Zv.ministri i jashtëm grek: Kontakte me Kosovën por jo njohje të saj
20 February, 2009 nga N.Papa
Postuar ne kategorine Emigracion
Zëvendësministri i Jashtëm grek, Miltiadhis Varviciotis, ka theksuar se Greqia është e interesuar për të patur marrëdhënie të mira me Kosovën, ndonëse ka përsëritur qëndrimin për mos e njohur pavarësinë e saj.
Ndërkohë, në lidhje me mosmarrëveshjet me Maqedoninë, zyrtari i lartë grek ka bërë të ditur se Greqia nuk do të bëjë asnjë tërheqje nga qëndrimi i saj në lidhje me cështjen e emrit.
Ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, theksoi edhe njëherë se qëndrimi i Athinës për pavarësinë e Kosovës mbetet i pandryshuar.Cka do të thotë se Greqia do të zhvillojë kontaktet në të gjitha nivelet me Kosovën por nuk ka në program njohjen e pavarësisë së saj.
Gjatë një interviste në BBC, zëvendësministri i Jashtëm grek, Miltiadhis Varviciotis, bëri të ditur se Greqia do të ketë kontakte me Kosovën.
“Ne nuk mendojmë se duhet ta mbajmë Kosovën si një vrimë të zezë në Ballkan, me të cilin nuk duhet të kemi kontakte. Përkundrazi, duhet të kemi kontakte. Ne duam që me Kosovën të kemi një kuadër të mirë marrëdhëniesh, në nivel edhe politik, edhe ekonomik, edhe në fushën e biznesit”-ka deklaruar zëvendësministri i jashtëm grek.
Ndërkaq, zëvendësministri Varviciotis, për herë të parë, pohon se shkaku kryesor i refuzimit të Greqisë për të njohur Kosovën si shtet i pavarur, ka të bëjë më së shumti me pjesën veriore të ishullit të Qipros, ku që prej vitit 1982 është vetëshpallur e ashtuquajtura Republikë Turke e Qipros Veriore, që njihet vetëm nga Turqia.
I pyetur për marëdhëniet e Greqisë me Maqedoninë, numri dy i diplomacisë greke nuk pajtohet me skeptikët lidhur me qorrsokakun e negociatave që po zhvillohen prej dy dekadash në selinë e OKB-së, për t’u gjetur një zgjidhje në çështjen e emrit, por ai thekson se Greqia nuk ka ndërmend të bëjë asnjë tërheqje tjetër, pasi u tërhoq nga qëndrimi i saj i hershëm që emri të mos ketë në përbërjen e vet fjalën Maqedoni.
Ndër të tjera, Varviciotis bëri të ditur se në dhjetëditëshin e parë të muajit mars do të vizitojë Shqipërinë, për të shqyrtuar mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të planit për rindërtimin e Ballkanit.
(e.n/bbc/Balkanweb)


Komente: