Tre kushte për nënshtetësinë

11 August, 2010 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Përfitimi i nënshtetësisë greke, tashmë është kthyer në realitet. Procedurat ndjekin njëra-tjetrën dhe po përgatitet terreni i përshtatshëm, që emigrantët apo fëmijët e tyre të kenë mundësinë për të aplikuar.

Në këtë kuadër, ministria e brendshme e pa të arsyeshme që të lëshojë një qarkore të re, e cila do të shërbejë për ta pasqyruar akoma më të plotë gjithë procedurën për t’u pajisur me nënshtetësi greke. Bëhet fjalë për qarkoren numër ?.130181/39910/???.13/2-8-10, në të cilën përmenden edhe tre kushtet kryesore që duhet të plotësojë emigranti, për të përfituar nënshtetësinë.

Në fakt, nga njëra anë kjo qarkore shërben për t’iu përgjigjur supeve të mbledhura të nëpunësve të bashkive apo komunave, kur u drejtohesh për të pyetur për nënshtetësinë. Thua se nuk e kanë mësuar ende që edhe emigrantët mund të bëhen grekë. Madje thënia e kryeministrit Papandreu se “grek edhe lind, edhe bëhesh” i ka kapërcyer kufijtë helenë. Nga ana tjetër, kjo qarkore ka si qëllim të jetë sa më shumë transparente, që të mos lejojë asnjë boshllëk apo paqartësi të ligjit.

Nisma që ndërmori qeveria e PASOK-ut në lidhje me emigrantët, edhe pse ishte për t’u vlerësuar, sepse është hera e parë që shtetas të huaj trajtohen në këtë mënyrë, përsëri nuk pati entuziazmin që pritej. Deri në një farë mase justifikohet, nga shoku që kanë pësuar familjet emigrante, për shkak të pasigurisë që ndjejnë për të ardhmen në vend.

Kriza ekonomike, rritja e çmimeve, papunësia apo mungesa e ensimave i ka ç’orientuar disi emigrantët shqiptarë, duke i bërë t’i hedhin një vështrim (me dëshirë) kufirit. Po, është e vërtetë, shumë familje po fillojnë të shpërngulen në Shqipëri, për ta rifilluar jetën aty. Ndaj, pasiguria ekonomike nuk i lejon që t’u gëzohen përfitimeve të këtij ligji të ri.

Por nga ana tjetër, ligji 3838/2010 që u votua këtë pranverë në parlamentin grek, ndryshon mjaft nga projekt-ligji i hartuar më parë. Ndryshimet e bëra i janë përshtatur disi mentalitetit të mëparshëm rreth politikës së emigracionit. Kjo, ndoshta edhe nga fakti që opozita e djathtë dhe ultra e djathtë nuk mbeti duarlidhur.

Çfarë përmban kjo qarkore?

Gjithsesi, nga ligji 3838/2010 përfitojnë të gjithë ata emigrantë që kanë qëndrim të ligjshëm në Greqi, për shumë vjet. Por, që një shtetas i huaj të përfitojë nënshtetësinë greke, duhet të përmbushë tre kritere kryesore:

- të ketë njohuri të gjuhës greke

- të jetë i integruar në shoqërinë vendase

- të ketë pjesëmarrje aktive në jetën politike të vendit.

Ndoshta pjesa më e madhe e të interesuarve e plotëson kriterin e parë, por dy kushtet e tjera janë pak të dyshimta. Vlen për t’u përmendur se këto 3 kushte duhen të plotësohen në total. Pra, nëse një emigrant e zotëron mjaft mirë gjuhën greke, por nuk plotëson dy kushtet e tjera, ka shumë mundësi për të mos përfituar nënshtetësinë greke.

Këto kritere nuk do të vlerësohen në bazë të ndonjë dokumenti përkatës, por nga një komision që do të ngrihet enkas për të bërë këtë përcaktim. Qarkorja e re pikërisht shërben për të na sqaruar rreth këtij komisioni, i cili duhet të karakterizohet nga transparenca dhe paanshmëria.

Gjithashtu, komisioni duhet që gjatë vlerësimit, të marrë parasysh karakteristikat e veçanta të çdo aplikuesi, si për shembull, moshën, veprimtarinë profesionale, vitet e qëndrimit që ka në Greqi, nivelin arsimor, etj. si dhe elemente të tjerë që kanë të bëjnë me aftësi të tjera, që i përshtaten sa më mirë shoqërisë greke.

Konkretisht, nëse një aplikues 25-vjeçar që ka qëndruar 10 vjet në Greqi, ka shumë mundësi që të ketë studiuar në shkollat greke. Kështu që ai e ka mësuar gjuhën dhe ka ardhur në kontakt me historinë dhe kulturën greke nëpërmjet librave. Për më tepër, për shkak të moshës së tij të re, ka aftësi shumë të mëdha për të mësuar.

Ndërsa një aplikues 55-vjeçar sot, i cili po ashtu, ka qëndruar 10 vjet në Greqi, nuk e kishte mundësinë të mësonte saktë gjuhën, apo të studionte nëndonjë shkollë dhe është mjaft e vështirë për moshën e tij, të përthithë informacione të ndryshme. Kështu, këta dy kandidatë, edhe pse kanë plotësuar të njëjtën periudhë qëndrimi në vend, do të trajtohen në mënyra të ndryshme nga komisioni përkatës.

Pra, ky komision duhet të gjykojë, duke pasur parasysh që kandidatët në dy shembujt e mësipërm, plotësojnë kriteret minimale. Kjo do të thotë që nuk është e nevojshme që ata të krahasohen midis tyre, pasi ky krahasim do të krijojë kritere të paarritshme për kandidatin më të madh në moshë.

Në të njëjtën mënyrë, e njëjta procedurë duhet të ndiqet edhe për ekzaminimin e kritereve të tjera, p.sh rreth anës profesionale, pasurisë vetjake (asete), ku në këtë rast, çdo krahasim do të rëndonte aplikuesin më të ri në moshë.

Më shumë tek gazeta AlbaniaPress 150.

Komente: