Tronditen familjet

30 July, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Nga Elona Kataro

Shi vendimesh që pengojnë bashkimin familjar. Si duhet të veprojnë emigrantët, kur periferia refuzon lejen e qëndrimit

Periferia ka filluar “sulmin” kundër lejeve të qëndrimit, me një pozicion aspak tolerant, duke nxjerrë në masë vendime negative, të cilat tronditin në themel familjet emigrante.

Shumë emigrantë, të cilët me të dorëzuar kërkesën për rinovim të lejes së qëndrimit dhe pasi ishin pajisur me vërtetim blu, shpresonin se pulla do t’u ngjitej në pasaportë. Por kjo kërkesë jo vetëm që nuk u aprovua, por përkundrazi, u urdhërua nga periferia, që vërtetimi blu të merrej mbrapsht.
Ndoshta është vërtetë për t’u çuditur, në krahasim me vendet e tjera europiane, që emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, edhe pse kanë shume vite që ndodhen këtu, vazhdojnë të kenë probleme me legalizimin e tyre. Kohët e fundit vërehet një përmirësim i procedurës së legalizimit, por megjithatë asgjë nuk ka arritur në standardet e duhura. Nëse mund të flasim me shifra dhe fakte, vërejmë që p.sh. një numër i vogël ensimash bën që vitet që mund të ketë emigranti në Greqi, të shumëzohen me zero dhe ai të marrë përgjigje refuzuese nga periferia.
Ligjet, qarkoret, dekretet e shumta që kanë dalë përsa i përket legalizimit të emigrantëve, asnjëherë nuk kanë qenë të plota, duke ndihmuar kështu që të legalizohet një pjesë e emigranteve, por nga ana tjetër, një tjetër pjesë të mos ketë mundësinë e legalizimit.
Kështu, mungesa e elasticitetit ka bërë që në vend të kartës së gjelbërt, periferia ta pajisë emigrantin me kartë të kuqe, pra me vendim refuzues duke e kthyer atë automatikisht në emigrant të paligjshëm. Kështu, ky emigrant kthehet në peng të një ligji të ri legalizues që mund të (mos) dalë. Kjo është përgjigjja që merr nga zyrat përkatëse pranë bashkisë. Dhe nëse emigranti në fjalë është dhe kryefamiljar, pa dokumente mbeten edhe pjesëtarët e tjerë të familjes që janë të varur prej tij. Vallë këtu mbaron ëndrra e emigrantit për një jetë më të mirë?
Hidhen poshtë 18 vjet mundimesh! Leonardi mbeti krejtësisht i zhgënjyer, kur mësoi në IKA se nuk kishte 150 ensima. Ai u mashtrua nga punëdhënësi i tij, sepse i besoi “fjalës së nderit” që do ta rregjistronte në sigurimet shoqërore.
Kur erdhi koha që Leonardi të rinovonte lejen e qëndrimit, periferia vetëm 20% të ditëve të punës mund t’i ofronte për të blerë. Shumë kjo e pamjaftueshme për rinovimin e lejes dy vjeçare të qëndrimit. Kështu që në vend që në listat e ngjitura në xhamat e bashkisë të shënohej emri i Leonardit për të marrë leje qëndrimi, ai u pajis me një fletë formati A4 ku ishte shkruar vendimi i periferisë: refuzim i kërkesës për rinovim, në mungesë së ditëve të punës.
Rasti i Sokolit nuk është unik. Për fat të keq, në fatin e tij ndodhen dhe shumë emigrantë të tjerë, të cilët, qoftë për mungesë siguracioni, kontrate pune, të ardhurave tatimore apo arsyeje tjetër, kanë marrë përgjigje refuzuese nga periferia.

Më shumë tek gazeta Albaniapress 95.

Komente: