Korporatës Energjetike Publike Greke, “PPC s.a.”, KESH negocioi me këtë kompani një kontratë shitjeje të energjisë elektrike. Kështu KESH do t`i shesë “PPC”-së, energji elektrike 8 orë në ditë me një kapacitet 200 MW në total. Sasia totale që do të kontraktohet do jetë deri në 52.800 MW/h. Lëvrimi i energjisë elektrike drejt Greqisë ka filluar më 22 janar 2009 dhe do të përfundojë më datë 28 shkurt 2009.
Nga analiza e çmimeve të publikuara, rezulton që tarifat në orët që KESH parashikon t‘i shesë “PPC”, janë ndër çmimet më të larta të të gjithë 24-orëshit dhe siç dihet, Greqia ka ndër çmimet më të larta të rajonit dhe më të larta se çmimet e Serbisë dhe të Malit të Zi, me të cilat Shqipëria ka mundësi transmetimi. Konkretisht çmimi/njësi më i lartë i parashikuar në kontratat që KESH ka nënshkruar, për muajin janar 2009 është 49 Euro/MWh, ndërsa çmimi/njësi më i lartë i parashikuar në kontratat që OSSH ka nënshkruar, për muajin janar 2009, është 59,93 Euro/MWh. Në këto kushte, edhe pse në rregulloren e shitjes parashikohet që duhet të shitet vetëm me çmime/njësi më të larta se çmimi i blerjes nga KESH, nga KESH u parashikua në kontratë që për muajin janar 2009, pavarësisht çmimeve të bursës, çmimi/njësi minimal i shitjes të jetë në çdo rast 61 euro/MWh, pra të paktën 1 Euro/MWh më i lartë se çmimi i blerjes nga OSSH dhe të paktën 12 Euro/MWh më i lartë se çmimi i blerjes nga KESH-i.
Situata energjetike
- Prodhimi mesatar në vend është 4,2 miliardë kilovat/orë, ndërsa kërkesa totale është 7 miliardë kilovat/orë
- Kuota në Fierzë është 288,56 m, me prurje 432 m3/sek, kurse prodhimi këto ditë është 18 milionë kilovat/h
- Në dy ditët e fundit janë importuar 3 milionë kah, kurse energjia elektrike në rrjet është rreth 21 milionë kW/h
Burimi Gazeta Shqip


Komente: