Zgjedhjet dhe eksporti i problemeve të emigrantëve

9 October, 2009 nga  
Postuar ne kategorine Emigracion

Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më poshtë

Agim Basha

Kjo javë mund të quhet edhe java e qetësisë së ethshme. Dy janë frontet e vështirë që presin përpara. Kriza e rëndë ekonomike që e ka gjunjëzuar vendin helenik, dhe një tjetër front edhe më i vështirë: Kriza e besimit, në institucione dhe shtet.

Pas zgjidhjes së krizës politike me fitoren e thellë të PASOK-ut. Në fakt tregohet edhe një anekdotë, mbase me simbolikën e asaj se pak a shumë është politika amerikane ajo që vendos gjithnjë fatin e zgjedhjeve. Anekdota është kjo: Në një kryqëzim rrugësh, A. Papandreu, (i vjetri) pyet presidentin amerikan se nga duhet të shkojë. Ky i thotë: “Hap flashin majtas dhe nisu”. Më mbrapa vjen Karmanlis (i vjetri), prapë në kryqëzim dhe pyet po të njëjtin njeri. Edhe këtij i thotë: “Hap flashin djathtas dhe nisu djathtas”. Më mbrapa vjen Papandreu, (i riu), në të njëjtin kryqëzim dhe pyet po të njëjtin njeri. Dhe ky, pasi mendohet pak i thotë: “Hape flashin majtas, dhe ik vetëm djathtas”. Mbase filozofia e sa më sipër është se programet e krahëve politikë, të majtë ose të djathtë ndoshta janë afruar aq shumë, ose kanë arritur një pikë njehsimi. . . .

Edhe 5 tetori, por edhe data 9, e kështu me radhë, çdo ditë e mëpastajme do të jetë e njëjta. Nëse është një ditë e re në kalendarin politik, më tepër se në ritualin vjetor për popullin grek, është ndërkaq, një ditë e zakonshme në ritualin kronologjik 360 ditor për komunitetin e emigrantëve. Sidomos me problemet e vjetra të tyre, (nëse shpesh nuk lindin të reja), të cilat mbarten nga njëra qeverisje tek tjetra, me intensitet dhe shtypje konstante. Një alkimi që veç gjallërohet me rinovimet e pushteteve. Ashtu sikurse edhe kishte premtuar, lideri i Pasok-ut z. J. Papandreu, se do të vinte së shpejti në pushtet, dhe do të qeveriste vendin, si forcë e vetme politike, duket se më në fund e mbajti premtimin… Por edhe në sintoni të plotë me klimën politike, me opinionin civil, dhe atë mediatik si edhe faktorë të tjerë relevantë, nuk dihet ende se sa do t’i përballojë qeverisja e pas 4-tetorit, problemet e mëdha dhe të rënda ekonomike, financiare, shëndetësore, arsimore, emigracionin etj, etj. Të cilat, në terrenin e “tokës së djegur”, që e gjeti nga qeverisja e mëparshme 5, 5-vjeçare, kërkojnë më së pari mirëkuptimin kombëtar, dhe njëkohësisht edhe masat më drastike që mund të jenë marrë ndonjëherë, në gjithë sektorët e jetës së vendit.

Në një klimë “mirëkuptimi” jo edhe shumë miqësore, në të cilën nuk gjeti edhe aq përkrahje qeveria e mëparshme, e cila u detyrua të kërkonte rikonfirmimin e besimit për të ndërmarrë reforma të thella, të cilat do të ringrinin ekonominë e vendit, edhe më tej nuk është më favorizuese. . . Diçka, që emigrantët e përballojnë me shumëfishin e sforcove që u duhet qytetarëve vendas. Për ata, kostoja e jetesës është e shumëfishtë. . . Dhe këtë e di shumë mirë lideri i PASOK-ut, ashtu siç e dinte shumë më mirë edhe qeveria e demokracisë së re. Por, që në të vërtetë nuk e konsideroi ndonjëherë, gjatë të mbi 5-vjetëve të vështira të qeverisjes së saj.

Në 5 tetor dhe më mbrapa, një gjë dihet shumë mirë që do të ndodhë. Do të ketë shumë premtime, dhe me gjasa të mëdha do të ketë edhe më pak rezultate, në favor të komuniteteve të emigrantëve. Ndërkaq, komunitete e emigrantëve do të vazhdojnë të kenë një mbështetje të madhe për PASOK-un, dhe qeverinë e re, do të mbështesin iniciativat politike të këtij formacioni politik, (siç kanë bërë edhe në gjithë këto vite), ndërkohë që nuk do të tregojnë as kujdesin më të vogël për iniciativat dhe solidaritetin branda vetë grupeve dhe komuniteteve të emigrantëve. Një gjë e tillë, do të vazhdojë ta dëmtojë edhe më rëndë progresin e tyre. Ndërsa i lidh një fat i përbashkët midis tyre, PASOK, do të ishte një arsye më tej në fuqizimin e këtij solidariteti ndërkomunitar. Ndërsa përvojat e kaluara të nxisin në gjykime të këtilla, sot më të besueshme dhe më të mundshme kanë rezultuar metodat evolucioniste, para atyre revolucioniste, (në kuptimin e protestave dhe deklamimeve ala KKE).

Kapitalet politike dhe sidomos ekonomike, që eksportohen nga një palë zgjedhje në zgjedhjen tjetër, nuk kanë gjetur asnjëherë implementimin e tyre real në praktikë, tek e fundit përveçse peshës së pasojave, nuk kanë shtuar asgjë interesante në kapitalin e emigrantëve. Gjithsesi, këtej e tutje nuk do të jetë çudi që të shikojmë se si do të intensifikohet, brenda grupimeve dhe komuniteteve të ndryshme emigratore konkurrimi për njohje dhe terren brenda sallës së madhe dhe moderne të Hipokratos (selisë së PASOK-ut). Alokimi, (vetëm i energjive, se nuk kanë ç’të japin më shumë) i këtyre faktorëve, më tepër se paraqitja dhe ekspozimi i problematikës, me të cilën përballen sot e gjithë ditën emigrantët, do të jetë më shumë pasojë e pranisë së tyre, dhe efektet pozitive nëse ka, do të vijnë me shumë vonesë për ata. Megjithëse, më mirë vonë se kurrë, thotë populli.

Terapia, që mund të ofrohet menjëherë porsa qeveria të marrë votëbesimin në parlament, siç besojnë në opinionin mediatik mund t’i ngjajë vetëm modelit “Obama”. Natyrisht, ajo do të duhet të jetë intensive, dhe qëndrimi në “reaminacion” i ekonomisë greke, do të kërkojë një kohë jo edhe aq të “durueshme”. Gjithsesi, fitorja plebishitare, e thellë dhe me 160 vende në parlamentin e ri, i jep një spunto të fuqishme iniciativave të PASOK-ut. Ajo i jep një pavarësi të plotë dhe të gjithanshme kryeministrit, të cilit do t’i duhet të marrë vendime të një rëndësie të veçantë dhe specifike për ekonominë e vendit dhe pozitat e tij në raportet e brendshme, ndërmjet grupeve të interesit dhe shtresave të ndryshme shoqërore. Pavarësia në marrjen e vendimeve do të çojë si rezultat edhe në implementimin më të lehtë të reformave në “Kirurgjinë socialiste”, të katër vjetëve në vijim.

Ndërkaq, në gjithë zhvillimet e më vonshme, një vend të rëndësishëm do të duhet të zenë edhe problemet e emigracionit. Një plagë e rëndë në shoqërinë e brishtë demokratike greke. Probleme të cilat vijnë që nga dhjetëvjeçarët e kaluar. Ato mbarten si të ishin, eksporte mallrash kontrabandë. Përveç Demokracisë së Re, fajtore për gjendjen e mjeruar të emigrantëve është edhe partia që porsa erdhi në pushtet. Vijimësia e tyre, (pra e problemeve) edhe për shumë kohë, nuk do të jetë veçse një faj më shumë në biografinë e demokracisë në shtetin helenik. Meqënse, për arsye të kuptueshme as e tashmja dhe as e ardhmja e komuniteteve të huaja nuk u përmendën në asnjë rast, dhe nga pothuajse asnjë parti politike, gjatë fushatës, (në fakt vetëm nga partia ekstremiste LAOSs, e cila më tepër siç edhe ka ndodhur gjithmonë me të, këtë kartë e ka pasur Asin, e fshehtë të mëngës, ndryshe nuk mund të fitonte rreth 15, deputetë), a thua se do të ishte ndonjë herezi trajtimi i temës së emigracionit.

Një axhendë e tillë, në tavolinën e kryeministrit të ri, nuk mund të pritet të destinohet vetëm nga portokolli zyrtar i shtetit Shqiptar (Diplomacia). Por, mendojmë se një rrugë e mundshme, mund të jenë edhe organizmat e ndryshme të emigrantëve, të strukturuara tashmë në partinë në pushtet, PASOK. Dihet botërisht tashmë se një pjesë e mirë e rrugës për në kreun e partisë, e liderit Papandreu, kaloi edhe mbi “shpinë” të emigrantëve. (zgjedhjet për kryetarin e partisë). Implementimi i ligjeve për emigracionin, që vetë ky politikan, i ka propozuar dhe kaluar në parlamentet e kaluara, nuk mund t’i kërkohet në këmbim të ndonjë nderi, që po i bën asaj pjese që është më e diskriminuara në shoqërinë greke. Thjesht kjo ka të bëjë vetëm me përmbushjen e një detyre, qoftë si vetëinisiator, qoftë edhe pse ia kanë lënë paraardhësit, e tij në zyrën ovale të kryeministrit. Pajisja me lejet afatgjata, dhe dhënia e nënshtetësisë për të huajt sipas gjithë kushteve të plotësuara tashmë nga një pjesë e madhe e emigrantëve, është një detyrë emergjente. Po kështu edhe ligji për sigurimet shoqërore dhe pensionet. Me bashkimin familjar, etj, etj. . . Çfarë do të bëhet me to?

Ndërsa është parësore edhe konsiderimi i ligjit për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, së paku në organet e pushtetit lokal. Ofrimi dhe bashkëpunimi me inteligjencën nga radhët e emigrantëve, do të jetë jo vetëm dhe thjesht një stad më i lartë, dhe një hapësirë e re në demokratizimin e shoqërisë vendase, por do të jetë edhe me efekte më të mëdha ekonomike, shoqërore, kulturore, etj, Sepse është paradoksale dhe e papranueshme, edhe për shoqëritë e vendeve të treta, në zhvillim, p. sh. dallimi racial gati, ai që bëri qeveria që porsa iku, e cila shpërndau kompjutera falas për një kategori nxënësish, në shkollat publike, ndërsa përjashtoi nga përfshirja të gjithë nxënësit e huaj, të së njëjtës klasë. Nuk e di se si mund të jenë ndier stafet pedagogjike, nga një rast i tillë i paprecedent. . . Por, për një gjë jam i sigurt. Askush nuk e ngriti zërin, as drejtoritë rajonale dhe as komuniteti i prindërve, as shoqëria civile. (Zoti më ndjeftë, nuk e di në të vërtetë se sa me këmbë në tokë flas, për këtë). Thjesht, ky është një nga qindrat e rasteve diskriminuese, që e sjellin si eksport politikat e pative ekstremiste. Të cilat ende nuk munden ta shikojnë edhe emigrantin si qytetar taksapagues. Dhe me të drejta të barabarta në një treg gjithnjë e më të vështirë pune dhe ekonomie.

Se të mendosh, ka kohë që askush nuk e vë ujët në zjarr për çështjen e emigracionit. As mediat, as politika, as shoqëria civile, të krijohet përshtypja se kjo shtresë shoqërore ka thjesht të njëjtat dhe të vetmet probleme që kanë qytetarët vendas. Ndërsa e vërteta në fakt njihet shumë mirë, por nuk preket sepse ajo është shumë tragjike. Dhe me gjërat tragjike askush nuk dëshiron të merret. Përveç në rastet kur gjithçka i lihet në dorë partive apo grupeve ekstremiste, të cilat kërkojnë që sa më shumë t’i suprimojnë problemet e vërteta të emigracionit, dhe mundësisht të eksportojnë edhe ato në terrenin e komuniteteve të huaja, problemet reale të tyre.

Sidoqoftë triumfi i PASOK-ut, dhe humbja historike e Demokracisë së Re, në zgjedhjet e së dielës, ngjajnë edhe më shumë me atë çka thamë më lart, pra me dy maune që, të parkuara jo përkrah, por përkundër njera-tjetrës, tek trau doganor, po i kalojnë ngarkesat legale por edhe shumë kontrabandë, njera-tjetrës. Vështirësia është se a do ta pranojë vallë tregu të cilit i drejtohet ky lloj konsumi?

Natyrisht, nga strategjia që do të ndjekë qeveria e re, edhe për problemet e mëdha të emigrantëve, nga ndjeshmëria që do të tregojë ajo, nga mënyra e qasjes karshi tyre, do të varet besojmë edhe e ardhmja e vetë emigracionit. Ndërkaq, askush nga ne nuk pret që të ndodhë mrekullia, por që zgjidhjet të marrin udhë të mbarë ashtu sikurse me të drejtë shumëkush beson tek politikat sociale të PASOK-ut, kjo megjithatë është e rëndësishme si fillim.

Ajo që dihet është se partia fituese e zgjedhjeve të 4 tetorit, ka një axhendë të ngjeshur punësh përpara. Dhe më tej, ajo që duhet dalluar është se emigrantët nuk janë ata që ndezin cigaren në mjekrën e njeriut që digjet, përkundrazi janë vetë “mjekra” që ka marrë zjarr…

bashaagim@hotmail. com

Nëse ju pëlqen ky artikull ju lutemi shtypni butonin "LIKE" që ndodhet më sipër

Komente: